Ungjilli sipas Mateut 21
1 Dhe kur iu afruan Jerusalemit dhe erdhën në Betfagë, pranë Malit të Ullinjve, atëherë Jezusi dërgoi dy dishepuj,
2 duke u thënë: "Shkoni në fshatin përkundrejt jush dhe menjëherë do të gjeni një gomaricë të lidhur dhe një kërriç bashkë me të. Zgjidhini dhe m'i sillni.
3 Dhe po t'ju thotë kush diçka, do të thoni: 'Zotëria ka nevojë për ta dhe menjëherë do t'i kthejë'".
4 Dhe tërë kjo ndodhi që të përmbushej ajo që u tha nëpërmjet profetit, që thotë:
5 "I thoni bijës së Sionit: Ja, mbreti yt po vjen te ti, i butë dhe hipur mbi gomaricë dhe mbi një kërriç, të voglin e një kafshe barre".
6 Dhe dishepujt, si shkuan dhe bënë ashtu siç i urdhëroi Jezusi,
7 sollën gomaricën dhe kërriçin, dhe vunë përmbi ta rrobat e tyre; dhe e hipën Jezusin mbi to.
8 Dhe një turmë shumë e madhe shtroi rrobat e veta në rrugë; ndërsa të tjerë prisnin degë nga pemët dhe i shtronin në rrugë.
9 Dhe turmat, ato që i paraprinin dhe ato që e ndiqnin, thërrisnin duke thënë: "Hosana Birit të Davidit! I bekuar është ai që vjen në emër të Zotit! Hosana në shumë të lartat vende!".
10 Dhe ndërsa ai hyri në Jerusalem, gjithë qyteti u vu në lëvizje, duke thënë: "Kush është ky?".
11 Dhe turmat thoshin: "Ky është Jezusi, profeti nga Nazareti i Galilesë".
12 Dhe Jezusi hyri në tempullin e Perëndisë dhe dëboi të gjithë ata që shisnin dhe blinin në tempull, dhe përmbysi tavolinat e këmbyesve të monedhave dhe ndenjëset e atyre që shisnin pëllumba.
13 Dhe u tha: "Është shkruar: 'Shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje; por ju e bëtë një shpellë kusarësh'".
14 Dhe erdhën pranë tij në tempull të verbër e të çalë, dhe i shëroi.
15 Por kryepriftërinjtë dhe skribët, kur panë gjërat e mrekullishme që bëri dhe fëmijët që thërrisnin në tempull e që thoshin: "Hosana Birit të Davidit!", u pezmatuan
16 dhe i thanë: "E dëgjon çfarë thonë këta?". Dhe Jezusi u tha: "Po! A nuk e keni lexuar kurrë: 'Prej gojës së foshnjave dhe të atyre që mënden, përgatite lavdërim'?".
17 Dhe i la e doli jashtë qytetit për në Betani; dhe e kaloi natën atje.
18 Tani, herët në mëngjes, duke u kthyer në qytet, e mori uria.
19 Dhe kur pa një fik në rrugë, erdhi tek ai dhe nuk gjeti asgjë në të, përveçse vetëm gjethe. Dhe i tha: "Mos u bëftë më fryt prej teje përjetë!". Dhe përnjëherësh fiku u tha.
20 Dhe kur dishepujt e panë këtë, u mrekulluan, duke thënë: "Si u tha fiku përnjëherësh?!".
21 Dhe duke u përgjigjur, Jezusi u tha: "Me të vërtetë po ju them: Po të keni besim dhe të mos dyshoni, jo vetëm do të bëni atë që i ndodhi fikut, por edhe po t'i thoni këtij mali 'ngrihu e hidhu në det!', do të ndodhë.
22 Dhe të gjitha sa do të kërkoni në lutje duke besuar, do t'i merrni".
23 Dhe kur ai erdhi në tempull, ndërsa po jepte mësim, erdhën pranë tij kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit, duke thënë: "Me çfarë pushteti i bën këto gjëra? Dhe kush ta dha këtë pushtet?".
