Psalmet 119
1 Lum ata që janë të pacen në rrugën e tyre; ata që ecin në ligjin e Jahveh-ut.
2 Lum ata që ruajnë dëshmitë e tij, që e kërkojnë atë me gjithë zemër,
3 që, po ashtu, nuk kryejnë padrejtësi, por ecin në rrugët e tij.
4 Ti vetë i ke dhënë si urdhër porositë e tua, që të mbahen me përpikëri.
5 Ah, sikur të jenë të qëndrueshme rrugët e mia, që të mbaj statutet e tua!
6 Atëherë nuk do të turpërohem kur të këqyr drejt të gjitha urdhërimeve të tua.
7 Do të të përlëvdoj me drejtësi zemre kur të mësoj kanunet e tua të drejta.
8 Statutet e tua do t'i mbaj, mos më braktis krejtësisht!
9 Si do ta mbajë të pastër një i ri udhën e tij? Duke e mbikëqyrur sipas fjalës sate.
10 Me gjithë zemrën time të kam kërkuar; mos më lër të shmangem nga urdhërimet e tua.
11 Në zemrën time e kam fshehur thënien tënde, në mënyrë që të mos mëkatoj kundër teje.
12 I bekuar je ti, o Jahveh; më mëso statutet e tua!
13 Me buzët e mia kam kumtuar tërë kanunet e gojës sate.
14 Në rrugën e dëshmive të tua kam galduar si të ishte për çfarëdo kamje.
15 Mbi porositë e tua do të përsiat, dhe do të këqyr udhët e tua.
16 Në statutet e tua do të kënaqem, nuk do ta harroj fjalën tënde.
17 Shpërbleje skllavin tënd, që të jetoj dhe ta mbaj fjalën tënde!
18 Hapi sytë e mi që të këqyr vepra të mrekullueshme nga ligji yt!
19 Unë jam ardhës mbi tokë; të mos i fshehësh nga unë urdhërimet e tua!
20 U copëtua shpirti im nga dëshirimi për kanunet e tua, gjatë gjithë kohës.
21 Ke qortuar krenarët që janë të mallkuar, ata që shmangen nga urdhërimet e tua.
22 Largo prej meje poshtërimin dhe përçmimin, sepse dëshmitë e tua i kam ruajtur.
23 Ndonëse u ulën princat dhe përfolën kundër meje, skllavi yt përsiat mbi statutet e tua.
24 Dëshmitë e tua, po ashtu, janë kënaqësia ime, janë këshilltarët e mi.
25 I është ngjitur pluhurit shpirti im; gjallëromë sipas fjalës sate!
26 Rrugët e mia i kallëzova dhe ti m'u përgjigje; mësomë statutet e tua!
27 Më bëj të kuptoj rrugën e porosive të tua, që të përsiat mbi veprat e tua të mrekullueshme!
28 Më pikon shpirti nga pikëllimi; jepmë forcë sipas fjalës sate!
29 Rrugën e gënjeshtrës mbaje larg nga unë, dhe jepmë hirësisht ligjin tënd!
30 Rrugën e besnikërisë kam zgjedhur; kanunet e tua kam vënë para meje.
31 U jam ngjitur dëshmive të tua; o Jahveh, mos më lër të turpërohem!
32 Në rrugën e urdhërimeve të tua do të vrapoj, sepse do të ma zgjerosh zemrën.
33 Mësomë, o Jahveh, rrugën e statuteve të tua, që unë ta ruaj deri në fund.
34 Bëmë të kuptoj, që ta ruaj ligjin tënd dhe ta mbaj me gjithë zemër.
35 Bëmë të marshoj në shtegun e urdhërimeve të tua, sepse në të kënaqem.
36 Priere zemrën time drejt dëshmive të tua dhe jo drejt përfitimit.
37 Bëj që të largohen sytë e mi nga të shikuarit kotësi! Gjallëromë në rrugët e tua!
38 Bëje të qëndrueshme për skllavin tënd thënien tënde, që bën që të kem frikë ndaj teje.
39 Bëj që të largohet poshtërimi im, të cilit i trembem, sepse kanunet e tua janë të mira.
40 Ja, unë dëshirohem për porositë e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde!
41 Edhe ardhshin mbi mua veprat e besëmirësisë sate, o Jahveh; shpëtimi yt, sipas thënies sate,
42 që t'i përgjigjem diçka atij që më poshtëron, sepse kam besim në fjalën tënde.
