Ungjilli sipas Mateut 27
1 Tani, ndërsa u bë mëngjes herët, të gjithë kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit, morën vendim së bashku kundër Jezusit, me qëllim që ta çonin në vdekje.
2 Dhe si e lidhën, e çuan dhe ia dorëzuan Ponc Pilatit, qeveritarit.
3 Atëherë Juda, ai që e tradhtoi, kur pa se Jezusi u dënua, ndryshoi mendje dhe ua ktheu mbrapsht të tridhjetë monedhat e argjendit kryepriftërinjve dhe pleqve,
4 duke thënë: "Mëkatova duke tradhtuar gjak të pafajshëm". Por ata thanë: "Çfarë na duhet neve?! Shikoje vetë këtë punë!".
5 Dhe ai, si flaku monedhat e argjendit në shenjtërore, u largua dhe shkoi e u var.
6 Por kryepriftërinjtë i morën monedhat e argjendit dhe thanë: "Nuk është e lejueshme që ato të vihen në thesarin e dhurimeve, ngaqë është çmim gjaku".
7 Dhe si morën vendim së bashku, blenë me to Arën e Poçarit, për ta bërë varrezë të të huajve
8 (prandaj ajo arë u quajt deri më sot Ara e Gjakut).
9 Atëherë u përmbush ajo që u tha nëpërmjet profetit Jeremia, që thotë: "Dhe morën tridhjetë monedhat e argjendit, çmimin e atij që aq kishte qenë çmuar, për të cilin ato u vunë si çmim nga bijtë e Izraelit,
10 dhe i dhanë për Arën e Poçarit, sikurse më porositi Zoti".
11 Tani, Jezusi qëndroi përpara qeveritarit dhe qeveritari e pyeti duke thënë: "Ti je mbreti i judenjve?". Dhe Jezusi i tha: "Ti po e thua!".
12 Dhe ndërsa kryepriftërinjtë dhe pleqtë e paditnin, ai nuk u përgjigj fare.
13 Atëherë Pilati i tha: "Nuk e dëgjon sa shumë po dëshmojnë kundër teje?".
14 Dhe Jezusi nuk iu përgjigj në lidhje me as edhe një thënie, saqë qeveritari të habitej së tepërmi.
15 Tani, për çdo festë Pashke, qeveritari e kishte zakon që t'i lironte turmës një të burgosur që ata dëshironin.
16 Dhe në atë kohë kishin një të burgosur me nam, që quhej Baraba.
17 Kështu, ndërsa ata ishin mbledhur, Pilati u tha: "Cilin doni t'ju liroj, Barabën apo Jezusin që quhet Krisht?".
18 (Sepse ai e dinte që Jezusin e dorëzuan nga smira).
19 Tani, ndërsa ai rrinte ulur mbi fronin e gjykimit, gruaja e vet dërgoi fjalë tek ai, duke thënë: "Mos të ketë asgjë mes teje dhe atij të drejti, sepse sot vuajta shumë në ëndërr për shkak të tij".
20 Por kryepriftërinjtë dhe pleqtë i bindën turmat që të kërkonin Barabën, ndërsa Jezusin ta zhduknin.
21 Dhe qeveritari, duke u përgjigjur, u tha: "Cilin nga të dy doni t'ju liroj?". Dhe ata thanë: "Barabën!".
22 Pilati u tha: "Çfarë të bëj, pra, me Jezusin që quhet Krisht?". Të gjithë i thanë: "Të kryqëzohet!".
23 Dhe qeveritari thoshte: "Pse, çfarë të keqe bëri?". Por ata bërtisnin më fort, duke thënë: "Të kryqëzohet!".
24 Dhe Pilati, kur pa se asgjë nuk bënte dobi, përkundrazi, po bëhej më tepër trazirë, mori ujë dhe lau duart përballë turmës, duke thënë: "Unë jam i pafajshëm nga gjaku i këtij të drejti. Shikojeni ju këtë punë!".
25 Dhe gjithë populli, duke u përgjigjur, tha: "Gjaku i tij rëntë mbi ne dhe mbi fëmijët tanë!".
26 Atëherë u liroi atyre Barabën; ndërsa Jezusin, si e fshikulloi, e dorëzoi që të kryqëzohej.
27 Atëherë, ushtarët e qeveritarit e morën me vete Jezusin në pretorium dhe mblodhën tek ai tërë kohortën.
28 Dhe si e zhveshën, e mbështollën me një pelerinë të kuqe të ndezur.
29 Dhe si thurën një kurorë prej ferrash, ia vunë mbi kokë dhe i vunë një kallam në dorën e djathtë; dhe duke u gjunjëzuar përpara tij, e tallnin duke thënë: "Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!".
30 Dhe duke pështyrë drejt tij, morën kallamin dhe e qëllonin në kokë.
31 Dhe kur e tallën, ia zhveshën pelerinën dhe ia veshën rrobat e veta; dhe e çuan për ta kryqëzuar.
32 Tani, duke dalë, gjetën një njeri, një kireneas, me emrin Simon; këtë e morën angari që të mbartte kryqin e Jezusit.
33 Dhe kur erdhën në një vend që quhet "Golgota" (domethënë që quhet "Vendi i Kafkës"),
34 i dhanë Jezusit për të pirë verë të thartë që ishte përzier me vrer; dhe si e provoi, nuk donte ta pinte.
