Psalmet 106
1 Lavdëroni Jah-un! Përlëvdoni Jahveh-un, sepse është i mirë; se përjetë zgjat besëmirësia e tij.
2 Kush do t'i shqiptojë veprat e fuqishme të Jahveh-ut, të bëjë të dëgjohet çdo lëvdim për të?
3 Lum ata që mbajnë të drejtën, edhe ai që vepron me drejtësi në çdo kohë.
4 Kujtomë, o Jahveh, kur shfaq mirëdashje ndaj popullit tënd, vizitomë kur shfaq shpëtimin tënd,
5 që të shoh të mirën e të zgjedhurve të tu, që të gëzohem në gëzimin e kombit tënd, që të lavdërohem me trashëgiminë tënde.
6 Kemi mëkatuar bashkë me etërit tanë; kemi bërë paudhësi, kemi bërë ligësi.
7 Etërit tanë në Egjipt nuk ua vunë mendjen veprave të tua të mrekullueshme; nuk e kujtuan morinë e veprave të besëmirësisë sate dhe u rebeluan pranë detit, Detit të Kuq.
8 Por ai i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.
9 Atëherë iu hakërrua Detit të Kuq dhe deti u tha; dhe u priu atyre në thellësira si në shkretëtirë.
10 Dhe i shpëtoi nga dora e urryesit, dhe i shpengoi ata nga dora e armikut.
11 Dhe ujërat i mbuluan kundërshtarët e tyre; asnjë prej tyre nuk mbeti.
12 Atëherë besuan në fjalët e tij; kënduan lavd për të.
13 Shpejt i harruan veprat e tij; nuk pritën për këshillën e tij,
14 por dëshiruan ethshëm në shkretëtirë dhe sprovuan Perëndinë në shkreti.
15 Dhe ai u dha atyre çfarë kërkuan, por dërgoi mpakje në shpirtin e tyre.
16 Pastaj u bënë xhelozë për Moisiun në fushim, dhe për Aronin, të shenjtin e Jahveh-ut.
17 Toka u hap dhe gëlltiti Datanin dhe mbuloi përsipër grupin e Abiramit.
18 Dhe shpërtheu zjarr në grupin e tyre; flaka i zhuriti të ligjtë.
19 Bënë një viç në Horeb dhe ranë përmbys ndaj një derdhjeje metali.
20 Kështu, ata këmbyen lavdinë e tyre për figurën e një kau që ha bar.
21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që bëri gjëra të mëdha në Egjipt,
22 vepra të mrekullueshme në tokën e Kamit, vepra të frikshme në Detin e Kuq.
23 Kështu, ai tha se do t'i shfaroste, sikur Moisiu, i zgjedhuri i tij, të mos kishte qëndruar në çarjen përpara tij, që ta largonte mllefin e tij nga të shkatërruarit e tyre.
24 Pastaj përçmuan tokën e dëshirueshme; nuk i besuan fjalës së tij.
25 Dhe murmuritën në çadrat e tyre; nuk e dëgjuan zërin e Jahveh-ut.
26 Prandaj u betua kundër tyre se do t'i bënte të bien ata në shkretëtirë
27 dhe se do të bënte të bjerë fara e tyre ndër kombe, dhe se do t'i shpërndante ndër të tjera vende.
28 Pastaj iu bashkuan Baal-Peorit dhe hëngrën flijime për të vdekurit.
29 Kështu e pezmatuan Perëndinë me veprimet e tyre, dhe ndër ta shpërtheu një plagë.
30 Pastaj u ngrit Finehasi dhe bëri gjykim, dhe plaga ndaloi,
31 dhe kjo iu llogarit atij për drejtësi, për breza e breza, në përjetësi.
32 Ata edhe e nxehën Perëndinë tek ujërat e Meribës dhe shkoi keq puna për Moisiun për shkak të tyre,
33 sepse u rebeluan ndaj Frymës së tij dhe Moisiu foli ngutshëm me buzët e tij.
34 Ata nuk i shfarosën popujt, ashtu siç u kishte thënë Jahveh-u atyre,
35 por u përzien me kombet dhe mësuan veprat e tyre,
36 dhe u shërbyen idhujve të tyre, që u bënë kurth për ta.
37 Madje ua flijuan bijtë e tyre dhe bijat e tyre demonëve,
38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që ua flijuan idhujve të Kanaanit, dhe toka me gjakderdhje u njollos.
39 Kështu, ata u ndotën me veprat e tyre dhe bënë kurvëri me veprimet e tyre.
40 Atëherë u ndez zemërimi i Jahveh-ut ndaj popullit të tij dhe pati neveri trashëgiminë e tij,
41 dhe i dha ata në dorën e kombeve, dhe ata që i urrenin, sunduan mbi ta.
42 Dhe armiqtë e tyre i shtypën, dhe u bënë të nënshtruar nën dorën e tyre.
43 Shumë herë Perëndia i lironte, por ata vetë rebeloheshin në këshillën e tyre; dhe kështu u fundosën në paudhësinë e tyre.
44 Megjithatë, ai e pa ngushticën e tyre kur e dëgjoi britmën e tyre,
45 dhe kujtoi për ta besëlidhjen e tij, dhe i erdhi keq sipas mbushullisë së besëmirësisë së tij.
46 Dhe i bëri ata të gjenin përdëllim përpara gjithë atyre që i kapën rob.
47 Shpëtona, o Jahveh, Perëndia ynë, dhe mblidhna prej kombeve, që të përlëvdojmë emrin tënd të shenjtë, që të krenohemi në lëvdimin tënd.
48 Bekuar qoftë Jahveh-u, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi! Dhe gjithë populli thotë: "Amen". Lavdëroni Jah-un!
Të gjithë librat
