Ungjilli sipas Mateut 19
1 Dhe ndodhi që, kur Jezusi i mbaroi këto fjalë, lëvizi nga Galileja dhe erdhi në kufijtë e Judesë, matanë Jordanit;
2 dhe turma të mëdha e ndoqën dhe ai i shëroi atje.
3 Edhe farisenjtë erdhën pranë tij, duke e sprovuar dhe duke i thënë: "A është e lejueshme për një njeri që ta lëshojë gruan e vet për çfarëdo arsyeje?".
4 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: "A nuk e keni lexuar se ai që i bëri nga fillimi, i bëri ata mashkull dhe femër,
5 dhe tha: 'Për këtë arsye do të lërë njeriu atin dhe nënën, dhe do të bashkohet me gruan e tij, dhe do të jenë të dy një mish i vetëm'?
6 Kështu që nuk janë më dy, por një mish i vetëm. Prandaj, çfarë Perëndia e bëri çift, njeriu mos ta ndajë".
7 Ata i thanë: "Pse, pra, Moisiu urdhëroi që t'i jepet një dokument i dëshmisë së divorcit dhe të lëshohet?".
8 Jezusi u tha: "Për shkak të zemërngurtësisë suaj Moisiu ju lejoi të lëshoni gratë tuaja, por nga fillimi nuk ka qenë kështu.
9 Dhe po ju them se cilido që ta lëshojë gruan e vet, përveçse për kurvëri, dhe të martohet me një tjetër, bën kurorëshkelje; dhe ai që martohet me një grua që është lëshuar, bën kurorëshkelje".
10 Dishepujt e tij i thanë: "Nëse kështu është puna e njeriut me gruan, nuk ia leverdis për t'u martuar!".
11 Por ai u tha: "Nuk e pranojnë të gjithë këtë fjalë, por ata të cilëve u është dhënë.
12 Sepse ka eunukë të cilët u lindën kështu prej barkut të nënës dhe ka eunukë të cilët u bënë eunukë nga njerëzit, dhe ka eunukë të cilët e bënë veten e vet eunukë për shkak të Mbretërisë së Qiejve. Ai që mundet për ta pranuar, ta pranojë".
13 Atëherë i sollën pranë Jezusit disa fëmijë, me qëllim që të vinte duart mbi ta dhe të lutej, por dishepujt i qortuan ata që i sollën.
14 Por Jezusi tha: "Lërini fëmijët dhe mos i pengoni ata që të vijnë tek unë, sepse e të tillëve është Mbretëria e Qiejve."
15 Dhe si vuri duart mbi ta, u largua prej aty.
16 Dhe ja, erdhi njëri pranë Jezusit dhe i tha: "O mësues i mirë, çfarë të mire duhet të bëj që të kem jetë të përjetshme?".
17 Dhe Jezusi i tha: "Pse më thua 'i mirë'? Asnjë nuk është i mirë, përveç njërit: Perëndisë. Por nëse dëshiron që të hysh në jetë, mbaj urdhërimet."
18 Ai i tha: "Cilat?". Dhe Jezusi tha: "Atë që thotë nuk do të vrasësh, nuk do të bësh kurorëshkelje, nuk do të vjedhësh, nuk do të bësh dëshmi të rreme,
19 ndero atin tënd dhe nënën; edhe do ta duash të afërmin tënd si veten tënde".
20 I riu i tha: "Të gjitha këto i zbatova që prej rinisë sime. Çfarë më mungon ende?".
21 Jezusi i tha: "Nëse dëshiron që të jesh i përsosur, shko dhe shit ato që të përkasin dhe jepua të varfërve, dhe do të kesh një thesar në qiej; dhe eja e më ndiq".
22 Por i riu, kur dëgjoi këtë fjalë, u largua i trishtuar, sepse kishte prona të shumta.
23 Dhe Jezusi u tha dishepujve të tij: "Me të vërtetë po ju them se një i pasur do të hyjë me vështirësi në Mbretërinë e Qiejve.
24 E përsëri po ju them: më e lehtë është që një deve të kalojë përmes një vrime gjilpëre, sesa një i pasur të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë".
25 Dhe kur e dëgjuan këtë dishepujt e tij, po çuditeshin jashtëzakonisht, duke thënë: "Atëherë, kush mundet që të shpëtohet?".
26 Dhe Jezusi, duke ua ngulur sytë, u tha: "Për njerëzit kjo është e pamundshme, por për Perëndinë të gjitha janë të mundshme".
27 Atëherë Pjetri, duke u përgjigjur, i tha: "Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm; atëherë, çfarë do të ketë për ne?".
28 Dhe Jezusi u tha: "Me të vërtetë po ju them se në rilindjen e botës, kur të ulet Biri i Njeriut mbi fron të lavdisë së tij, ju që më ndoqët do të uleni edhe ju mbi dymbëdhjetë frone, duke gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.
29 Dhe kushdo që la shtëpi apo vëllezër, apo motra, apo atë, apo nënë, apo grua, apo fëmijë, apo arë për shkak të emrit tim, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme.
30 Por shumë të parë do të jenë të fundit dhe të fundit të parë".
Të gjithë librat
