Psalmet 111
1 Lavdëroni Jah-un! Do ta përlëvdoj Jahveh-un me gjithë zemër në këshillin e të drejtëve dhe në kuvend.
2 Të mëdha janë veprat e Jahveh-ut; të kërkuara nga të gjithë ata që i kanë për zemër.
3 Madhështi dhe shkëlqim është veprimtaria e tij, dhe drejtësia e tij mbetet përgjithmonë.
4 Ka bërë përkujtim për veprat e tij të mrekullueshme; i hirshëm dhe i dhembshur është Jahveh-u.
5 Ushqim u dha atyre që e kanë frikë; e kujton përjetë besëlidhjen e tij.
6 Fuqinë e veprave të tij ia njoftoi popullit të vet, kur ua dha atyre trashëgiminë e kombeve.
7 Veprat e duarve të tij janë e vërtetë dhe drejtësi; të besueshme janë të gjitha porositë e tij.
8 Të palëkundura janë përgjithmonë, përjetë; janë të bëra në të vërtetë dhe në të drejtë.
9 Shpengim i dërgoi popullit të tij, urdhëroi përjetë besëlidhjen e tij. I shenjtë dhe i frikshëm është emri i tij.
10 Fillesë e urtisë është frika e Jahveh-ut; zgjuarsi të dobishme kanë të gjithë ata që i zbatojnë porositë e tij. Lëvdimi i tij mbetet përgjithmonë.
Të gjithë librat