43 Dhe mos e hiq krejtësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse shpresoj te kanunet e tua.
44 Atëherë do ta mbaj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë e mot.
45 Atëherë do të ec në vend të hapët, sepse porositë e tua kam kërkuar.
46 Atëherë do të flas për dëshmitë e tua përballë mbretërve dhe nuk do të turpërohem.
47 Atëherë do të kënaqem në urdhërimet e tua, të cilat i dua.
48 Atëherë do të ngre pëllëmbët e mia drejt urdhërimeve të tua, të cilat i dua, dhe do të përsiat mbi statutet e tua.
49 Kujto fjalën e dhënë skllavit tënd, mbi të cilën më bëre të shpresoj.
50 Ky është ngushëllimi im në mjerimin tim: se thënia jote më ka gjallëruar.
51 Krenarët më përqeshin së tepërmi; por nga ligji yt nuk shmangem.
52 Kujtova kanunet e tua nga lashtësia, o Jahveh, dhe jam ngushëlluar.
53 Një valë zemërimi më mbërtheu për shkak të të ligjve, atyre që braktisin ligjin tënd.
54 Këngë lavdërimi kanë qenë për mua statutet e tua në shtëpinë e qëndrimit tim si i huaj.
55 Gjatë natës kujtoj emrin tënd, o Jahveh, dhe e mbaj ligjin tënd.
56 Kjo është çfarë unë kam: se kam ruajtur porositë e tua.
57 Pjesa ime është Jahveh-u; kam thënë se do t'i mbaj fjalët e tua.
58 Ty t'u përgjërova me gjithë zemër; hirësomë sipas thënies sate!
59 Solla ndër mend rrugët e mia dhe drejt dëshmive të tua i ktheva këmbët e mia.
60 Nxitova dhe nuk vonova për të mbajtur urdhërimet e tua.
61 Litarët e të ligjve më kanë rrethuar; ligjin tënd nuk e kam harruar.
62 Në mes të natës çohem që të të përlëvdoj, për shkak të kanuneve të tua të drejta.
63 Unë jam shok i gjithë atyre që të kanë frikë dhe i atyre që mbajnë porositë e tua.
64 Me besëmirësinë tënde, o Jahveh, është e mbushur toka; mësomë statutet e tua!
65 I ke bërë të mirë skllavit tënd, sipas fjalës sate, o Jahveh.
66 Mësomë dallim të mirë dhe njohuri, sepse në urdhërimet e tua kam besuar.
67 Para se të isha i përvuajtur, unë shkoja duke u endur, por tani mbaj thënien tënde.
68 Ti je i mirë dhe bën mirë; mësomë statutet e tua!
69 Krenarët ma kanë ngjeshur mua gënjeshtrën; unë ruaj me gjithë zemër porositë e tua.
70 U trash si dhjami zemra e tyre; unë kënaqem në ligjin tënd.
71 Është mirë për mua që kam qenë i pikëlluar, me qëllim që të mësoj statutet e tua.
72 Më i mirë është për mua ligji i gojës sate sesa mijërat e arit dhe të argjendit.
73 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë plazmuar; më bëj të kuptoj, që të mësoj urdhërimet e tua.
