Psalmet 102
1 Lutje e një të mjeri kur është i ligështuar dhe përpara Jahveh-ut derdh ankimin e tij. O Jahveh, dëgjoje lutjen time, dhe thirrja ime për ndihmë arriftë deri te ti!
2 Mos e fshih fytyrën tënde prej meje në ditën e ngushticës sime. Anoje drejt meje veshin tënd. Në ditën që do të thërras, përgjigjmu shpejt!
3 Se ditët e mia u zhdukën në tym, dhe kockat e mia u zhuritën porsi vatra.
4 Zemra ime u godit dhe u tha si bari, kështu që harroj të ha bukën time.
5 Prej zërit të psherëtimës sime kockat e mia ngjiten pas mishit tim.
6 I përngjaj një bufi shkretëtire; u bëra si kukuvajkë gërmadhash.
7 Rri zgjuar dhe jam bërë si zog që rri vetëm mbi çati.
8 Gjithë ditën më poshtërojnë armiqtë e mi; ata që më tallin, betohen kundër meje.
9 Se hi po ha si buka dhe pijen time e përziej me të qarë,
10 për shkak të zemëratës sate dhe të tërbimit tënd, sepse më ngrite lart dhe pastaj më hodhe.
11 Ditët e mia janë si hije që zgjatet, dhe unë vetë po thahem si bari.
12 Por ti, o Jahveh, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt për breza e breza.
13 Ti do të çohesh, do të kesh dhembshuri për Sionin, sepse është koha për ta hirësuar, sepse ka ardhur koha e caktuar.
14 Se skllevërit e tu gjejnë kënaqësi në gurët e tij dhe kanë hir për pluhurin e tij.
15 Dhe kombet do të kenë frikë emrin e Jahveh-ut, dhe të gjithë mbretërit e tokës, lavdinë tënde.
16 Se Jahveh-u do ta ndërtojë Sionin; ai do të duket në lavdinë e vet.
17 Ai do të kthehet drejt lutjes së skamnorit dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre.
18 Le të shkruhet kjo për një brez të ardhshëm, dhe një popull që do të krijohet, do ta lavdërojë Jah-un.
19 Se ai shikoi poshtë nga lartësia e tij e shenjtë; Jahveh-u këqyri prej qiejve drejt tokës,
20 për të dëgjuar rënkimin e të burgosurit, për të çliruar të dënuarit me vdekje,
21 që të kumtohet në Sion emri i Jahveh-ut dhe lëvdimi i tij në Jerusalem,
22 kur mblidhen popujt bashkë dhe mbretëritë, për t'i shërbyer Jahveh-ut.
23 E dobësoi gjatë rrugës forcën time, i shkurtoi ditët e mia.
24 Unë them: "O Perëndia im, mos më hiq në mesin e ditëve të mia! Për breza brezash janë vitet e tua.
25 Së lashti ti themelove tokën dhe vepër e duarve të tua janë qiejt.
26 Vetë ata do të zhduken, por ti do të mbetesh. Dhe të gjithë ata si rroba do të vjetrohen; si veshjen do t'i ndërrosh dhe ata do të ndërrohen.
27 Por ti je po ai, dhe vitet e tua nuk do të mbarojnë.
28 Bijtë e skllevërve të tu do të banojnë të sigurt dhe pasardhja e tyre para teje do të jetë e qëndrueshme".
Të gjithë librat