24 Dhe duke u përgjigjur, Jezusi u tha: "Do t'ju pyes edhe unë një gjë që, po të ma thoni, edhe unë do t'ju them se me çfarë pushteti i bëj këto gjëra.
25 Pagëzimi i Gjonit prej nga ishte? Prej qiellit apo prej njerëzve?". Dhe ata diskutonin me njëri-tjetrin, duke thënë: "Po të themi 'prej qiellit', do të na thotë: 'Përse, pra, nuk i besuat?',
26 por po të themi 'prej njerëzve', kemi frikë turmën, sepse të gjithë e mbajnë Gjonin si profet".
27 Dhe duke iu përgjigjur Jezusit, thanë: "Nuk e dimë!". Dhe ai u tha: "As unë nuk ju them me çfarë pushteti i bëj këto gjëra".
28 "Tani, çfarë mendoni ju? Një njeri kishte dy fëmijë dhe erdhi pranë të parit e i tha: 'Bir, shko sot e puno në vreshtin tim'.
29 Dhe ai, duke u përgjigjur, tha: 'Nuk dua'. Por më pas, ndryshoi mendje dhe shkoi.
30 Dhe erdhi pranë të dytit e i tha të njëjtën gjë. Dhe ai, duke u përgjigjur, tha: 'Unë do të shkoj, zotëri!', dhe nuk shkoi.
31 Cili prej të dyve bëri vullnetin e atit?". Ata i thanë: "I pari". Jezusi u tha: "Me të vërtetë po ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat shkojnë para jush në Mbretërinë e Perëndisë.
32 Se erdhi Gjoni te ju në udhën e drejtësisë dhe nuk i besuat, por tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan. Ndërsa ju, kur e patë këtë, nuk ndryshuat mendje më pas që t'i besonit.
33 Dëgjoni një tjetër shëmbëlltyrë: ishte një zot shtëpie, i cili mbolli një vresht dhe i vuri përreth një gardh, dhe gërmoi në të një vençë, dhe ndërtoi një pirg, dhe ua dha me qira disa bujqve, dhe shtegtoi.
34 Dhe kur u afrua koha e vjeljes së fryteve, dërgoi skllevërit e vet te bujqit për të marrë frytet e tij.
35 Dhe bujqit i kapën skllevërit e tij dhe dikë e rrahën, dikë tjetër e vranë, dhe dikë tjetër e qëlluan me gurë.
36 Përsëri dërgoi të tjerë skllevër, më shumë se të parët; edhe me ta bënë po ashtu.
37 Dhe në fund dërgoi tek ata birin e vet, duke thënë: 'Do të kenë respekt për birin tim'.
38 Por bujqit, kur panë të birin, thanë ndër vete: 'Ky është trashëgimtari! Ejani ta vrasim dhe kështu të mbajmë trashëgiminë e tij!'.
39 Dhe si e kapën, e nxorën jashtë vreshtit dhe e vranë.
40 Atëherë, kur të vijë i zoti i vreshtit, çfarë do t'u bëjë atyre bujqve?".
41 Ata i thanë: "Do t'i shkatërrojë keqas ata të këqij dhe vreshtin do t'ua japë me qira bujqve të tjerë, të cilët do t'i paguajnë atij frytet në kohën e duhur".
42 Jezusi u tha: "A nuk e keni lexuar kurrë në Shkrime: 'Guri të cilin e hodhën poshtë ndërtuesit, ky u bë gur këndi; nga Zoti u bë kjo, dhe është e mrekullueshme në sytë tanë'.
43 Për këtë arsye po ju them se Mbretëria e Perëndisë do të hiqet prej jush dhe do t'i jepet një kombi që do të japë frytet e saj.
44 Dhe ai që ra mbi këtë gur, do të copëtohet; dhe mbi cilindo që ky gur të bjerë, do ta thërrmojë".
45 Dhe kur kryepriftërinjtë dhe farisenjtë dëgjuan shëmbëlltyrat e tij, e kuptuan se i tha për ta.
46 Dhe megjithëse kërkonin që ta kapnin, patën frikë turmat, ngaqë atë e mbanin si profet.
Të gjithë librat