74 Ata që të kanë frikë më pafshin dhe u gëzofshin, sepse shpresoj te fjala jote.
75 E di, o Jahveh, se kanunet e tua janë drejtësi, dhe se në besnikëri më ke pikëlluar.
76 Të lutem, qoftë besëmirësia jote ajo që më ngushëllon, sipas thënies sate për skllavin tënd.
77 Ardhshin mbi mua përdëllimet e tua, që të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.
78 U turpërofshin krenarët, sepse me gënjeshtër më bënë padrejtësi! Unë për vete do të përsiat mbi porositë e tua.
79 U kthefshin tek unë ata që të kanë frikë, dhe ata që njohin dëshmitë e tua.
80 Qoftë e dhënë plotësisht zemra ime në statutet e tua, me qëllim që të mos turpërohem.
81 Mbaroi shpirti im për shpëtimin tënd; unë shpresoj te fjala jote.
82 Mbaruan sytë e mi në pritje për thënien tënde, duke thënë: "Kur do të më ngushëllosh?".
83 Ndonëse jam bërë si calik në tym, statutet e tua nuk i kam harruar.
84 Sa janë ditët e skllavit tënd? Kur do të bësh gjykim mbi përndjekësit e mi?
85 Kanë gërmuar gropa për mua krenarët; gjë që nuk është sipas ligjit tënd.
86 Të gjitha urdhërimet e tua janë të besueshme. Më kanë përndjekur me gënjeshtër; ndihmomë!
87 Përpak më zhdukën nga toka, por unë nuk i kam braktisur porositë e tua.
88 Gjallëromë sipas besëmirësisë sate, që të mbaj dëshminë e gojës sate.
89 Përjetë, o Jahveh, fjala jote është e qëndrueshme në qiej.
90 Për breza e breza është besnikëria jote; ti e themelove tokën dhe ajo qëndron.
91 Për shkak të kanuneve të tua kanë qëndruar deri në këtë ditë, sepse gjithçka është në shërbimin tënd.
92 Sikur ligji yt të mos ishte kënaqësia ime, atëherë do të kisha humbur në mjerimin tim.
93 Kurrë nuk do t'i harroj porositë e tua, sepse përmes tyre më ke gjallëruar.
94 Unë jam yti, shpëtomë, sepse porositë e tua kam kërkuar.
95 Për mua presin të ligjtë për të më shkatërruar; unë u kushtoj vëmendje dëshmive të tua.
96 Për çdo përsosmëri kam parë një mbarim; por tej mase i gjerë është urdhërimi yt.
97 Sa e dua ligjin tënd! Gjithë ditën ai është përsiatja ime.
98 Më të urtë sesa armiqtë e mi më bëjnë urdhërimet e tua, sepse përjetë ato janë me mua.
99 Jam më i zgjuar se të gjithë mësuesit e mi, sepse dëshmitë e tua janë përsiatja ime.
100 Jam më i aftë të përkap sesa pleqtë, sepse i kam ruajtur porositë e tua.
101 Nga çdo udhë e keqe i kam përmbajtur këmbët e mia, me qëllim që të mbaj fjalën tënde.
102 Nga kanunet e tua nuk jam larguar, sepse ti vetë më ke mësuar.
103 Sa të ëmbla janë për qiellzën time thëniet e tua! Më të ëmbla sesa mjalti për gojën time!
104 Prej porosive të tua jam i aftë të përkap; për këtë e urrej çdo udhë gënjeshtre.
105 Kandil për këmbën time është fjala jote dhe dritë për shtegun tim.
106 Jam betuar dhe e kam vendosur, që të mbaj kanunet e tua të drejta.
107 Jam bërë së tepërmi i përvuajtur; o Jahveh, gjallëromë sipas fjalës sate!
108 Pëlqeji, të lutem, ofertat vullnetare të gojës sime, o Jahveh, dhe mësomë kanunet e tua!
109 Shpirti im është vazhdimisht në rrezik, por ligjin tënd nuk e kam harruar.
110 Të ligjtë kanë vënë një çark për mua, por unë nuk jam shmangur prej porosive të tua.
111 Dëshmitë e tua kam marrë trashëgimi përjetë, sepse ato janë galdimi i zemrës sime.
112 E prora zemrën time për të zbatuar statutet e tua përjetë, deri në fund.
113 Të dyzuarit i urrej, por ligjin tënd e dua.
114 Vendstrehimi im dhe mburoja ime je ti; unë shpresoj te fjala jote.
115 Largohuni prej meje, o keqbërës, që të ruaj urdhërimet e Perëndisë tim.
116 Më mbështet sipas thënies sate, që të jetoj; dhe mos më lër të turpërohem lidhur me shpresën time.
117 Më mbaj, që të shpëtoj, që të jem vazhdimisht i vëmendshëm në statutet e tua.
118 Ke shpërfillur të gjithë ata që shmangen prej statuteve të tua, sepse mashtrimi i tyre është thjesht një gënjeshtër.
119 Si skorie i heq të gjithë të ligjtë e tokës; prandaj i dua dëshmitë e tua.
120 Më ngjethet mishi prej tmerrimit tënd, dhe nga gjykimet e tua kam frikë.
121 Kam vepruar me gjykim dhe drejtësi; mos më lër në dorë të atyre që më shtypin.
122 Bëju dorëzanë skllavit tënd për të mirë! Të mos më shtypin krenarët!
123 Sytë e mi mbaruan në pritje për shpëtimin tënd dhe për thënien tënde të drejtë.
124 Bëj me skllavin tënd sipas besëmirësisë sate, dhe mësomë statutet e tua.
125 Unë jam skllavi yt, më bëj të kuptoj, që të njoh dëshmitë e tua.
126 Është koha për Jahveh-un që të veprojë; kanë thyer ligjin tënd.
