Psalmet 10
1 Përse, o Jahveh, qëndron larg? Përse fsheh veten në kohëra vështirësie?
2 Në fodullëkun e tij, i ligu përndjek të varfrin; ata kapen në dredhitë që kanë sajuar.
3 Se i ligu lavdërohet me dëshirimin e shpirtit të tij, dhe ai që përlan, mallkon e përbuz Jahveh-un.
4 I ligu, me hundën e tij përpjetë, nuk e kërkon Perëndinë; të gjitha mendimet e tij janë: "Nuk ka Perëndi".
5 Të qëndrueshme janë rrugët e tij në çdo kohë; gjykimet e tua janë lart, të paarritshme për të. Sa për të gjithë kundërshtarët e tij, ai shfryn kundër tyre.
6 Ka thënë në zemrën e tij: "Nuk do të tundem; për sa të jetë jeta, as që do të kem ndonjë të keqe".
7 Goja e tij është plot me mallkim e hile, dhe lëndim; nën gjuhën e tij ka prapësi dhe paudhësi.
8 Ai rri në pritë fshatrave; në vende të fshehta vret të pafajshmin. Sytë e tij përgjojnë për të pafatin.
9 Ai zë pritë në një vend të fshehtë, si luani në strofkën e tij; zë pritë që të rrëmbejë të varfrin. E rrëmben të varfrin, ndërsa e tërheq në rrjetën e tij.
10 Ai kruspullohet dhe ulet, dhe në kthetrat e tij të fuqishme bien të pafatët.
11 Ai ka thënë në zemrën e tij: "Perëndia ka harruar, e ka fshehur fytyrën e tij, nuk ka parë fare".
12 Çohu, o Jahveh! O Perëndi, ngrije dorën tënde, mos i harro të varfrit!
13 Për çfarë e ka përbuzur i ligu Perëndinë? Ka thënë në zemrën e tij: "Nuk do të kërkosh llogari".
14 Ti ke parë, sepse ti këqyr mundimin dhe pezmatimin, për ta marrë çështjen në dorën tënde. Në ty e lë veten i pafati; ti vetë ke qenë ai që ndihmon jetimin.
15 Thyeje krahun e të ligut dhe të keqit; kërko ligësinë e tij derisa të mos e gjesh më.
16 Jahveh-u është mbret përjetë e mot; kombet janë zhdukur prej tokës së tij.
17 Dëshirimin e të përvuajturve e ke dëgjuar, o Jahveh; do ta bësh zemrën e tyre të vendosur, do ta bësh veshin tënd të dëgjojë me vëmendje,
18 për t'i dhënë të drejtën jetimit dhe të shtypurit, që të mos vazhdojë më të lemerisë njeriu i krijuar prej tokës.
Të gjithë librat
