Ungjilli sipas Mateut 24
1 Dhe kur Jezusi doli, po largohej nga tempulli; dhe erdhën pranë dishepujt e tij për t'i treguar ndërtesat e tempullit.
2 Dhe Jezusi u tha: "A nuk po i shihni të gjitha këto? Me të vërtetë po ju them: nuk do të lihet fare këtu gur mbi gur që nuk do të rrëzohet".
3 Tani, ndërsa ai po rrinte ulur në Malin e Ullinjve, erdhën pranë tij dishepujt, veçmas, duke thënë: "Na thuaj, kur do të ngjasin këto gjëra dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e përfundimit të epokës?".
4 Dhe duke u përgjigjur, Jezusi u tha: "Kini kujdes të mos ju mashtrojë kush!
5 Sepse shumë do të vijnë për llogari të emrit tim duke thënë: 'Unë jam Krishti', dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.
6 Dhe ju do të dëgjoni për luftëra e ushtima luftërash; hapni sytë, mos u alarmoni, sepse të gjitha këto gjëra duhet të ndodhin, por ende nuk është fundi.
7 Sepse do të çohet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie, dhe do të ketë zi buke dhe murtajë, dhe tërmete nëpër vende të ndryshme.
8 Por të gjitha këto do të jenë fillimi i dhimbjeve të lindjes.
9 Atëherë do t'ju dorëzojnë në mundime dhe do t'ju vrasin; dhe do të jeni të urryer nga të gjitha kombet për shkak të emrit tim.
10 Dhe atëherë shumë do të shkandullohen dhe do ta tradhtojnë njëri-tjetrin e do ta urrejnë njëri-tjetrin.
11 Dhe shumë profetë të rremë do të ngrihen e do të mashtrojnë shumë njerëz.
12 Dhe për shkak të shumimit të paligjshmërisë, dashuria e të shumtëve do të ftohet.
13 Por ai që ngulmoi deri në fund, ky do të shpëtohet.
14 Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në tërë njerëzimin, për dëshmi ndaj të gjitha kombeve; dhe atëherë do të vijë fundi.
15 Prandaj, kur të shikoni neverinë e shkretimit, atë që u tha nëpërmjet profetit Daniel, duke qëndruar në Vendin e Shenjtë (ai që lexon, të kuptojë),
16 atëherë ata në Judé duhet të ikin në male;
17 ai mbi tarracë mos të zbresë për të marrë gjë prej shtëpisë së vet,
18 dhe ai në arë mos të kthehet mbrapa për të marrë rrobat e veta.
19 Por mjerë ato gra që kanë fëmijë në bark dhe ato që mëndin foshnja në ato ditë!
20 Por lutuni që ikja juaj të mos ndodhë në dimër dhe as shabat;
21 sepse atëherë do të ketë një mundim të madh, i atillë sa nuk ka ndodhur që nga fillimi i botës e deri tani, dhe as nuk do të ndodhë më.
22 E sikur të mos shkurtoheshin ato ditë, nuk do të shpëtohej asnjë mish; po për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen.
23 Atëherë, po t'ju thotë kush: 'Ja, këtu është Krishti!' apo 'atje!', mos e besoni;
24 sepse do të ngrihen krishtër të rremë e profetë të rremë, dhe do të paraqesin shenja të mëdha e çudira, aq sa të mashtrojnë, nëse është e mundur, edhe të zgjedhurit.
25 Ja, jua kam parathënë.
26 Prandaj, po t'ju thonë: 'Ja, është në shkreti!', mos dilni atje; apo 'Ja, është në kthina!', mos e besoni;
27 sepse sikurse del vetëtima nga lindja dhe ndriçon deri në perëndim, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të Njeriut.
28 Se kudo që të jetë kërma, atje do të mblidhen shkabat.
29 Dhe menjëherë mbas mundimit të atyre ditëve, dielli do të errësohet dhe hëna nuk do të japë ndriçimin e saj, dhe yjet do të bien nga qielli, dhe fuqitë e qiellit do të tunden.
30 Dhe atëherë do të shfaqet në qiell shenja e Birit të Njeriut; dhe atëherë do të rrahin gjoksin me grushte të gjitha fiset e tokës, dhe do ta shikojnë Birin e Njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.
31 Dhe ai do të dërgojë engjëjt e vet me tingull të madh borie dhe ata do të mbledhin bashkë të zgjedhurit e tij prej të katër erërave, nga njëri skaj i qiejve deri në skajin tjetër të tyre.
32 Tani, mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur dega e tij të jetë bërë tashmë e njomë dhe të nxjerrë gjethet, ju e dini se vera është afër.
33 Kështu edhe ju, kur t'i shikoni të gjitha këto, ta dini se është afër, te dera.
34 Me të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë aspak, derisa të gjitha këto të ndodhin.
35 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë kurrë.
36 Por sa për atë ditë dhe orë asnjë nuk e di, as edhe engjëjt e qiejve, përveçse vetëm Ati im.
37 Por sikurse ishin ditët e Noeut, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të Njeriut.
38 Se sikurse në ditët para Përmbytjes njerëzit ishin duke ngrënë e duke pirë, duke u martuar e duke dhënë në martesë, deri atë ditë në të cilën Noeu hyri në arkë,
39 dhe nuk kuptuan gjë, derisa erdhi përmbytja dhe i hoqi të gjithë, kështu do të jetë edhe ardhja e Birit të Njeriut.
40 Atëherë do të jenë dy burra në arë; njëri merret dhe tjetri lihet.
41 Dy gra do të jenë duke bluar në mulli; njëra merret dhe tjetra lihet.
42 Rrini zgjuar, pra, se nuk e dini në çfarë ore vjen Zoti juaj.
43 Por kuptoni këtë: sikur ta dinte i zoti i shtëpisë se në cilën rojë të natës vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte që t'i thyhej shtëpia.
44 Për këtë arsye, edhe ju jini gati, sepse në atë orë që nuk e mendoni, vjen Biri i Njeriut.
45 Kush është, vallë, ai skllav besnik dhe i mençur, të cilin e caktoi zotëria i tij mbi shërbyesit e vet për t'u dhënë ushqimin në kohë?
46 Lum ai skllav të cilin, kur të vijë zotëria i vet, do ta gjejë duke bërë kështu.
47 Me të vërtetë po ju them se do ta caktojë mbi të gjithë gjënë e vet.
48 Por po të thotë ai skllav i keq në zemrën e vet: 'Zotëria im po vonon për të ardhur!',
49 dhe të fillojë të rrahë shokët e tij skllevër, dhe të hajë e të pijë me ata që dehen,
50 zotëria i atij skllavi do të vijë në ditën që ky nuk e pret dhe në orën që ky nuk e di,
51 dhe do ta ndajë në dysh, dhe do ta vërë pjesën e tij me hipokritët. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.
Të gjithë librat
