Psalmet 101
1 I Davidit. Psalm. Për besëmirësi dhe drejtësi do të këndoj; për ty, o Jahveh, do të psalmoj.
2 Do të tregohem i vëmendshëm për një rrugë të përsosur; kur do të vish tek unë? Do të ec në ndershmërinë e zemrës sime brenda shtëpisë sime.
3 Nuk do të vë para syve të mi diçka të pavlerë. Veprimtarinë e atyre që dredhojnë nga rruga e urrej; nuk do të më ngjitet mua.
4 Një zemër e çoroditur do të largohet prej meje; asgjë të keqe nuk do të njoh.
5 Atë që përgojon në fshehtësi të afërmin e tij, atë do ta asgjësoj; kryelartin nga pamja dhe mendjemadhin nga zemra, atë nuk do ta duroj.
6 Sytë e mi janë mbi besnikët e vendit, që të banojnë me mua. Ai që ecën në një rrugë të përsosur, ai do të më bëjë shërbim.
7 Nuk do të banojë brenda shtëpisë sime asnjë që ushtron mashtrim; asnjë që flet gënjeshtra nuk do të qëndrojë para syve të mi.
8 Çdo mëngjes do të asgjësoj gjithë të ligjtë e vendit, për të zhbirë nga qyteti i Jahveh-ut të gjithë ata që kryejnë paudhësi.
Të gjithë librat
