Ungjilli sipas Mateut 28
1 Tani, mbas shabatit, në të zbardhur të ditës së parë të javës, erdhi Maria Magdalena dhe Maria tjetër për të vërejtur varrin.
2 Dhe ja, ra një tërmet i madh, sepse një engjëll i Zotit zbriti prej qiellit dhe erdhi aty, rrokullisi gurin nga hyrja dhe rrinte ulur përmbi të.
3 Dhe pamja e tij ishte si vetëtima, dhe veshja e tij e bardhë porsi bora.
4 Dhe nga frika e tij, ata që ruanin varrin u drodhën e u bënë porsi të vdekur.
5 Dhe engjëlli, duke iu drejtuar grave, u tha: "Ju mos u frikësoni! Sepse e di që kërkoni Jezusin, atë që ishte kryqëzuar.
6 Nuk është këtu, sepse u ngjall, ashtu siç tha. Ejani, shikoni vendin ku ishte shtrirë Zoti.
7 Dhe tani, shkoni shpejt dhe u thoni dishepujve të tij se u ngjall nga të vdekurit dhe, ja, ju paraprin në Galile; atje do ta shikoni. Ja, jua thashë".
8 Dhe ato dolën shpejt nga varri me frikë e gëzim të madh dhe vrapuan për të njoftuar dishepujt e tij.
9 Dhe si po shkonin për të njoftuar dishepujt e tij dhe, ja, Jezusi i takoi duke thënë: "Tungjatjeta!". Dhe ato erdhën pranë tij dhe i rrokën këmbët dhe e adhuruan.
10 Atëherë Jezusi u tha: "Mos u frikësoni! Shkoni e njoftoni vëllezërit e mi që të shkojnë në Galile dhe atje do të më shikojnë".
11 Tani, ndërsa ato shkuan, ja, disa nga rojat erdhën në qytet dhe ua njoftuan kryepriftërinjve të gjitha ato që ndodhën.
12 Dhe si u mblodhën kryepriftërinjtë me pleqtë dhe morën vendim së bashku, u dhanë ushtarëve një shumë të mjaftueshme monedhash argjendi,
13 duke thënë: "Thoni se dishepujt e tij erdhën natën dhe e vodhën trupin ndërsa ne po flinim.
14 Dhe po të merret vesh kjo nga qeveritari, ne do ta bindim dhe do të bëjmë që ju të jeni të pashqetësuar".
15 Dhe ata morën monedhat e argjendit dhe bënë siç i mësuan; dhe kjo fjalë u përhap ndër judenj deri sot.
16 Tani, të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në malin që ua kishte përcaktuar Jezusi.
17 Dhe kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan.
18 Dhe Jezusi erdhi pranë dhe u foli duke thënë: "Mua m'u dha çdo pushtet në qiell dhe mbi tokë.
19 Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj të gjitha kombet, duke i pagëzuar në emrin e Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë,
20 duke i mësuar që të mbajnë të gjitha sa ju urdhërova. Dhe ja, unë jam me ju të gjitha ditët, deri në përfundimin e epokës". Amen.
Të gjithë librat
