Psalmet 135
1 Lavdëroni Jah-un! Lavdëroni emrin e Jahveh-ut! Lavdëroni, o skllevër të Jahveh-ut,
2 ju që qëndroni në shtëpinë e Jahveh-ut, në oborret e shtëpisë së Perëndisë tonë!
3 Lavdëroni Jah-un, sepse i mirë është Jahveh-u! Psalmoni për emrin e tij, sepse është i këndshëm!
4 Se Jakobin e zgjodhi Jah-u për veten e tij, Izraelin si zotërimin e tij të veçantë.
5 Se unë e di që Jahveh-u është i madh, dhe Zoti ynë më i madh se gjithë perënditë.
6 Gjithçka që i pëlqen Jahveh-ut, e bën, në qiej dhe në tokë, në dete dhe në të gjitha thellësitë.
7 Ai është që bën të ngjiten re nga skaji i tokës, që ka bërë vetëtima për shiun, që nxjerr erë nga depot e tij.
8 Ai i cili goditi të parëlindurit e Egjiptit, nga njeriu deri te kafsha.
9 Ai dërgoi shenja dhe çudira në mesin tënd, o Egjipt, kundër Faraonit dhe kundër gjithë skllevërve të tij.
10 Ai i cili goditi kombe të shumta dhe vrau mbretër të fuqishëm:
11 Sihonin, mbretin e amoritëve, dhe Ogun, mbretin e Bashanit, dhe të gjitha mbretëritë e Kanaanit.
12 Dhe e dha tokën e tyre në trashëgimi, në trashëgimi Izraelit, popullit të tij.
13 O Jahveh, emri yt qëndron përjetë; o Jahveh, kujtimi yt për breza e breza.
14 Sepse Jahveh-u do të bëjë gjykim për popullin e tij dhe për skllevërit e tij do të ketë keqardhje.
15 Idhujt e kombeve janë argjend dhe ar, punim i duarve të njeriut.
16 Gojë kanë e nuk flasin, sy kanë e nuk shohin,
17 veshë kanë e nuk dëgjojnë; vërtet nuk ka frymë në gojën e tyre.
18 Ashtu si këta janë ata që i bëjnë; çdokush që ka besim në ta.
19 O shtëpi e Izraelit, bekoni Jahveh-un! O shtëpi e Aronit, bekoni Jahveh-un!
20 O shtëpi e Levit, bekoni Jahveh-un! O ju që keni frikë Jahveh-un, bekoni Jahveh-un!
21 Bekuar qoftë Jahveh-u prej Sionit, ai që banon në Jerusalem! Lavdëroni Jah-un!
Të gjithë librat
