Psalmet 121
1 Këngë e ngjitjeve. I ngre sytë e mi drejt maleve, prej nga më vjen ndihma?
2 Ndihma më vjen prej Jahveh-ut, atij që bëri qiej dhe tokë.
3 Mos e dhëntë ai që të të lëkundet këmba! Mos dremittë ai që të mbron!
4 Ja, nuk dremit dhe nuk fle ai që mbron Izraelin.
5 Jahveh-u është ai që të mbron, Jahveh-u është hija jote në dorën tënde të djathtë.
6 Ditën dielli nuk do të të godasë dhe as hëna gjatë natës.
7 Jahveh-u do të të mbrojë nga çdo e keqe; do ta mbrojë shpirtin tënd.
8 Jahveh-u do të mbrojë daljet dhe hyrjet e tua, që tani e në përjetësi.
Të gjithë librat