127 Për këtë arsye i dua urdhërimet e tua më tepër sesa arin, madje sesa arin e kulluar.
128 Për këtë arsye i çmoj të drejta të gjitha porositë në lidhje me gjithçka; çdo udhë gënjeshtre e urrej.
129 Mrekullira janë dëshmitë e tua; për këtë arsye shpirti im i ruan.
130 Shpalosja e fjalëve të tua ndriçon; ajo i bën të thjeshtët të kuptojnë.
131 Hapa gojën time dhe dihata, sepse për urdhërimet e tua kisha mall.
132 Kthehu drejt meje dhe hirësomë sipas gjykimit që ke për ata që e duan emrin tënd.
133 Bëji të qëndrueshëm hapat e mi në thënien tënde, dhe të mos sundojë mbi mua asnjë paudhësi.
134 Shpengomë nga shtypja e njeriut, dhe do t'i mbaj porositë e tua.
135 Bëj të shndritë fytyra jote mbi skllavin tënd dhe mësomë statutet e tua.
136 Rrëke ujërash më zbresin nga sytë, ngaqë nuk mbajnë ligjin tënd.
137 I drejtë je ti, o Jahveh, dhe të paanshme kanunet e tua.
138 Ti i ke urdhëruar dëshmitë e tua me drejtësi dhe me shumë besnikëri.
139 Më ka shkrirë zelli im, sepse i kanë harruar fjalët e tua kundërshtarët e mi.
140 E rafinuar krejtësisht është thënia jote, dhe skllavi yt e do.
141 Unë jam i vogël dhe i përbuzur, porse porositë e tua nuk i kam harruar.
142 Drejtësia jote është drejtësi përjetë, dhe ligji yt është vërtetësi.
143 Ngushticë dhe shtrëngesë më gjetën, porse urdhërimet e tua janë kënaqësia ime.
144 Dëshmitë e tua janë drejtësi përjetë; më bëj të kuptoj, që të jetoj.
145 Thirra me gjithë zemër, përgjigjmu, o Jahveh! Statutet e tua do t'i ruaj.
146 Ty të thirra; shpëtomë, që të mbaj dëshmitë e tua.
147 I paraprij agimit dhe thërras për ndihmë; shpresoj te fjalët e tua.
148 Sytë e mi paraprijnë rojat e natës, për të përsiatur mbi thënien tënde.
149 Dëgjoje zërin tim sipas besëmirësisë sate! O Jahveh, gjallëromë sipas kanuneve të tua!
150 Më janë afruar ata që shkojnë pas intrigës; ata janë larg nga ligji yt.
151 Afër je ti, o Jahveh, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë vërtetësi.
152 Qëmoti jam në dijeni prej dëshmive të tua, që i ke themeluar për përjetësi.
153 Shih mjerimin tim dhe çliromë, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd.
154 Mbroje çështjen time dhe shpengomë! Sipas thënies sate, gjallëromë!
155 Larg nga të ligjtë është shpëtimi, sepse statutet e tua nuk kërkojnë.
156 Përdëllimet e tua janë të mëdha, o Jahveh; sipas kanuneve të tua, gjallëromë!
157 Të shumtë janë përndjekësit e mi dhe kundërshtarët e mi, por nga dëshmitë e tua nuk shmangem.
158 I pashë të pabesët dhe më erdhi të pështirë, ngaqë nuk e mbajnë thënien tënde.
159 Shih sa i dua porositë e tua! O Jahveh, gjallëromë sipas besëmirësisë sate!
160 Tërësia e fjalës sate është vërtetësi dhe përjetë mbetet çdo kanun i yti i drejtë.
161 Princat më përndjekin pa shkak, por prej fjalëve të tua më trembet zemra.
162 Unë po galdoj mbi thënien tënde si dikush që gjen një plaçkë të shumtë.
163 Gënjeshtrën e urrej dhe e kam neveri; ligjin tënd e dua.
164 Shtatë herë në ditë të lavdëroj për shkak të kanuneve të tua të drejta.
165 Paqe të madhe ka për ata që e duan ligjin tënd, dhe asgjë nuk i bën të rrëzohen.
166 Pres për shpëtimin tënd, o Jahveh, dhe urdhërimet e tua i zbatoj.
167 Shpirti im i mban dëshmitë e tua dhe unë tej mase i dua.
168 I mbaj porositë e tua dhe dëshmitë e tua, se të gjitha rrugët e mia janë para teje.
169 Arriftë britma ime përpara teje, o Jahveh; më bëj të kuptoj, sipas fjalës sate.
170 Ardhtë përgjërimi im përpara teje; liromë sipas thënies sate.
171 Buroftë nga buzët e mia lëvdimi, se ti më mëson statutet e tua.
172 Këndoftë gjuha ime thënien tënde, se të gjitha urdhërimet e tua janë drejtësi.
173 Qoftë dora jote ndihma ime, se kam zgjedhur porositë e tua.
174 Dëshirohem për shpëtimin tënd, o Jahveh, dhe ligji yt është kënaqësia ime.
175 Jetoftë shpirti im e të lavdëroftë, dhe kanunet e tua më ndihmofshin!
176 Jam endur si dele që ka humbur; kërkoje skllavin tënd, sepse urdhërimet e tua nuk i kam harruar.
Të gjithë librat
