Psalmet 107
1 Përlëvdoni Jahveh-un, sepse është i mirë; se përjetë zgjat besëmirësia e tij.
2 Le të thonë kështu të shpenguarit e Jahveh-ut, që ai i shpengoi nga dora e kundërshtarit
3 dhe i mblodhi nga vende të ndryshme, nga lindja dhe nga perëndimi, nga veriu dhe nga jugu.
4 U endën në shkretëtirë, në një udhë shkretie; një qytet banimi nuk e gjetën kund.
5 Të uritur, madje edhe të etur, shpirti brenda tyre po u mpakej.
6 Atëherë i këlthitën Jahveh-ut në ngushticën e tyre; nga shtrëngesat e tyre ai i liroi.
7 Dhe i bëri të marshojnë në një rrugë të drejtë, që të shkonin në një qytet banimi.
8 Le ta përlëvdojnë Jahveh-un për besëmirësinë e tij dhe për veprat e tij të mrekullueshme që bën ndaj bijve të njeriut!
9 Sepse e ngopi fytin që ka etje, dhe fytin e uritur e mbushi me të mira.
10 Të tjerë rrinin në errësirë dhe në skëterrë, të burgosur në mjerim dhe hekur,
11 sepse u rebeluan ndaj thënieve të Perëndisë dhe këshillën e Shumë të Lartit e përbuzën.
12 Kështu, ai e përuli me mundime zemrën e tyre; ata u penguan dhe nuk qe asnjë që i ndihmonte.
13 Atëherë i klithën Jahveh-ut në ngushticën e tyre; nga shtrëngesat e tyre ai i shpëtoi.
14 I nxori nga errësira dhe skëterra, dhe vargonjtë e tyre i këputi.
15 Le ta përlëvdojnë Jahveh-un për besëmirësinë e tij dhe për veprat e tij të mrekullueshme që bën ndaj bijve të njeriut!
16 Sepse i copëtoi portat prej bronzi dhe i këputi shulat prej hekuri.
17 Të pamend për shkak të rrugës së shkeljeve të tyre, dhe për shkak të paudhësive të tyre, mjeroheshin.
18 Çdo ushqim e neveriste shpirti i tyre dhe deri te portat e vdekjes u afruan.
19 Atëherë i klithën Jahveh-ut në ngushticën e tyre; nga shtrëngesat e tyre ai i shpëtoi.
20 Dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi, dhe prej gropave të tyre i çliroi.
21 Le ta përlëvdojnë Jahveh-un për besëmirësinë e tij dhe për veprat e tij të mrekullueshme që bën ndaj bijve të njeriut!
22 Le të flijojnë edhe flijime përlëvdimi dhe le të kumtojnë veprat e tij me brohori.
23 Ata që zbresin në det me anije, ata që në ujëra të shumta bëjnë tregti,
24 vetë ata i kanë parë veprat e Jahveh-ut, dhe veprat e tij të mrekullueshme në thellësi.
25 Kështu, ai foli dhe ngriti një erë stuhie, dhe dallgët e detit ajo i çoi lart.
26 Ata ngjiteshin në qiej, zbrisnin në thellësira; shpirti i tyre po shkrihej në fatkeqësi.
27 Lëkundeshin dhe tundeshin si i dehuri, dhe gjithë urtia e tyre u përpi.
28 Atëherë i këlthitën Jahveh-ut në ngushticën e tyre, dhe nga shtrëngesat e tyre ai i nxori.
29 Ai e ktheu stuhinë në puhi dhe dallgët e ujërave ranë në heshtje.
30 Atëherë ata u gëzuan, se dallgët u qetësuan, dhe ai i udhëhoqi drejt limanit të dëshiruar.
31 Le ta përlëvdojnë Jahveh-un për besëmirësinë e tij dhe për veprat e tij të mrekullueshme që bën ndaj bijve të njeriut!
32 Dhe le ta lartësojnë në bashkësinë e popullit; edhe në ndejë të pleqve le ta lavdërojnë.
33 Ai i shndërroi lumenjtë në shkretëtirë dhe burimet e ujërave në tokë të rreshkur,
34 tokën frutore në kripërishtë, prej ligësisë së atyre që banojnë në të.
35 Ai e shndërroi shkretëtirën në pellg ujërash dhe tokën e thatë në burime ujërash.
36 Atëherë bëri të banojnë atje të uriturit dhe ata themeluan një qytet banimi,
37 dhe mbollën ara e vunë vreshta, dhe ato dhanë prodhim të frytshëm.
38 Kështu, ai i bekoi dhe ata u shumuan tepër; edhe bagëtinë e tyre nuk e pakësoi.
39 Pastaj u pakësuan dhe u kërrusën prej shtypjes së ligësisë dhe prej pikëllimit,
40 ndërsa ai derdhte përçmim mbi fisnikët dhe i bënte të endeshin në humbësirë pa rrugë.
41 Por vuri lart nevojtarin, larg nga mjerimi, dhe ia shtoi familjet si një grigjë.
42 Të drejtët e shohin këtë dhe gëzohen, por çdo padrejtësi e mbyll gojën e vet.
43 Kush është i urtë, le të këqyrë, pra, këto gjëra, dhe le t'i kushtojë vëmendje besëmirësisë së Jahveh-ut.
Të gjithë librat
