Ungjilli sipas Mateut 18
1 Në atë orë erdhën pranë Jezusit dishepujt, duke thënë: "Kush, vallë, është më i madh në Mbretërinë e Qiejve?".
2 Dhe Jezusi, si thirri pranë një fëmijë, e vendosi në mes të tyre
3 dhe tha: "Me të vërtetë po ju them, po të mos ktheheni dhe të bëheni si fëmijët, nuk do të hyni fare në Mbretërinë e Qiejve.
4 Cilido, pra, që ta përulë vetveten si ky fëmijë, ky njeri është më i madhi në Mbretërinë e Qiejve.
5 Dhe cilido që të pranojë një fëmijë të tillë për arsye të emrit tim, më pranon mua.
6 Por cilido që të shkandullojë një prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua, i leverdis më mirë që t'i varet mbi qafë një gur mulliri që e tërheq gomari dhe të fundoset në thellësinë e detit.
7 Mjerë bota për shkandujt! Se është e nevojshme që të vijnë shkandujt; veçse mjerë ai njeri nëpërmjet të cilit vjen shkandulli!
8 Por nëse dora jote apo këmba jote të shkandullon, priti dhe flaki nga ti! Më mirë është për ty që të hysh në jetë i çalë ose i gjymtuar, sesa, duke pasur dy duar apo dy këmbë, të hidhesh në zjarrin e përjetshëm.
9 Dhe nëse syri yt të shkandullon, nxirre dhe flake nga ti! Më mirë është për ty që të hysh në jetë me një sy, sesa, duke pasur dy sy, të hidhesh në Gehenën e zjarrit.
10 Shikoni të mos përçmoni njërin prej këtyre të vegjëlve, sepse po ju them se engjëjt e tyre në qiej e shohin vazhdimisht fytyrën e Atit tim që është në qiej.
11 Se Biri i Njeriut erdhi për të shpëtuar atë që ka humbur.
12 Çfarë mendoni ju? Po të ketë një njeri njëqind dele dhe njëra prej tyre të humbë rrugën, a nuk i lë të nëntëdhjetenëntat në male dhe shkon e kërkon atë që ka humbur rrugën?
13 Dhe po të ndodhë që ta gjejë, me të vërtetë po ju them se gëzohet për atë më tepër sesa për të nëntëdhjetenëntat që nuk kishin humbur rrugën.
14 Kështu, nuk është vullneti i Atit tuaj që është në qiej që të humbasë një prej këtyre të vegjëlve.
15 Tani, po të mëkatojë vëllai yt ndaj teje, shko e qortoje vetëm për vetëm. Po të të dëgjojë, e fitove vëllain tënd.
16 Por po të mos të dëgjojë, merr me vete edhe një ose dy veta, që çdo thënie të qëndrojë me gojën e dy ose tre dëshmitarëve.
17 Dhe po t'i shpërfillë ata, thuaja kishës. Dhe po ta shpërfillë edhe kishën, të jetë për ty sikurse pagani dhe tagrambledhësi.
18 Me të vërtetë po ju them: gjithë sa të lidhni mbi tokë, do të jetë lidhur në qiell dhe gjithë sa të zgjidhni mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiell.
19 Përsëri po ju them se po të bien në ujdi dy prej jush mbi tokë, për çdo gjë që do të kërkojnë, ajo do t'u bëhet nga Ati im që është në qiej.
20 Sepse aty ku dy ose tre janë mbledhur në emrin tim, aty jam unë në mes tyre".
21 Atëherë, Pjetri erdhi pranë tij dhe tha: "Zot, sa herë do të mëkatojë ndaj meje vëllai im dhe unë duhet ta fal atë? Deri shtatë herë?".
22 Jezusi i tha: "Nuk të them deri shtatë herë, por deri shtatëdhjetë herë shtatë.
23 Për këtë arsye Mbretëria e Qiejve i ngjason një mbreti i cili deshi të shkoqitë llogaritë me skllevërit e tij.
24 Dhe ndërsa ai filloi të shkoqitë llogaritë, u soll para tij një borxhli që i detyrohej dhjetë mijë talenta.
25 Por duke mos pasur mundësi për t'ia shlyer borxhin, zotëria i tij urdhëroi që të shitej ai dhe gruaja e tij, dhe fëmijët, dhe të gjitha sa kishte; dhe kështu të shlyhej borxhi.
26 Atëherë skllavi, duke rënë përtokë, binte përmbys para tij duke thënë: 'Zotëri, ki durim me mua dhe do të t'i shlyej të gjitha!'.
27 Dhe zotëria i atij skllavi, duke pasur dhembshuri, e liroi dhe ia fali borxhin.
28 Por ai skllav, si doli, gjeti një nga shokët e tij skllevër, i cili i detyrohej njëqind denarë dhe duke e mbërthyer, po e mbyste duke thënë: 'Ma shlyej çfarë më detyrohesh!'.
29 Atëherë, duke rënë te këmbët e tij, shoku i tij skllav i përgjërohej duke thënë: 'Ki durim me mua dhe do të t'i shlyej të gjitha'.
30 Por ai nuk donte; përkundrazi, shkoi dhe e hodhi në burg, derisa të shlyente atë që i detyrohej.
31 Tani, kur panë shokët e tij skllevër ato që ndodhën, u trishtuan jashtëzakonisht dhe erdhën e ia shtjelluan zotërisë së tyre të gjitha ato që ndodhën.
32 Atëherë zotëria i tij, si e thirri pranë, i tha: 'O skllav i lig! Të gjithë atë borxh ta fala ngaqë m'u përgjërove;
33 a nuk duhej edhe ti ta mëshiroje shokun tënd skllav, ashtu si edhe unë të mëshirova ty?'.
34 Dhe zotëria i tij u zemërua dhe ua dorëzoi torturuesve, derisa të kishte shlyer të gjithë atë që i detyrohej.
35 Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im qiellor, po të mos ia falni nga zemrat tuaja secili vëllait të vet shkeljet e tij".
Të gjithë librat
