Ungjilli sipas Mateut 3
1 Tani, në ato ditë erdhi Gjon Pagëzori duke predikuar në shkretinë e Judesë
2 dhe duke thënë: "Pendohuni, sepse është afruar Mbretëria e Qiejve!".
3 Se ky është ai për të cilin u tha nga profeti Isaia, që thotë: "Zëri i njërit që klith në shkreti: përgatitni udhën e Zotit, të drejta bëjini shtigjet e tij!".
4 Tani, Gjoni vetë e kishte veshjen e tij të bërë nga leshi i devesë dhe mbante një brez të lëkurtë rreth ijëve të tij; dhe ushqimi i tij ishte karkaleca dhe mjaltë i egër.
5 Atëherë dilnin drejt tij nga Jerusalemi dhe nga gjithë Judeja, dhe nga gjithë rrethinat e Jordanit,
6 dhe pagëzoheshin nga ai në Jordan, duke rrëfyer mëkatet e tyre.
7 Por kur pa shumë nga farisenjtë dhe saducenjtë duke ardhur për pagëzimin e tij, u tha: "O pjella nepërkash! Kush ju tregoi të ikni nga zemërimi që vjen?
8 Jepni, pra, fryte të denja pendimi!
9 Dhe të mos pandehni të thoni në veten tuaj: 'Kemi për atë Abrahamin', sepse po ju them se Perëndia mund t'i ngrejë fëmijë Abrahamit prej këtyre gurëve.
10 Dhe tashmë edhe sëpata është vënë te rrënja e pemëve; prandaj, çdo pemë që nuk jep fryt të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr.
11 Unë vërtet ju pagëzoj në ujë, për pendim, por ai që vjen mbas meje, është më i fortë se unë dhe sandalet e të cilit nuk jam i denjë për t'i mbajtur; ai do t'ju pagëzojë në Frymë të Shenjtë dhe në zjarr.
12 Terplotja e vet është në dorën e tij dhe ai do ta pastrojë krejt lëmin e vet; dhe do ta mbledhë grurin e vet në hambar, por kashtën do ta djegë krejt në zjarr të pashueshëm".
13 Atëherë erdhi Jezusi nga Galileja në Jordan te Gjoni për t'u pagëzuar nga ai.
14 Por Gjoni po e pengonte duke thënë: "Unë kam nevojë për t'u pagëzuar nga ti, dhe ti vjen tek unë?".
15 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha atij: "Lejoje të bëhet për tani, sepse kështu na lypset që të përmbushim çdo drejtësi". Atëherë e lejoi.
16 Dhe kur u pagëzua, Jezusi doli menjëherë nga uji dhe, ja, atij iu hapën qiejt dhe pa Frymën e Perëndisë duke zbritur porsi pëllumb dhe duke ardhur mbi të.
17 Dhe ja, një zë erdhi prej qiejve, duke thënë: "Ky është Biri im, i Dashuri, në të cilin gjeta pëlqim".
Të gjithë librat
