Ungjilli sipas Mateut 10
1 Dhe si thirri pranë dymbëdhjetë dishepujt e tij, u dha pushtet mbi frymëra të ndyra, në mënyrë që t'i dëbojnë ato dhe të shërojnë çdo sëmundje dhe çdo ligështi.
2 Tani, emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari, Simoni (ai që thirrej Pjetër), dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi, i biri i Zebedeut, dhe Gjoni, vëllai i tij;
3 Filipi dhe Bartolomeu, Thomai dhe Mateu (tagrambledhësi); Jakobi, i biri i Alfeut, dhe Lebeu, i mbiquajtur Tade;
4 Simon Zeloti dhe Juda Iskarioti, ai që edhe e tradhtoi.
5 Këta të dymbëdhjetë i dërgoi Jezusi pasi i porositi duke thënë: "Të mos shkoni në rrugë të kombeve dhe të mos hyni në ndonjë qytet të samaritanëve;
6 por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.
7 Dhe ndërsa shkoni, predikoni duke thënë: 'Mbretëria e Qiejve është afruar'.
8 Shëroni të lënguar, pastroni të lebrosur, ngjallni të vdekur, dëboni demonë; falas morët, falas jepni.
9 Të mos merrni ar dhe as argjend, dhe as bakër në brezat tuaj;
10 as trastë për rrugë dhe as dy tunika, dhe as sandale, dhe as shkopinj; sepse punëtori është i denjë për ushqimin e tij.
11 Dhe në cilindo qytet apo fshat që të hyni, pyesni se kush është i denjë në atë vend dhe rrini aty derisa të dilni.
12 Dhe duke hyrë në shtëpi, përshëndetini.
13 Dhe po të jetë vërtet shtëpia e denjë, paqja juaj le të vijë mbi të; por po të mos jetë e denjë, paqja juaj le të kthehet te ju.
14 Dhe cilido që të mos ju presë dhe as të mos dëgjojë fjalët tuaja, duke dalë jashtë shtëpisë apo jashtë atij qyteti, shkundni pluhurin e këmbëve tuaja.
15 Me të vërtetë po ju them: në ditën e gjykimit do të jetë më e durueshme për tokën e Sodomës dhe të Gomorrës sesa për atë qytet.
16 Ja, unë ju dërgoj si dele në mes të ujqve; bëhuni, pra, të mençur si gjarpërinjtë dhe të thjeshtë si pëllumbat.
17 Por bëni kujdes nga njerëzit, sepse do t'ju dorëzojnë në sinedra dhe do t'ju fshikullojnë në sinagogat e tyre;
18 madje edhe para qeveritarëve dhe mbretërve do të çoheni për shkakun tim, për dëshmi ndaj tyre dhe ndaj kombeve.
19 Por kur t'ju dorëzojnë, të mos shqetësoheni se si apo çfarë të flisni, sepse do t'ju jepet në atë çast se çfarë do të flisni.
20 Sepse nuk jeni ju ata që flasin, por është Fryma e Atit tuaj që flet në ju.
21 Por do ta dorëzojë vëllai vëllain për vdekje dhe ati fëmijën; dhe do të ngrihen fëmijët kundër prindërve dhe do t'i çojnë në vdekje.
22 Dhe do të jeni të urryer nga të gjithë për shkak të emrit tim; por ai që ngulmoi deri në fund, ky do të shpëtohet.
23 Por, kur t'ju përndjekin në këtë qytet, ikni te tjetri, sepse me të vërtetë po ju them se nuk do të përfundoni së përshkuari aspak qytetet e Izraelit, derisa të vijë Biri i Njeriut.
24 Dishepulli nuk është përmbi mësuesin dhe as skllavi përmbi zotërinë e tij.
25 I mjafton dishepullit që të bëhet si mësuesi i tij dhe skllavi të bëhet si zotëria i tij. Nëse të zotin e shtëpisë e thirrën Beelzebub, sa më tepër do t'i thërrasin kështu shtëpiakët e tij!
26 Prandaj, mos i kini frikë ata, sepse nuk ka asgjë që është e mbuluar, e cila nuk do të zbulohet dhe asgjë e fshehtë e cila nuk do të bëhet e njohur.
27 Çfarë ju them në errësirë, thuajeni në dritë dhe çfarë dëgjoni të pëshpëritur në vesh, shpalleni mbi tarraca.
28 Dhe mos kini frikë nga ata që vrasin trupin, por nuk mund ta vrasin shpirtin; por kini frikë më tepër atë që mund të shkatërrojë edhe shpirtin, edhe trupin në Gehenë.
29 A nuk shiten dy harabela për një asarion? E megjithatë, as edhe një prej tyre nuk do të bjerë mbi tokë pa lejen e Atit tuaj.
30 Por edhe fijet e flokëve të kokës suaj janë numëruar të gjitha.
31 Pra, mos kini frikë! Ju vleni më tepër se shumë harabela.
32 Prandaj, kushdo që do të më rrëfejë mua përpara njerëzve, edhe unë do ta rrëfej atë përpara Atit tim që është në qiej.
33 Por cilido që të më mohojë mua përpara njerëzve, edhe unë do ta mohoj atë përpara Atit tim që është në qiej.
34 Të mos kujtoni se erdha për të sjellë paqe mbi tokë. Nuk erdha për të sjellë paqe, por shpatë.
35 Sepse erdha për të vënë njeriun kundër atit të vet dhe bijën kundër nënës së vet, dhe nusen kundër vjehrrës së vet;
36 dhe armiq të njeriut do të jenë shtëpiakët e tij.
37 Ai që do atin ose nënën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua; dhe ai që do birin ose bijën më shumë se mua, nuk është i denjë për mua.
38 Dhe ai që nuk merr kryqin e vet dhe nuk më ndjek pas, nuk është i denjë për mua.
39 Ai që e gjeti jetën e vet, do ta humbasë; dhe ai që e humbi jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë.
40 Ai që ju pranon ju, më pranon mua; dhe ai që më pranon mua, pranon atë që më dërgoi mua.
41 Ai që pranon një profet sepse ky është profet, do të marrë shpërblim profeti; dhe ai që pranon një të drejtë sepse ky është i drejtë, do të marrë shpërblim të drejti.
42 Dhe cilido që t'i japë të pijë njërit prej këtyre të vegjëlve vetëm një gotë ujë të ftohtë, sepse ky është dishepull, me të vërtetë po ju them: nuk do ta humbasë aspak shpërblimin e vet".
Të gjithë librat
