Psalmet 118
1 Përlëvdoni Jahveh-un, sepse është i mirë, se përjetë zgjat besëmirësia e tij.
2 Le të thotë tani Izraeli: "Përjetë zgjat besëmirësia e tij".
3 Le të thotë tani shtëpia e Aronit: "Përjetë zgjat besëmirësia e tij".
4 Le të thonë tani ata që kanë frikë Jahveh-un: "Përjetë zgjat besëmirësia e tij".
5 Nga ngushtësia thirra Jah-un. Jah-u m'u përgjigj, në vend të gjerë më vuri.
6 Jahveh-u është për mua, nuk do të kem frikë; çfarë do të më bëjë njeriu?
7 Jahveh-u është për mua ndër ata që më ndihmojnë, dhe unë do të hedh shikimin ngadhënjyeshëm mbi ata që më urrejnë.
8 Më mirë të strehohesh te Jahveh-u, sesa të kesh besim te njeriu.
9 Më mirë të strehohesh te Jahveh-u, sesa të kesh besim te fisnikët.
10 Të gjitha kombet më rrethuan; në emrin e Jahveh-ut patjetër që i sakatoj.
11 Më rrethuan, njëmend më rrethuan; në emrin e Jahveh-ut patjetër që i sakatoj.
12 Më rrethuan si bletë, si zjarri i ferrave u shuan; në emrin e Jahveh-ut patjetër që i sakatoj.
13 Më shtyve me forcë që unë të bie, por Jahveh-u më ndihmoi.
14 Jah-u është forca ime dhe psalmimi im, dhe ka qenë për mua shpëtim.
15 Zë brohorie dhe shpëtimi ka në çadrat e të drejtëve: "E djathta e Jahveh-ut bën trimëri.
16 E djathta e Jahveh-ut ngrihet lart; e djathta e Jahveh-ut bën trimëri".
17 Nuk do të vdes, përkundrazi, do të jetoj, dhe veprat e Jah-ut do të kumtoj.
18 Jah-u më ndëshkoi rëndë, por në dorë të vdekjes nuk më ka dhënë.
19 Më hapni portat e drejtësisë, unë do të hyj në to dhe do ta përlëvdoj Jah-un!
20 Kjo është porta e Jahveh-ut; të drejtët do të hyjnë nëpër të.
21 Do të të përlëvdoj, sepse m'u përgjigje dhe ke qenë për mua shpëtim.
22 Guri që hodhën poshtë ndërtuesit, u bë gur këndi.
23 Nga ana e Jahveh-ut është kjo; ajo është e mrekullueshme në sytë tanë.
24 Kjo është dita që bëri Jahveh-u, le të ngazëllohemi dhe të gëzohemi në të!
25 Të lutemi, o Jahveh, sill shpëtim tani! Të lutemi, o Jahveh, bëje mbarë tani!
26 Bekuar qoftë ai që vjen në emrin e Jahveh-ut! Ju kemi bekuar nga shtëpia e Jahveh-ut.
27 Jahveh-u është Perëndi dhe bëri të ndriçojë drita e tij ndaj nesh. Lidhni një fli festimi me litarë deri te brirët e altarit.
28 Perëndia im je ti dhe do të të përlëvdoj; Perëndia im, do të të lartësoj.
29 Përlëvdoni Jahveh-un, sepse është i mirë, se përjetë zgjat besëmirësia e tij.
Të gjithë librat
