Psalmet 132
1 Këngë e ngjitjeve. Kujto, o Jahveh, lidhur me Davidin, gjithë sa u pikëllua,
2 që iu betua Jahveh-ut dhe lidhi kusht me të Fuqishmin e Jakobit:
3 "Nuk do të hyj fare në çadrën e shtëpisë sime, nuk do të ngjitem aspak mbi dyshekun e krevatit tim,
4 nuk do t'u jap fare gjumë syve të mi, as dremitje qepallave të mia,
5 derisa të gjej një vend për Jahveh-un, një vendbanim për të Fuqishmin e Jakobit".
6 Ja, dëgjuam për Arkën në Efrata, e gjetëm në fushat e Jaarit.
7 Le të hyjmë në vendbanimin e tij, le të biem përmbys te stoli i këmbëve të tij.
8 Çohu, o Jahveh, për në vendprehjen tënde, ti dhe Arka e forcës sate!
9 Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi dhe besëmirët e tu le të lëshojnë britma hareje.
10 Për hir të Davidit, shërbëtorit tënd, mos e prapëso fytyrën e të vajosurit tënd.
11 Iu betua Jahveh-u Davidit për një të vërtetë nga e cila nuk do të zmbrapset: "Dikë nga fryti i barkut tënd do ta vendos mbi fronin tënd.
12 Nëse bijtë e tu do të mbajnë besëlidhjen time dhe dëshmitë e mia që do t'ua mësoj, edhe bijtë e tyre përgjithmonë do të ulen mbi fronin tënd".
13 Se Jahveh-u zgjodhi Sionin; dëshiroi atë për banim të tij.
14 "Ky është vendprehja ime përgjithmonë; këtu do të banoj, sepse atë e dëshirova.
15 Tëmotjet e tij do t'i bekoj fort; nevojtarët e tij do t'i ngop me bukë.
16 Dhe priftërinjtë e tij do t'i vesh me shpëtim, dhe besëmirët e tij do të lëshojnë britma hareje me të madhe.
17 Atje do të bëj të dalë një bri për Davidin; kam përgatitur një kandil për të vajosurin tim.
18 Armiqtë e tij do t'i vesh me turp, por mbi të do të lulëzojë kurora e tij".
Të gjithë librat
