Ungjilli sipas Mateut 20
1 "Se Mbretëria e Qiejve është e ngjashme me një zot shtëpie, i cili doli herët në mëngjes që të pajtonte punëtorë për vreshtin e vet.
2 Tani, si ra në ujdi me punëtorët për një denar ditën, i dërgoi në vreshtin e vet.
3 Dhe kur doli rreth orës së tretë, pa disa të tjerë duke qëndruar në shesh, të papunë,
4 dhe u tha: 'Shkoni edhe ju në vresht dhe do t'ju jap atë që është e drejtë'.
5 Dhe ata shkuan. Kur doli përsëri rreth orës së gjashtë dhe orës së nëntë, bëri po ashtu.
6 Dhe kur doli rreth orës së njëmbëdhjetë, gjeti disa të tjerë duke qëndruar të papunë dhe u tha: 'Pse qëndroni këtu tërë ditën të papunë?'.
7 Ata i thanë: 'Sepse asnjë nuk na pajtoi për punë'. Ai u tha: 'Shkoni edhe ju në vresht dhe do të merrni atë që është e drejtë'.
8 Dhe ndërsa u bë mbrëmje, zotëria i vreshtit i tha kujdestarit të tij: 'Thirri punëtorët dhe jepu pagën, duke filluar nga të fundit e deri te të parët'.
9 Dhe kur erdhën ata që thirri rreth orës së njëmbëdhjetë, morën secili nga një denar.
10 Por kur erdhën të parët, kujtuan se do të merrnin më shumë; mirëpo edhe ata morën një denar secili.
11 Dhe duke i marrë, murmurisnin kundër të zotit të shtëpisë,
12 duke thënë: 'Këta të fundit bënë një orë punë dhe ti i bëre të barabartë me ne që mbajtëm barrën e ditës dhe vapën'.
13 Por ai, duke u përgjigjur, i tha njërit nga ata: 'Mik, nuk po të bëj padrejtësi. A nuk re në ujdi me mua për një denar?
14 Merr atë që është jotja dhe shko! Por dua që këtij të fundit t'i jap sa edhe ty.
15 Apo nuk është e lejueshme për mua të bëj çfarë dua me gjërat e mia? Apo syri yt është i lig, ngaqë unë jam i mirë?
16 Kështu, të fundit do të jenë të parë dhe të parët të fundit. Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur".
17 Dhe Jezusi, duke u ngjitur në Jerusalem, mori pranë të dymbëdhjetë dishepujt, veçmas, gjatë rrugës dhe u tha:
18 "Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i Njeriut do t'u dorëzohet kryepriftërinjve dhe skribëve, dhe do ta dënojnë me vdekje,
19 dhe do t'ua dorëzojnë paganëve për ta tallur e për ta fshikulluar, dhe për ta kryqëzuar; dhe të tretën ditë do të ringjallet".
20 Atëherë, erdhi pranë tij nëna e bijve të Zebedeut, bashkë me bijtë e saj, duke rënë përmbys dhe duke kërkuar diçka nga ai.
21 Dhe ai i tha asaj: "Çfarë do?". Ajo i tha: "Thuaj që të ulen këta dy bijtë e mi njëri nga e djathta jote dhe tjetri nga e majta jote në mbretërinë tënde."
22 Por Jezusi, duke u përgjigjur, tha: "Ju nuk dini çfarë kërkoni! A mund ta pini kupën të cilën do ta pi unë dhe të pagëzoheni me pagëzimin me të cilin unë pagëzohem?". Ata i thanë: "Mundemi!".
23 Dhe ai u tha: "Vërtet kupën time do ta pini dhe me pagëzimin me të cilin unë pagëzohem, do të pagëzoheni edhe ju, por të ulurit nga e djathta ime dhe nga e majta ime nuk më takon mua për ta dhënë, por është për ata të cilëve u është përgatitur nga Ati im."
24 Dhe kur e dëgjuan këtë, të dhjetët u pezmatuan me dy vëllezërit.
25 Por Jezusi, si i thirri pranë, tha: "Ju e dini se krerët e kombeve ushtrojnë zotërim mbi to dhe të mëdhenjtë ushtrojnë pushtet mbi to.
26 Por nuk do të jetë kështu ndër ju; përkundrazi, cilido që të dojë ndër ju për t'u bërë i madh, duhet të jetë shërbëtori juaj,
27 dhe cilido që të dojë ndër ju për të qenë i parë, duhet të jetë skllavi juaj;
28 sikurse Biri i Njeriut nuk erdhi për të qenë i shërbyer, po për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e vet si shpërblesë në vend të shumë vetave".
29 Dhe ndërsa ata po dilnin nga Jerikoja, Jezusin e ndoqi një turmë e madhe.
30 Dhe ja, dy të verbër që rrinin ulur ndanë rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezusi, bërtitën duke thënë: "Ki mëshirë për ne, o Zot, Bir i Davidit!".
31 Dhe turma i qortoi që të heshtnin, por ata bërtisnin më fort, duke thënë: "Ki mëshirë për ne, o Zot, Bir i Davidit!".
32 Dhe duke ndaluar, Jezusi i thirri dhe tha: "Çfarë dëshironi të bëj për ju?".
33 Ata i thanë: "Zot, që të hapen sytë tanë!".
34 Dhe duke pasur dhembshuri, Jezusi preku sytë e tyre; dhe menjëherë sytë e tyre panë sërish dhe ata e ndoqën.
Të gjithë librat
