Psalmet 109
1 Për dirigjuesin. I Davidit. Psalm. O Perëndi i lëvdimit tim, mos rri në heshtje!
2 Se goja e të ligut dhe goja hileqare janë hapur kundër meje; kanë folur ndaj meje me gjuhë rrenacake.
3 Edhe me fjalë urrejtjeje më rrethuan dhe më luftuan pa shkak.
4 Në këmbim të dashurisë sime, më akuzojnë, por unë vetë jam në lutje.
5 Më dhanë edhe të keqen në këmbim të së mirës, dhe urrejtjen në këmbim të dashurisë sime.
6 Cakto mbi të një të lig, dhe një akuzues qëndroftë në të djathtën e tij.
7 Kur ai të gjykohet, daltë i lig, dhe u bëftë mëkat lutja e tij.
8 Qofshin ditët e tij të pakta dhe detyrën e tij të mbikëqyrjes e marrtë një tjetër.
9 Qofshin bijtë e tij jetimë dhe gruaja e tij e ve.
10 U endshin kuturu bijtë e tij dhe lypshin, dhe kërkofshin prej rrënojave të shtëpisë së tyre.
11 E kaptë huadhënësi të gjithë çfarë është e tij dhe e plaçkitshin të huajt mundin e tij.
12 Mos qoftë askush që i shtrin besëmirësi atij dhe mos qoftë askush që ka hir për jetimët e tij.
13 Qoftë pasardhja e tij për t'u zhbirë; në brezin tjetër, emri i tyre u fshiftë.
14 U kujtoftë para Jahveh-ut paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u fshiftë.
15 Qofshin përballë Jahveh-ut vazhdimisht, dhe ai e zhbiftë nga toka kujtimin e tyre.
16 Për shkak se nuk u kujtua për të treguar besëmirësi, por përndoqi njeriun e varfër dhe nevojtar, dhe atë me zemër të thyer, për ta vrarë.
17 Ai edhe deshi mallkimin e të tjerëve, kështu mallkimi erdhi mbi të; dhe nuk qe i kënaqur me bekimin e të tjerëve, kështu bekimi qëndroi larg prej tij.
18 Madje e veshi mallkimin si petkun e tij, kështu mallkimi erdhi si ujërat brenda tij, dhe si vaji në kockat e tij.
19 Qoftë për të si rrobë me të cilën mbështillet dhe si brez me të cilin ngjishet vazhdimisht.
20 Ky qoftë nga ana e Jahveh-ut shpërblimi për ata që më akuzojnë dhe për ata që flasin keq kundër shpirtit tim.
21 Dhe ti, o Jahveh, o Zot, vepro për mua, për hir të emrit tënd, sepse e mirë është besëmirësia jote. Liromë!
22 Sepse i varfër dhe nevojtar jam unë dhe zemra ime është therur brenda meje.
23 Si hija kur zgjatet po iki, po shkundem siç shkundin karkalecin.
24 Gjunjët më dridhen nga agjërimi dhe mishi im rrëgjohet nga dhjami.
25 Unë madje jam bërë objekt poshtërimi për ta; më shohin, kokat tundin.
26 Ndihmomë, o Jahveh, Perëndia im; shpëtomë sipas besëmirësisë sate,
27 dhe le ta dinë që kjo është dora jote; ti, o Jahveh, e bëre këtë.
28 Mallkojnë ata, por ti bekon. Ata u çuan, por do të turpërohen, dhe skllavi yt do të gëzohet.
29 Ata që më akuzojnë, do të veshin përsipër çnderimin dhe do të mbështillen me turpin e tyre si me mantel.
30 Do ta përlëvdoj tej mase Jahveh-un me gojën time dhe në mes të shumë njerëzve do ta lavdëroj,
31 sepse qëndron në të djathtë të nevojtarit, për ta shpëtuar nga ata që gjykojnë shpirtin e tij.
Të gjithë librat
