Ungjilli sipas Mateut 11
1 Dhe ndodhi që, kur Jezusi mbaroi së udhëzuari dymbëdhjetë dishepujt e tij, u zhvendos prej aty për të mësuar dhe për të predikuar në qytetet e tyre.
2 Tani, kur Gjoni dëgjoi në burg për veprat e Krishtit, dërgoi dy nga dishepujt e vet dhe
3 i tha: "Ti je ai që vjen, apo duhet të presim një tjetër?".
4 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha: "Shkoni e njoftojani Gjonit ato që po dëgjoni dhe po shihni:
5 të verbër po shohin përsëri dhe të çalë po ecin; të lebrosur po pastrohen dhe të shurdhër po dëgjojnë; të vdekur po ngjallen dhe të varfërve po u shpallet lajmi i mirë.
6 Dhe i lum është cilido që nuk shkandullohet me mua!".
7 Tani, ndërsa këta shkuan, Jezusi filloi t'u thoshte turmave për Gjonin: "Çfarë dolët për të vështruar në shkreti? Një kallam që lëkundet nga era?
8 Po çfarë dolët për të parë? Një njeri që ishte veshur me rroba të buta? Ja, ata që veshin rroba të buta janë në shtëpitë e mbretërve.
9 Po pse dolët? Për të parë një profet? Po, po ju them, edhe më tepër sesa një profet.
10 Se ky është ai për të cilin është shkruar: 'Ja, unë po dërgoj lajmëtarin tim para fytyrës sate, i cili do të gatisë udhën tënde përpara teje'.
11 Me të vërtetë po ju them se ndër të lindur prej grave nuk ka dalë një më i madh sesa Gjon Pagëzori; por më i vogli në Mbretërinë e Qiejve është më i madh se ai.
12 Dhe që nga ditët e Gjon Pagëzorit e deri tani, Mbretëria e Qiejve dhunohet dhe dhunuesit e rrëmbejnë.
13 Se të gjithë profetët dhe Ligji profetizuan deri te Gjoni.
14 E, nëse doni ta pranoni, ai vetë është Elia, ai që do të vijë.
15 Ai që ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!
16 Por me çfarë do ta krahasoj këtë brez? Është i ngjashëm me fëmijët që rrinë ulur në sheshe dhe u bëjnë zë shokëve të tyre,
17 dhe thonë: 'I ramë fyellit për ju dhe nuk vallëzuat; bëmë gjëmë për ju dhe nuk rrahët gjoksin'.
18 Sepse erdhi Gjoni, as duke ngrënë e as duke pirë, dhe thonë: 'Ka një demon!'.
19 Erdhi Biri i Njeriut duke ngrënë dhe duke pirë, dhe thonë: 'Ja një njeri grykës dhe pijanec, mik i tagrambledhësve dhe i mëkatarëve!'. Megjithatë, urtësia përligjet nga fëmijët e saj".
20 Atëherë filloi të qortojë qytetet në të cilat u bënë veprat e tij më të shumta të fuqisë, sepse ato nuk u penduan:
21 "Mjerë ti, o Korazin! Mjerë ti, o Betsaidë! Sepse sikur në Tir dhe Sidon të ishin bërë veprat e fuqisë që u bënë në ju, qëmoti do të ishin penduar me thes dhe me hi.
22 Megjithatë po ju them se për Tirin dhe Sidonin do të jetë më e durueshme në ditën e gjykimit sesa për ju.
23 Dhe ti, o Kapernaum, që u lartësove deri në qiell, deri në Hades do të zbritesh poshtë, sepse sikur në Sodomë të ishin bërë veprat e fuqisë që u bënë në ty, ajo do të kishte mbetur deri ditën e sotme.
24 Megjithatë po ju them se për tokën e Sodomës do të jetë më e durueshme në ditën e gjykimit sesa për ty".
25 Në atë kohë Jezusi mori fjalën e tha: "Të lavdëroj, o Atë, Zot i qiellit dhe i tokës, se i fshehe këto gjëra nga të urtët dhe të zgjuarit dhe ua zbulove foshnjave.
26 Po, o Atë, sepse kështu qe e pëlqyeshme përpara teje.
27 Të gjitha m'u dorëzuan mua nga Ati im; dhe asnjë nuk e njeh Birin përveç Atit, dhe as Atin nuk e njeh kush përveç Birit, dhe cilitdo që Biri të dojë për t'ia zbuluar.
28 Ejani tek unë, të gjithë ju të munduar dhe të ngarkuar, dhe unë do t'ju jap prehje.
29 Merrni mbi vete zgjedhën time dhe mësoni nga unë, sepse jam i butë dhe i përulur në zemër, dhe ju do të gjeni prehje për shpirtrat tuaja.
30 Se zgjedha ime është e mirë dhe barra ime është e lehtë!".
Të gjithë librat
