Ungjilli sipas Mateut 23
1 Atëherë, Jezusi u foli turmave dhe dishepujve të tij,
2 duke thënë: "Mbi ndenjësen e Moisiut u ulën skribët dhe farisenjtë.
3 Prandaj, mbani dhe bëni të gjitha sa ju thonë për të mbajtur, por mos bëni sipas veprave të tyre, sepse ata thonë dhe nuk bëjnë.
4 Sepse lidhin barrë të rënda e të pambajtshme dhe i vënë mbi shpatullat e njerëzve, ndërsa vetë as me gishtin e tyre nuk duan që t'i lëvizin.
5 Por të gjitha veprat e tyre i bëjnë për t'u vështruar nga njerëzit, dhe zgjerojnë filakteritë e tyre dhe zgjasin thekët e rrobave të tyre.
6 Dhe duan kryevendin në darka dhe ndenjëset e para në sinagoga,
7 dhe përshëndetjet në sheshe, dhe që të thirren nga njerëzit 'rabbi, rabbi'.
8 Por ju të mos thirreni 'rabbi', sepse një është udhërrëfyesi juaj, Krishti, ndërsa të gjithë ju jeni vëllezër.
9 Dhe të mos thërrisni si 'ati juaj' asnjë mbi tokë, sepse një është Ati juaj, ai që është në qiej.
10 Dhe as të mos thirreni 'udhërrëfyes', sepse një është udhërrëfyesi juaj, Krishti.
11 Por më i madhi nga ju, duhet të jetë shërbëtori juaj.
12 Dhe cilido që do ta lartësojë vetveten, do të përulet; dhe cilido që do ta përulë vetveten, do të lartësohet.
13 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj, o hipokritë! Se përpini shtëpitë e vejushave dhe luteni gjatë për shtirje. Për këtë arsye do të merrni gjykim më të rëndë.
14 Por mjerë ju, o skribë dhe farisenj, o hipokritë! Se mbyllni Mbretërinë e Qiejve përpara njerëzve; sepse ju vetë nuk hyni, dhe as nuk lini të hyjnë ata që përpiqen të hyjnë.
15 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj, o hipokritë! Se bridhni detin dhe terën për të bërë një prozelit të vetëm; dhe kur të jetë bërë i tillë, e bëni bir të Gehenës, dyfish më shumë se ju.
16 Mjerë ju, o udhëheqës të verbër, o ju që thoni se cilido që të betohet për shenjtëroren, nuk është gjë, por cilido që të betohet për arin e shenjtërores, detyrohet të mbajë betimin.
17 O të marrë dhe të verbër! Sepse cili është më i madh, ari apo shenjtërorja që shenjtëron arin?
18 Dhe cilido që të betohet për altarin, nuk është gjë, por cilido që të betohet për dhuratën që është përmbi të, detyrohet të mbajë betimin.
19 O të marrë dhe të verbër! Sepse çfarë është më e madhe, dhurata apo altari që shenjtëron dhuratën?
20 Ai, pra, që betohet për altarin, betohet për të dhe për të gjitha ato që janë përmbi të;
21 dhe ai që betohet për shenjtëroren, betohet për të dhe për atë që banon në të;
22 dhe ai që betohet për qiellin, betohet për fronin e Perëndisë dhe për atë që rri ulur përmbi të.
23 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj, o hipokritë! Se jepni të dhjetën e mendrës dhe të koprës, dhe të kuminit, mirëpo latë pas dore gjërat më me peshë të Ligjit: drejtësinë dhe mëshirën, dhe besnikërinë. Këto duheshin bërë, pa lënë pas dore edhe ato të tjerat.
24 O udhëheqës të verbër! Ju që kulloni mushkonjën, por që gëlltitni devenë!
25 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj, o hipokritë! Se pastroni të jashtmen e kupës dhe të pjatës, por përbrenda janë të mbushura me grabitje dhe mospërmbajtje.
26 O farise i verbër, pastro së pari të brendshmen e kupës dhe të pjatës, që edhe e jashtmja e tyre të bëhet e pastër.
27 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj, o hipokritë! Se u përngjani varreve që janë gëlqerosur, të cilat vërtet përjashta duken të bukura, por përbrenda janë të mbushura me kocka të vdekurish dhe me çdo papastërti.
28 Kështu edhe ju, vërtet përjashta u dukeni njerëzve si të drejtë, por përbrenda jeni plot shtirje dhe paligjshmëri.
29 Mjerë ju, o skribë dhe farisenj, o hipokritë! Se ndërtoni varret e profetëve dhe stolisni përmendoret e të drejtëve,
30 dhe thoni: 'Sikur të ishim në ditët e etërve tanë, nuk do të ishim ortakë me ta në gjakun e profetëve'.
31 Prandaj ju dëshmoni kundër vetvetes, sepse jeni bij të atyre që vranë profetët.
32 Mbusheni ju, atëherë, masën e etërve tuaj!
33 O gjarpërinj, o pjella nepërkash, si do t'i ikni gjykimit të Gehenës?
34 Për këtë arsye, ja, unë po dërgoj te ju profetë dhe të urtë, dhe skribë; dhe disa prej tyre do t'i vrisni dhe do t'i kryqëzoni; dhe disa prej tyre do t'i fshikulloni në sinagogat tuaja dhe do t'i përndiqni nga qyteti në qytet,
35 në mënyrë që të bjerë mbi ju gjithë gjaku i drejtë që është derdhur mbi tokë, nga gjaku i Abelit, të drejtit, deri te gjaku i Zakarias, birit të Barakiut, të cilin e vratë midis shenjtërores dhe altarit.
36 Me të vërtetë po ju them: të gjitha këto do të vijnë mbi këtë brez.
37 O Jerusalem, Jerusalem! O ti që vret profetët dhe që qëllon me gurë ata që janë dërguar te ti! Sa herë desha që të mbledh bashkë fëmijët e tu, në atë mënyrë si i mbledh bashkë klloçka zogjtë e vet nën krahët e saj, por nuk deshët!
38 Ja, shtëpia juaj po ju lihet e shkretë!
39 Sepse po ju them se nga tani e tutje nuk do të më shikoni më, derisa të thoni: 'I bekuar është ai që vjen në emër të Zotit!'".
Të gjithë librat
