Ungjilli sipas Mateut 5
1 Tani, kur Jezusi pa turmat, u ngjit në mal; dhe ndërsa ai u ul aty, i erdhën pranë dishepujt e tij.
2 Dhe ai hapi gojën e nisi t'i mësonte, duke thënë:
3 "Lum të varfrit në frymë, sepse e tyre është Mbretëria e Qiejve.
4 Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen.
5 Lum të butët, sepse ata do të trashëgojnë tokën.
6 Lum ata që kanë uri dhe që kanë etje për drejtësinë, sepse ata do të ngopen.
7 Lum të mëshirshmit, sepse ata do të mëshirohen.
8 Lum të pastrit në zemër, sepse ata do të shikojnë Perëndinë.
9 Lum paqebërësit, sepse ata do të thirren bij të Perëndisë.
10 Lum ata që janë përndjekur për shkak të drejtësisë, sepse e tyre është Mbretëria e Qiejve.
11 Të lumë jeni ju kur t'ju shajnë dhe t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, të thonë çdo thënie të ligë kundër jush për shkakun tim.
12 Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej; sepse kështu i përndoqën profetët që qenë para jush.
13 Ju jeni kripa e tokës; por po të amështohet kripa, me çfarë do të kripet? Për asgjë nuk vlen më, në mos që të hidhet jashtë dhe të shkelet nga njerëzit.
14 Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet një qytet që shtrihet përmbi mal.
15 Dhe as nuk ndezin një kandil dhe e vënë nën magje, por e vënë mbi kandiler, dhe atëherë u jep dritë gjithë atyre në shtëpi.
16 Kështu duhet të rrezatojë drita juaj përpara njerëzve, me qëllim që të shikojnë veprat tuaja të mira dhe të lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej.
17 Të mos kujtoni se erdha për të shfuqizuar Ligjin apo Profetët; nuk erdha për t'i shfuqizuar, por për t'i përmbushur.
18 Se me të vërtetë po ju them: derisa të kalojë qielli dhe toka, as edhe një jotë apo një pikë nga Ligji nuk do të kalojë aspak, derisa të bëhen të gjitha.
19 Prandaj, cilido që të zhbëjë një nga më të voglat e këtyre urdhërimeve dhe t'i mësojë kështu njerëzit, do të thirret më i vogli në Mbretërinë e Qiejve; por cilido që t'i zbatojë dhe t'i mësojë të tjerët, ky do të thirret i madh në Mbretërinë e Qiejve.
20 Sepse po ju them se po të mos e tejkalojë drejtësia juaj atë të skribëve dhe të farisenjve, nuk do të hyni fare në Mbretërinë e Qiejve.
21 Dëgjuat se iu tha të moçmëve: 'nuk do të vrasësh', dhe 'cilido që të vrasë, do të jetë fajtor për gjyq'.
22 Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të tij pa shkak, do të jetë fajtor për gjyq, dhe cilido që t'i thotë vëllait të tij 'raká', do të jetë fajtor për sinedër, dhe cilido që t'i thotë, 'o i marrë', do të jetë fajtor për Gehenën e zjarrit.
23 Prandaj, po të ofrosh dhuratën tënde mbi altar dhe atje të kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje,
24 lëre atje përpara altarit dhuratën tënde dhe shko së pari e pajtohu me vëllain tënd; dhe atëherë eja e ofro dhuratën tënde.
25 Mirëkuptohu shpejt me kundërshtarin tënd, ndërsa je në rrugë me të, se mos kundërshtari të të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi të të dorëzojë te roja dhe ti të hidhesh në burg.
26 Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh aspak prej aty, derisa të kesh shlyer qindarkën e fundit.
27 Dëgjuat se iu tha të moçmëve: 'nuk do të bësh kurorëshkelje'.
28 Por unë po ju them: kushdo që sheh një grua për ta dëshiruar, bëri tashmë kurorëshkelje me të në zemrën e vet.
29 Por nëse syri yt i djathtë të shkandullon, nxirre dhe flake nga ti; sepse të leverdis më mirë që të humbasësh një prej gjymtyrëve të tua, sesa të hidhet tërë trupi yt në Gehenë.
30 Dhe nëse dora jote e djathtë të shkandullon, prite dhe flake nga ti; sepse të leverdis më mirë që të humbasësh një prej gjymtyrëve të tua, sesa të hidhet tërë trupi yt në Gehenë.
31 Dhe është thënë: 'cilido që ta lëshojë gruan e vet, t'i japë asaj dëshminë e divorcit'.
32 Por unë po ju them: cilido që ta lëshojë gruan e vet, përveç për çështje kurvërie, e bën atë që të bëjë kurorëshkelje; dhe cilido që të martohet me një që është lëshuar, bën kurorëshkelje.
33 Përsëri dëgjuat se iu tha të moçmëve: 'nuk do të shpërbetohesh, por do të përmbushësh betimet e tua ndaj Zotit'.
34 Por unë po ju them: të mos betoheni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë,
35 as për tokën, sepse është nënkëmbëza e këmbëve të tij, as për Jerusalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh.
36 As për kokën tënde të mos betohesh, sepse nuk je në gjendje ta bësh të bardhë apo të zezë një qime.
37 Por fjala juaj të jetë 'po' për po, 'jo' për jo; dhe çfarë shkon përtej këtyre, është prej të ligut.
38 Dëgjuat se u tha: 'sy për syrin dhe dhëmb për dhëmbin'.
39 Por unë po ju them: të mos i bëni qëndresë të ligut; përkundrazi, cilitdo që do të të qëllojë në faqen e djathtë, ktheja edhe tjetrën;
40 dhe atij që dëshiron të të hedhë në gjyq dhe të marrë tunikën tënde, lërja edhe mantelin;
41 dhe cilido që do të të shtrëngojë për të ecur një milje, shko me të dy milje.
42 Jepi atij që të kërkon dhe atij që dëshiron të marrë hua nga ti, të mos ia kthesh shpinën.
43 Dëgjuat se u tha: 'Do ta duash të afërmin tënd' dhe 'do ta urresh armikun tënd'.
44 Por unë po ju them: duajini armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe që ju përndjekin,
45 me qëllim që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej; sepse ai e bën të lindë diellin e tij mbi të ligj dhe të mirë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtë dhe të padrejtë.
46 Sepse po të doni ata që ju duan, çfarë shpërblimi keni? A nuk bëjnë edhe tagrambledhësit të njëjtën gjë?
47 Dhe po të përshëndetni vetëm miqtë tuaj, çfarë bëni më tepër? A nuk bëjnë edhe tagrambledhësit kështu?
48 Prandaj, ju duhet të jeni të përsosur, sikurse është i përsosur Ati juaj që është në qiej.
Të gjithë librat
