Ungjilli sipas Mateut 16
1 Dhe kur erdhën pranë Jezusit farisenjtë dhe saducenjtë, që ta sprovonin, i kërkuan që t'u tregonte një shenjë prej qiellit.
2 Por ai, duke u përgjigjur, u tha: "Ndërsa bëhet mbrëmje thoni: 'Do të jetë mot i mirë, sepse kuqëlon qielli.'
3 Dhe në mëngjes thoni: 'Sot do të bëjë stuhi, sepse qielli kuqëlon dhe është duke u vrenjtur'. Hipokritë! Vërtet dini të dalloni pamjen e qiellit, ndërsa shenjat e kohëve nuk jeni në gjendje t'i dalloni?
4 Një brez i lig dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por atij shenjë nuk do t'i jepet, në mos shenja e profetit Joná". Dhe i la ata e u largua.
5 Dhe kur erdhën dishepujt e tij në anën tjetër të detit, harruan që të marrin bukë.
6 Dhe Jezusi u tha: "Hapni sytë dhe bëni kujdes nga tharmi i farisenjve dhe i saducenjve!".
7 Dhe ata nisën të diskutonin ndër vete duke thënë: "E ka fjalën që nuk morëm bukë".
8 Por duke e ditur këtë, Jezusi u tha: "Pse diskutoni ndër vete, o besimpakë, që nuk morët bukë?
9 Ende nuk e merrni vesh dhe as nuk i kujtoni të pesë bukët e të pesëmijëve dhe se sa kofinë morët?
10 Dhe as nuk i kujtoni të shtatë bukët e të katërmijëve dhe sa kosha morët?
11 Si nuk e merrni vesh se nuk jua thashë këtë për bukën, por që të bëni kujdes nga tharmi i farisenjve dhe i saducenjve?!".
12 Atëherë e kuptuan se nuk tha që të bëjnë kujdes nga tharmi i bukës, por nga mësimi i farisenjve dhe i saducenjve.
13 Tani, kur Jezusi erdhi në rajonet e Cezaresë së Filipit, nisi t'i pyeste dishepujt e vet, duke thënë: "Kush thonë njerëzit se jam unë, Biri i Njeriut?".
14 Dhe ata thanë: "Disa 'Gjon Pagëzori', të tjerë 'Elia', ndërsa të tjerë 'Jeremia ose një nga profetët'".
15 Ai u tha: "Po ju, kush thoni se jam unë?".
16 Dhe Simon Pjetri, duke u përgjigjur, tha: "Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë".
17 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: "I lum je, o Simon Bar-Jona, se këtë nuk ta zbuloi mishi dhe gjaku, por Ati im që është në qiej.
18 Dhe edhe unë po të them se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb do të ndërtoj kishën time, dhe portat e Hadesit nuk do të ngadhënjejnë mbi të.
19 Dhe do të të jap ty çelësat e Mbretërisë së Qiejve dhe çfarëdo që të lidhësh mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej dhe çfarëdo që të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej."
20 Atëherë u dha urdhër dishepujve të tij që askujt të mos i thoshin se ai është Jezusi, Krishti.
21 Që atëherë Jezusi filloi t'u tregojë dishepujve të tij se ai duhet të shkojë në Jerusalem dhe të vuajë shumë nga pleqtë dhe kryepriftërinjtë, dhe skribët; dhe të vritet e të tretën ditë të ngjallet.
22 Dhe Pjetri, duke e marrë veç, filloi ta qortonte duke thënë: "Perëndia qoftë i mëshirshëm me ty, o Zot! Kjo nuk do të të ndodhë kurrë!".
23 Por ai, duke u kthyer, i tha Pjetrit: "M'u hiq sysh, Satan! Ti je shkandull për mua, sepse nuk ke në mend gjërat e Perëndisë, por gjërat e njerëzve".
24 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të tij: "Nëse dikush dëshiron që të vijë mbas meje, të mohojë vetveten dhe të mbartë kryqin e vet, dhe të më ndjekë.
25 Sepse cilido që të dojë që ta shpëtojë jetën e vet, do ta humbë; por cilido që ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë.
26 Sepse çfarë i leverdis njeriut po të fitojë tërë botën dhe ta bjerrë jetën e vet? Ose çfarë do të japë njeriu në këmbim të jetës së vet?
27 Sepse Biri i Njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet, dhe atëherë do ta shpërblejë secilin sipas veprimtarisë së vet.
28 Me të vërtetë po ju them: janë disa nga ata që qëndrojnë këtu, të cilët nuk do të provojnë aspak vdekje, derisa të shikojnë Birin e Njeriut duke ardhur në mbretërimin e vet".
Të gjithë librat
