Ungjilli sipas Mateut 4
1 Atëherë Jezusi u çua në shkreti nga Fryma për t'u tunduar nga djalli.
2 Dhe si agjëroi dyzet ditë dhe dyzet net, në fund e mori uria.
3 Dhe kur erdhi pranë Jezusit tunduesi, i tha: "Nëse je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë!".
4 Por ai, duke u përgjigjur, tha: "Është shkruar: 'Njeriu nuk do të jetojë vetëm me bukë, por me çdo thënie që del nga goja e Perëndisë'".
5 Atëherë djalli e mori me vete në qytetin e shenjtë dhe e vuri mbi pikën kulmore të tempullit,
6 dhe i tha: "Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: 'Engjëjt e tij do të urdhërojë për ty'; dhe 'mbi duar do të të mbartin, që të mos ndeshësh në gur këmbën tënde'".
7 Jezusi i tha: "Gjithashtu është shkruar: 'Nuk do ta sprovosh Zotin, Perëndinë tënd'".
8 Përsëri djalli e mori me vete në një mal tepër të lartë dhe i tregoi gjithë mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre,
9 dhe i tha: "Këto të gjitha do të t'i jap ty, po të më adhurosh duke rënë përmbys".
10 Atëherë Jezusi i tha: "Ik, Satan! Se është shkruar: 'Zotin, Perëndinë tënd, do të adhurosh dhe vetëm atij do t'i ofrosh shërbesë'".
11 Atëherë djalli e la; dhe ja, erdhën engjëj pranë tij dhe i shërbenin.
12 Tani, kur Jezusi dëgjoi se Gjoni u arrestua, u tërhoq në Galile;
13 dhe duke lënë Nazaretin, erdhi e u vendos në Kapernaum ndanë bregut të detit, në kufijtë e Zabulonit dhe të Neftalimit,
14 që të përmbushej ajo që u tha nëpërmjet profetit Isaia, që thotë:
15 "Tokë e Zabulonit dhe tokë e Neftalimit, në rrugën drejt detit, matanë Jordanit, Galileja e kombeve;
16 populli që rrinte në errësirë, pa një dritë të madhe; dhe për ata që rrinin në vendin dhe hijen e vdekjes, lindi një dritë".
17 Që atëherë Jezusi filloi të predikojë dhe të thotë: "Pendohuni, sepse është afruar Mbretëria e Qiejve!".
18 Tani, duke ecur ndanë Detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër, Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, vëllain e tij, duke hedhur rrjetën rrethore në det, sepse ishin peshkatarë.
19 Dhe u tha atyre: "Ejani mbas meje dhe do t'ju bëj peshkatarë njerëzish".
20 Dhe ata menjëherë lanë rrjetat dhe e ndoqën.
21 Dhe duke vijuar më tej prej aty, pa dy vëllezër të tjerë, Jakobin, të birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllain e tij, në varkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat e tyre; dhe i thirri.
22 Dhe ata menjëherë lanë varkën dhe atin e tyre dhe e ndoqën.
23 Dhe Jezusi shkonte përqark në tërë Galilenë, duke mësuar në sinagogat e tyre dhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë, dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo ligështi në popull.
24 Dhe jehona për të shkoi në tërë Sirinë; dhe i sollën pranë të gjithë ata që ishin ligsht me sëmundje të çfarëdollojshme dhe që vuanin nga dhembje të forta, dhe të demonizuar, dhe epileptikë, dhe të paralizuar; dhe ai i shëroi.
25 Dhe turma të mëdha e ndoqën nga Galileja dhe Dekapoli, dhe Jerusalemi, dhe Judeja, dhe nga matanë Jordanit.
Të gjithë librat
