Psalmet 103
1 I Davidit. Beko, o shpirti im, Jahveh-un, dhe të gjitha të përbrendshmet e mia, emrin e tij të shenjtë!
2 Beko, o shpirti im, Jahveh-un, dhe mos harro asnjë nga përfitimet prej tij!
3 Atë që fal çdo paudhësi tënden, atë që shëron të gjitha sëmundjet e tua;
4 atë që shpengon prej gropës jetën tënde, atë që të kurorëzon me besëmirësi dhe përdëllime;
5 atë që ngop me të mirën dëshirimin tënd, saqë përtërihet si shqiponja rinia jote.
6 Jahveh-u bën vepra drejtësie dhe gjykime për të gjithë ata që janë të shtypur.
7 Ai ia bëri të njohura rrugët e tij Moisiut, bijve të Izraelit bëmat e tij.
8 I dhembshur dhe i hirshëm është Jahveh-u, i ngadalshëm në zemërim dhe plot besëmirësi.
9 Nuk do të grindet përgjithnjë dhe nuk do të mbajë përjetë zemërim.
10 Nuk veproi ndaj nesh sipas mëkateve tona dhe nuk na e shpagoi sipas paudhësive tona.
11 Sepse siç janë lart qiejt mbi tokën, kështu mbizotëron besëmirësia e tij mbi ata që e kanë frikë.
12 Siç është larg lindja nga perëndimi, kështu ka larguar nga ne shkeljet tona.
13 Siç ka dhembshuri një atë ndaj fëmijëve të tij, kështu ka dhembshuri Jahveh-u ndaj atyre që e kanë frikë.
14 Sepse ai e njeh plazmimin tonë, kujtohet që ne jemi pluhur.
15 Njeriu! Si bari janë ditët e tij; si lulja e fushës, kështu çel!
16 Kur era ka kaluar mbi të, atëherë ai nuk është më dhe vendi i tij nuk e dallon më.
17 Por besëmirësia e Jahveh-ut është nga përjetësia në përjetësi mbi ata që e kanë frikë, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve,
18 për ata që mbajnë besëlidhjen e tij dhe për ata që kujtojnë porositë e tij për t'i zbatuar.
19 Jahveh-u ka vendosur në qiej fronin e tij dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka.
20 Bekoni Jahveh-un, o engjëjt e tij, ju të fuqishëm në forcë që zbatoni fjalën e tij, duke iu bindur zërit të fjalës së tij.
21 Bekoni Jahveh-un, tërë ushtritë e tij, ju në shërbim të tij, që bëni vullnetin e tij.
22 Bekoni Jahveh-un, tërë ju veprat e tij, në të gjitha vendet e sundimit të tij. Beko, o shpirti im, Jahveh-un!
Të gjithë librat