35 Dhe si e kryqëzuan, përndanë rrobat e tij duke hedhur short, që të përmbushej ajo që u tha nga profeti: "I përndanë rrobat e mia ndër vete dhe hodhën short për petkun tim.";
36 dhe duke ndenjur ulur, e ruanin aty.
37 Dhe vunë përmbi kokën e tij akuzën e tij, që shkruante: "Ky është Jezusi, mbreti i judenjve".
38 Atëherë, bashkë me të u kryqëzuan edhe dy kusarë, njëri nga e djathta dhe tjetri nga e majta.
39 Dhe ata që kalonin andej, e fyenin duke tundur kokat
40 dhe duke thënë: "O ti që shemb shenjtëroren dhe që e ndërton në tri ditë, shpëto veten tënde! Nëse je Biri i Perëndisë, zbrit nga kryqi!".
41 Dhe po ashtu edhe kryepriftërinjtë, bashkë me skribët dhe pleqtë, duke u tallur thoshin:
42 "Të tjerë i shpëtoi, ndërsa vetveten nuk mundet ta shpëtojë! Nëse është mbreti i Izraelit, të zbresë tani nga kryqi dhe ne do të besojmë në të.
43 Ky kishte besim në Perëndinë; ta çlirojë ai tani, nëse e pëlqen! Se vetë tha: 'Jam Biri i Perëndisë'".
44 Dhe në të njëjtën mënyrë e shanin edhe kusarët që u bashkëkryqëzuan me të.
45 Tani, nga ora e gjashtë u bë errësirë mbi gjithë vendin, deri në orën e nëntë.
46 Dhe rreth orës së nëntë, Jezusi klithi me zë të lartë, duke thënë: "Elì, Elì, lamà sabaktháni?" (që domethënë: "O Perëndia im, o Perëndia im, përse më braktise?").
47 Dhe disa nga të pranishmit aty, kur e dëgjuan, thoshin: "Ky po thërret Elian".
48 Dhe menjëherë njëri prej tyre vrapoi dhe mori një sfungjer, dhe e mbushi me verë të thartë; dhe duke e vënë mbi një kallam, përpiqej t'ia jepte për të pirë.
49 Por të tjerët thoshin: "Lëre të shikojmë nëse vjen Elia që ta shpëtojë".
50 Dhe Jezusi, duke bërtitur përsëri me zë të lartë, e dha frymën.
51 Dhe ja, perdja e shenjtërores u shqye më dysh, nga lart deri poshtë; dhe toka u tund e shkëmbinjtë u çanë.
52 Edhe varret u hapën, dhe shumë trupa të shenjtorëve që kishin fjetur, u ngjallën
53 dhe duke dalë prej varreve mbas ngjalljes së tij, hynë në qytetin e shenjtë dhe iu shfaqën shumë vetave.
54 Tani, centurioni dhe ata që ruanin Jezusin bashkë me të, kur panë tërmetin dhe ato që ndodhën, u frikësuan jashtëzakonisht, duke thënë: "Vërtet ky ishte Bir i Perëndisë!".
55 Dhe aty ishin shumë gra duke vërejtur nga larg, të cilat e kishin ndjekur Jezusin që nga Galileja duke i shërbyer,
56 ndër të cilat ishin Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Jakobit dhe Joseut, dhe nëna e bijve të Zebedeut.
57 Tani, ndërsa u bë mbrëmje, erdhi një njeri i pasur nga Arimateja, me emrin Jozef, i cili edhe vetë u bë dishepull i Jezusit.
58 Ky shkoi te Pilati dhe kërkoi trupin e Jezusit. Atëherë Pilati urdhëroi që të jepej trupi.
59 Dhe Jozefi, si mori trupin, e mbështolli me qefin liri të pastër
60 dhe e vuri në varrin e vet të ri, të cilin e kishte latuar në shkëmb; dhe rrokullisi një gur të madh në hyrjen e varrit, dhe u largua.
61 Dhe aty ishin Maria Magdalena dhe Maria tjetër, duke ndenjur ulur përkundrejt varrit.
62 Tani, të nesërmen (që është mbas ditës së përgatitjes), u mblodhën kryepriftërinjtë dhe farisenjtë te Pilati,
63 duke thënë: "Zotëri, ne u kujtuam se ai mashtruesi, sa ishte gjallë, tha: 'Mbas tri ditësh ngjallem'.
64 Prandaj, urdhëro që të sigurohet varri deri ditën e tretë, se mos vijnë dishepujt e tij natën ta vjedhin trupin dhe t'i thonë popullit: 'U ngjall nga të vdekurit', dhe atëherë mashtrimi i fundit do të jetë më i keq se i pari".
65 Dhe Pilati u tha: "Keni rojë; shkoni siguroni varrin si dini vetë".
66 Dhe ata shkuan dhe siguruan varrin duke vulosur gurin, dhe me rojat.
Të gjithë librat
