Ungjilli sipas Mateut 6
1 Kini mendjen të mos e jepni lëmoshën tuaj përpara njerëzve, për t'u vështruar prej tyre, përndryshe nuk keni shpërblim para Atit tuaj që është në qiej.
2 Prandaj, kurdo që të japësh lëmoshë, të mos e trumbetosh përpara teje, sikurse bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugë, me qëllim që të lëvdohen nga njerëzit. Me të vërtetë po ju them: ata e kanë marrë plotësisht shpërblimin e tyre.
3 Por ndërsa ti jep lëmoshë, mos ta dijë e majta jote se çfarë bën e djathta jote,
4 me qëllim që lëmosha jote të bëhet në fshehtësi; dhe Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë haptas.
5 Dhe kurdo që të lutesh, nuk duhet të jesh sikurse hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten duke qëndruar në këmbë në sinagoga dhe në qoshet e rrugëve të gjera, me qëllim që të duken para njerëzve; me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë plotësisht shpërblimin e tyre.
6 Por ti, kurdo që të lutesh, hyr në kthinën tënde dhe pasi ke mbyllur derën tënde, lutju Atit tënd që është në fshehtësi; dhe Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë haptas.
7 Dhe duke u lutur, të mos dërdëllitni sikurse popujt e kombeve, sepse ata pandehin se do të dëgjohen për shkak të fjalëve të tyre të shumta.
8 Prandaj, të mos u ngjani atyre, sepse Ati juaj i di ato që keni nevojë, përpara se ju t'ia kërkoni.
9 Pra, ju lutuni kështu: 'Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.
10 Ardhtë mbretëria jote, u bëftë vullneti yt, siç është në qiell, edhe mbi tokë.
11 Bukën tonë të përditshme na e jep sot.
12 Dhe na i fal borxhet tona, siç edhe ne ua falim borxhlinjve tanë.
13 Dhe të mos na shtiesh në sprovë, por na çliro nga i ligu; sepse jotja është mbretëria dhe fuqia, dhe lavdia në shekuj. Amen'.
14 Sepse po t'ua falni njerëzve shkeljet e tyre, edhe juve do t'jua falë shkeljet Ati juaj qiellor.
15 Por po të mos ua falni njerëzve shkeljet e tyre, as Ati juaj nuk do të falë shkeljet tuaja.
16 Dhe kurdo që të agjëroni, mos u bëni të vrenjtur sikurse hipokritët, sepse ata i shformojnë fytyrat e tyre, me qëllim që t'u shfaqen njerëzve duke agjëruar. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë plotësisht shpërblimin e tyre.
17 Por ti, kur agjëron, vajose kokën tënde dhe laje fytyrën tënde,
18 me qëllim që të mos u shfaqesh njerëzve duke agjëruar, por Atit tënd që është në fshehtësi; dhe Ati yt që sheh në fshehtësi, do të të shpërblejë haptas.
19 Mos grumbulloni për veten tuaj thesare mbi tokë, ku prish tenja dhe ndryshku, dhe ku vjedhësit thyejnë e vjedhin.
20 Por grumbulloni për veten tuaj thesare në qiell, ku as tenja, as ndryshku nuk prishin, dhe ku vjedhësit nuk thyejnë dhe nuk vjedhin.
21 Sepse ku është thesari juaj, aty do të jetë edhe zemra juaj.
22 Kandili i trupit është syri. Prandaj po të jetë syri yt i kthjellët, i tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar.
23 Por po të jetë syri yt i lig, i tërë trupi yt do të jetë i errët. Pra, nëse drita që është në ty është errësirë, sa e madhe që është errësira!
24 Asnjë nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve, sepse ose do të urrejë njërin dhe tjetrin do ta dojë, ose do të kapet mbas njërit dhe tjetrin do ta përçmojë. Ju nuk mund t'i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.
25 Për këtë arsye po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj, se çfarë të hani dhe çfarë të pini, dhe as për trupin tuaj se çfarë të vishni. A nuk është jeta më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja?
26 Hidhni sytë nga zogjtë e qiellit, që nuk mbjellin dhe nuk korrin, dhe nuk mbledhin në hambarë; megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më tepër se ata?
27 Dhe kush prej jush, duke u shqetësuar, mund t'i shtojë një ditë jetëgjatësisë së vet?
28 Dhe për veshje pse shqetësoheni? Vëzhgoni lulet e fushës se si rriten; ato nuk mundohen dhe nuk endin,
29 por po ju them se as edhe Solomoni, në gjithë lavdinë e tij, nuk u vesh si një nga këto.
30 Tani, nëse barin e fushës, që sot është dhe nesër hidhet në furrë, Perëndia e vesh kështu, a nuk do t'ju veshë shumë më tepër ju, o besimpakë?
31 Prandaj, të mos shqetësoheni duke thënë: 'çfarë të hamë?' apo 'çfarë të pimë?', apo 'çfarë të veshim?'.
32 Se të gjitha këto i kërkojnë kombet; se Ati juaj qiellor e di që keni nevojë për të gjitha këto.
33 Por kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë dhe drejtësinë e tij, dhe këto të gjitha do t'ju shtohen.
34 Pra, të mos shqetësoheni për të nesërmen, sepse e nesërmja do të shqetësohet për gjërat e veta. I mjafton ditës e keqja e vet.
Të gjithë librat
