Psalmet 115
1 Jo neve, o Jahveh, jo neve, porse emrit tënd jepi lavdi, për besëmirësinë tënde, për besnikërinë tënde.
2 Përse të thonë kombet: "Ku është, pra, Perëndia i tyre?".
3 Por Perëndia ynë është në qiej; ai bën gjithçka që i pëlqen.
4 Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, punim i duarve të njeriut.
5 Gojë kanë e nuk flasin, sy kanë e nuk shohin,
6 veshë kanë e nuk dëgjojnë, hundë kanë e nuk nuhatin;
7 kanë duart e tyre dhe nuk ndiejnë, kanë këmbët e tyre dhe nuk ecin; me gurmazin e tyre nuk nxjerrin zë.
8 Ashtu si këta janë ata që i bëjnë, çdokush që ka besim në ta.
9 O Izrael, ki besim në Jahveh-un! Ndihma e tyre dhe mburoja e tyre është ai.
10 O shtëpi e Aronit, kini besim në Jahveh-un! Ndihma e tyre dhe mburoja e tyre është ai.
11 O ju që keni frikë Jahveh-un, kini besim në Jahveh-un! Ndihma e tyre dhe mburoja e tyre është ai.
12 Jahveh-u na kujtoi; ai do të bekojë! Do të bekojë shtëpinë e Izraelit. Do të bekojë shtëpinë e Aronit.
13 Do të bekojë ata që kanë frikë Jahveh-un, të vegjlit bashkë me të mëdhenjtë.
14 Ju shumëzoftë Jahveh-u, ju dhe bijtë tuaj!
15 Ju qofshi të bekuar nga Jahveh-u, që bëri qiej dhe tokë!
16 Qiejt janë qiej të Jahveh-ut, ndërsa tokën ua dha bijve të njeriut.
17 Jo, ata që kanë vdekur nuk e lavdërojnë Jah-un, dhe as të gjithë ata që zbresin në heshtje,
18 por vetë ne do ta bekojmë Jah-un, që tani e në përjetësi. Lavdëroni Jah-un!
Të gjithë librat
