Psalmet 108
1 Këngë. Psalm i Davidit. Është e qëndrueshme, o Perëndi, zemra ime. Do të këndoj dhe do të psalmoj, edhe me nderin tim.
2 Zgjohu, o lahutë dhe qeste! Unë do të zgjoj agimin.
3 Do të të përlëvdoj ndër popuj, o Jahveh, dhe do të psalmoj për ty ndër kombe.
4 Se e madhe, përmbi qiej, është besëmirësia jote dhe deri në re shkon besnikëria jote.
5 Lartësohu mbi qiej, o Perëndi, dhe mbi gjithë tokën qoftë lavdia jote,
6 me qëllim që të çlirohen të dashurit e tu. Sill shpëtim me të djathtën tënde dhe përgjigjmu!
7 Perëndia foli në shenjtërinë e tij: "Do të gazmoj, do ta ndaj në pjesë Shekemin, dhe luginën e Sukotit do ta mat.
8 Imi është Gileadi, imi është Manaseu; edhe Efraimi është përkrenarja ime, dhe Juda, shkopi im i komandimit.
9 Moabi është legeni ku lahem; mbi Edomin do ta hedh sandalen time; mbi Filistinë do të brohoras".
10 Kush do të më çojë në një qytet fortifikimi? Kush do të më udhëheqë deri në Edom?
11 A nuk na hodhe poshtë, o Perëndi, dhe nuk del, o Perëndi, me ushtritë tona?
12 Na jep neve ndihmë ndaj kundërshtarit, se shpëtimi nga njeriu është kotësi!
13 Me Perëndinë do të bëjmë trimëri, dhe ai vetë do t'i shkelë kundërshtarët tanë.
Të gjithë librat
