Ungjilli sipas Mateut 2
1 Tani, pasi u lind Jezusi në Betlehem të Judesë në ditët e mbretit Herod, ja, magë nga lindja arritën në Jerusalem,
2 duke thënë: "Ku është ai që u lind mbret i judenjve? Sepse pamë yllin e tij në lindje dhe erdhëm për ta adhuruar".
3 Por kur e dëgjoi këtë Herodi, mbreti, u trondit, dhe gjithë Jerusalemi bashkë me të.
4 Dhe si mblodhi të gjithë kryepriftërinjtë dhe skribët e popullit, kërkonte nga ata se ku duhet të lindë Krishti.
5 Dhe ata i thanë: "Në Betlehem të Judesë, sepse kështu është shkruar nëpërmjet profetit:
6 'Dhe ti Betlehem, tokë e Judës, aspak nuk je më i vogël ndër sundimtarët e Judës, sepse prej teje do të dalë një sundimtar i cili do të baritojë popullin tim, Izraelin'".
7 Atëherë Herodi, si thirri fshehtas magët, e saktësoi nga ata kohën e shfaqjes së yllit.
8 Dhe i dërgoi në Betlehem dhe u tha: "Shkoni dhe hetoni saktësisht rreth fëmijës dhe sapo ta gjeni, më njoftoni, me qëllim që edhe unë të vij e ta adhuroj".
9 Dhe ata, pasi dëgjuan mbretin, shkuan. Dhe ja, ylli që panë në lindje u paraprinte, derisa erdhi e qëndroi sipër vendit ku ishte fëmija.
10 Dhe kur panë yllin, u gëzuan me gëzim jashtëzakonisht të madh.
11 Dhe kur erdhën në shtëpi, panë fëmijën bashkë me Marinë, nënën e vet; dhe duke rënë përmbys, e adhuruan fëmijën. E si hapën thesaret e tyre, i ofruan atij dhurata: ar dhe temjan, dhe mirrë.
12 Dhe duke u paralajmëruar në ëndërr për të mos u kthyer te Herodi, u larguan drejt vendit të tyre përmes një rruge tjetër.
13 Tani, kur ata u larguan, ja, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit, duke thënë: "Çohu, merr me vete fëmijën dhe nënën e tij dhe ik për Egjipt. Dhe rri atje derisa të të them unë, sepse Herodi synon ta kërkojë fëmijën për ta zhdukur".
14 Dhe ai u çua, mori me vete fëmijën dhe nënën e tij natën, dhe u largua për Egjipt.
15 Dhe ndenji atje deri në fund të jetës së Herodit, që të përmbushej ajo që u tha nga Zoti nëpërmjet profetit, që thotë: "Prej Egjiptit e thirra Birin tim".
16 Atëherë Herodi, kur pa se u vu në lojë nga magët, u zemërua së tepërmi dhe dërgoi e masakroi të gjithë fëmijët meshkuj që ishin në Betlehem dhe deri në të gjithë kufijtë e tij, nga dy vjeç e poshtë, sipas kohës që saktësoi nga magët.
17 Atëherë u përmbush ajo që u tha nga profeti Jeremia, që thotë:
18 "Një zë u dëgjua në Rama, gjëmë dhe qarje, dhe shumë vajtim: Rakela, duke qarë fëmijët e saj dhe nuk donte të ngushëllohej, sepse nuk janë më."
19 Tani, kur vdiq Herodi, ja, një engjëll i Zotit iu shfaq në ëndërr Jozefit në Egjipt,
20 duke thënë: "Çohu, merre me vete fëmijën dhe nënën e tij dhe shko në tokën e Izraelit, sepse ata që kërkonin jetën e fëmijës kanë vdekur".
21 Dhe ai u çua, mori me vete fëmijën dhe nënën e tij, dhe erdhi në tokën e Izraelit.
22 Por kur dëgjoi se Arkelau mbretëronte në Judé në vend të Herodit, të të atit, u frikësua që të shkonte atje dhe, si u paralajmërua në ëndërr, u largua në rajonet e Galilesë.
23 Dhe erdhi e banoi në një qytet që quhet Nazaret, me qëllim që të përmbushej ajo që u tha nëpërmjet profetëve, se do të thirret "nazaretas".
Të gjithë librat
