Psalmet 104
1 Beko, o shpirti im, Jahveh-un! O Jahveh, Perëndia im, ti je i madh shumë; me madhështi dhe shkëlqim je veshur,
2 duke u mbështjellë me dritë si me mantel, duke i shtrirë qiejt si pëlhurë.
3 Ai që vë trarë mbi ujërat për dhomat e tij të sipërme dhe që i bën retë e zeza karrocën e tij; ai që ecën mbi flatrat e erës,
4 që i bën engjëjt e tij erëra, ata në shërbim të tij, zjarr që flakëron.
5 Ai vendosi tokën mbi themelet e saj; ajo nuk do të tundet kurrën e kurrës.
6 Me thellësinë, si me një veshje, e mbulove atë; mbi male ujërat qëndronin.
7 Prej qortimit tënd ato ia mbathnin; prej zërit të gjëmimit tënd iknin me vrap.
8 Malet ngriheshin dhe luginat uleshin drejt vendit të cilin e kishe vendosur për ta.
9 Ti vure një kufi për ujërat, nuk do ta kalojnë; nuk do të kthehen më që ta mbulojnë tokën.
10 Ti lëshon burime ndër lugje; midis malesh rrjedhin.
11 I japin të pijë çdo kafshe të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.
12 Përmbi ta banojnë shpendët e qiejve; për midis gjethnajës ata japin zë.
13 Ti ujit malet prej dhomave të tua të sipërme; prej frytit të veprave të tua ngopet toka.
14 Ti bën të mbijë bari për bagëtinë dhe bimësinë për t'i bërë njeriu shërbim, që të nxjerrë bukë prej tokës,
15 dhe verë që gëzon zemrën e njeriut, për ta bërë fytyrën të shkëlqejë nga vaji, dhe bukë që mban gjallë zemrën e njeriut.
16 Pemët e Jahveh-ut ngopen me ujë, cedrat e Libanit, që ai i ka mbjellë;
17 ku atje bëjnë zogjtë fole, lejleku i ka bredhat si shtëpinë e vet.
18 Malet e larta janë për dhitë e egra, shkrepat janë strehë për baldosat.
19 Ai bëri hënën për kohë të caktuara; dielli e njeh perëndimin e vet.
20 Ti sjell errësirën dhe bëhet natë; çdo bishë e pyllit zvarritet nëpër të.
21 Luanët e rinj vrumbullitin për prenë dhe që të kërkojnë prej Perëndisë ushqimin e tyre.
22 Kur lind dielli, ata bëhen bashkë dhe në strofullat e tyre shtrihen.
23 Njeriu del për punën e vet dhe për shërbimet e veta deri në mbrëmje.
24 Sa shumë janë veprat e tua, o Jahveh! Të gjitha ato i bëre me urtësi. Toka është e mbushur me pronësinë tënde.
25 Ja deti, i madh dhe i gjerë! Atje ka krijesa që rrëshqasin, të panumërta, gjallesa të vogla dhe të mëdha.
26 Atje lundrojnë anijet, edhe Leviatani, të cilin e plazmove për të lodruar në të.
27 Të gjitha ato drejt teje presin, për t'u dhënë ushqimin në kohën e vet.
28 Ti u jep atyre dhe ato mbledhin; ti hap dorën tënde dhe ngopen me të mirë.
29 Ti fsheh fytyrën tënde dhe ato tmerrohen; ti heq frymën e tyre dhe ato ngordhin e kthehen në pluhurin e tyre.
30 Ti dërgon Frymën tënde dhe ato krijohen; dhe ti e përtërin faqen e dheut.
31 Qoftë përjetë lavdia e Jahveh-ut! U gëzoftë Jahveh-u në veprat e tij!
32 Ai që këqyr drejt tokës dhe kjo dridhet; prek malet dhe ato nxjerrin tym.
33 Do të këndoj për Jahveh-un gjatë jetës sime. Do të psalmoj për Perëndinë tim për sa të jem.
34 Qoftë i ëmbël për të ligjërimi im! Unë vetë do të gëzohem në Jahveh-un.
35 U zhdukshin mëkatarët prej tokës dhe të ligjtë mos qofshin më! Beko, o shpirti im, Jahveh-un! Lavdëroni Jah-un!
Të gjithë librat
