Psalmet 137
1 Ndanë lumenjve të Babilonisë, atje u ulëm, madje qamë, ndërsa kujtonim Sionin.
2 Ndër shelgje, në mes të saj, i varëm qestet tona.
3 Se atje, ata që na morën rob, na kërkuan fjalët e një kënge, dhe rrëmbyesit tanë na kërkuan me gaz: "Na këndoni një prej këngëve të Sionit!".
4 Si mund të këndojmë këngë të Jahveh-ut në një dhé të huaj?!
5 Nëse të harroj ty, o Jerusalem, harroftë e djathta ime të lëvizë!
6 M'u ngjittë gjuha pas qiellzës, nëse nuk të kujtoj, nëse nuk e lartoj Jerusalemin mbi gëzimin tim më të madh!
7 Kujto, o Jahveh, kundër bijve të Edomit ditën e Jerusalemit, që ata thanë: "Rrënojeni, rrënojeni deri në themel të tij!".
8 O bijë e Babilonisë, ti që do të shkretohesh, lum ai i cili do të të shpaguajë shpërblimin me të cilin na shpërbleve!
9 Lum ai i cili do t'i kapë dhe do t'i bëjë copash të vegjlit e tu për shkrep!
Të gjithë librat
