Ungjilli sipas Mateut 8
1 Tani, ndërsa Jezusi zbriti nga mali, e ndoqën turma të mëdha.
2 Dhe ja, një i lebrosur erdhi dhe binte përmbys para tij, duke thënë: "O Zot, po të duash mund të më pastrosh".
3 Dhe Jezusi zgjati dorën dhe e preku atë duke thënë: "Dua. Pastrohu!". Dhe menjëherë lebra e tij u pastrua.
4 Dhe Jezusi i tha: "Shiko, të mos i thuash askujt, por shko dhe tregoja veten tënde priftit dhe ofro dhuratën që urdhëroi Moisiu, si dëshmi për ta".
5 Tani, ndërsa Jezusi hyri në Kapernaum, erdhi pranë tij një centurion duke iu përgjëruar
6 e duke thënë: "Zotëri, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar, duke qenë i munduar tmerrësisht".
7 Dhe Jezusi i tha: "Unë do të vij dhe do ta shëroj".
8 Dhe centurioni, duke u përgjigjur, i tha: "Zotëri, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time, por vetëm thuaj një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
9 Se edhe unë jam një njeri i vënë nën pushtet të dikujt, duke pasur, gjithashtu, nën veten time ushtarë; dhe i them këtij: 'Shko', dhe ky shkon; dhe tjetrit: 'Eja', dhe ai vjen; dhe skllavit tim: 'Bëje këtë', dhe ai e bën".
10 Dhe kur i dëgjoi Jezusi këto fjalë, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: "Me të vërtetë po ju them: as edhe në Izrael nuk gjeta kaq besim.
11 Dhe po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi dhe do të shtrohen në banket me Abrahamin dhe Isakun, dhe Jakobin në Mbretërinë e Qiejve,
12 por bijtë e mbretërisë do të nxirren në errësirën e jashtme. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh".
13 Dhe Jezusi i tha centurionit: "Shko, dhe le të të bëhet ashtu siç besove!". Dhe shërbëtori i tij u shërua në atë çast.
14 Dhe kur Jezusi erdhi në shtëpinë e Pjetrit, pa vjehrrën e tij që dergjej dhe kishte ethe.
15 Dhe ai preku dorën e saj dhe ethet e lanë; dhe ajo u çua dhe nisi t'u shërbente atyre.
16 Tani, ndërsa u bë mbrëmje, atij i sollën pranë shumë të demonizuar dhe ai i dëboi frymërat me fjalë, dhe të gjithë ata që ishin ligsht, i shëroi,
17 me qëllim që të përmbushej ajo që u tha nëpërmjet profetit Isaia, që thotë: "Ai vetë mori dobësitë tona dhe mbarti sëmundjet tona".
18 Tani, kur Jezusi pa turma të mëdha rreth tij, urdhëroi që të shkohej në anën tjetër.
19 Dhe një skrib erdhi pranë e i tha: "Mësues, unë do të të ndjek kudo që të shkosh".
20 Dhe Jezusi i tha: "Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit çerdhe, por Biri i Njeriut nuk ka ku të mbështesë kokën".
21 Dhe një tjetër nga dishepujt e tij i tha: "Zot, më lejo së pari që të shkoj dhe të varros atin tim".
22 Por Jezusi i tha: "Më ndiq dhe lëri të vdekurit që të varrosin të vdekurit e vet".
23 Dhe kur ai hipi në varkë, dishepujt e tij e ndoqën.
24 Dhe ja, ra një tërmet i madh në det, saqë varka po mbulohej nga dallgët; por ai flinte.
25 Dhe dishepujt e tij i erdhën pranë dhe e çuan duke thënë: "O Zot, na shpëto! Po humbasim".
26 Dhe ai u tha: "Pse jeni frikacakë, o besimpakë?". Atëherë, si u çua, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.
27 Dhe njerëzit u mrekulluan duke thënë: "Ç'lloj njeriu është ky që edhe erërat, edhe deti i binden?".
28 Dhe ndërsa ai erdhi në anën tjetër, në krahinën e gergesenëve, i dolën para dy të demonizuar që po dilnin prej varrezave, tepër të dhunshëm, aq sa askush nuk mund të kalonte përmes asaj rruge.
29 Dhe ja, bërtitën duke thënë: "Çfarë ka mes nesh dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë? Erdhe këtu për të na munduar para kohe?".
30 Tani, larg nga ata ishte një tufë e madhe derrash duke kullotur.
31 Dhe demonët i përgjëroheshin duke thënë: "Nëse na dëbon, na lejo që të shkojmë në tufën e derrave".
32 Dhe Jezusi u tha: "Shkoni!". Dhe ata, kur dolën, shkuan në tufën e derrave; dhe ja, gjithë tufa e derrave u turr poshtë greminës në det dhe ngordhën në ujë.
33 Tani, ata që kullosnin derrat ikën, dhe si shkuan në qytet, njoftuan për të gjitha, edhe ato që u ndodhën të demonizuarve.
34 Dhe ja, i gjithë qyteti doli për të takuar Jezusin, dhe kur e panë, iu përgjëruan që të largohej nga kufijtë e tyre.
Të gjithë librat
