Psalmet 126
1 Këngë e ngjitjeve. Kur i ktheu Jahveh-u robërit e Sionit, qemë si ata që shohin ëndërr.
2 Atëherë mbushej me qeshje goja jonë dhe gjuha jonë me brohori. Atëherë thoshin ndër kombe: "Gjë të madhe bëri Jahveh-u me këta".
3 Gjë të madhe bëri Jahveh-u me ne; ne jemi të gëzuar.
4 Ktheji, o Jahveh, robërit tanë ashtu si rrëketë në Negev.
5 Ata që mbjellin me lot, do të korrin me brohori.
6 Ecën pa u ndalur dhe duke qarë ai që mban strajcën e farës që mbillet, por do të vijë patjetër me brohori, duke mbartur duajt e tij.
Të gjithë librat
