Ungjilli sipas Mateut 14
1 Në atë kohë Herodi, tetrarku, dëgjoi për famën e Jezusit
2 dhe u tha shërbëtorëve të vet: "Ky është Gjon Pagëzori. Ai u ngjall nga të vdekurit dhe për këtë arsye veprat e fuqisë veprojnë në të".
3 Sepse Herodi, si e kapi Gjonin, e lidhi dhe e futi në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij;
4 sepse Gjoni i thoshte atij: "Nuk është e lejueshme për ty që ta kesh për grua!".
5 Dhe megjithëse dëshironte ta vriste, kishte frikë turmën, sepse atë e mbanin si profet.
6 Tani, ndërsa festohej ditëlindja e Herodit, bija e Herodiadës vallëzoi në mes të të ftuarve dhe i pëlqeu Herodit;
7 prandaj ai i premtoi asaj me betim se do t'i jepte çfarëdo që të kërkonte.
8 Dhe ajo, duke u shtyrë nga nëna e saj, i tha: "Më jep këtu mbi sini kokën e Gjon Pagëzorit".
9 Dhe mbreti u trishtua, po për shkak të betimeve dhe të atyre që ishin shtruar bashkë në banket, urdhëroi t'i jepej.
10 Dhe Herodi dërgoi e i preu kokën Gjonit në burg.
11 Dhe koka e tij u soll mbi sini dhe iu dha vashës; dhe kjo ia solli nënës së saj.
12 Dhe dishepujt e tij erdhën dhe e morën trupin, dhe e varrosën; dhe shkuan e njoftuan Jezusin.
13 Tani, kur e dëgjoi këtë, Jezusi u tërhoq prej aty me varkë në një vend të shkretë, veçmas. Dhe kur turmat dëgjuan për të, e ndoqën këmbas nga qytetet.
14 Dhe si doli nga varka, Jezusi pa një turmë të madhe dhe pati dhembshuri për ta dhe shëroi të sëmurët e tyre.
15 Tani, ndërsa u bë mbrëmje, i erdhën pranë dishepujt e tij duke thënë: "Vendi është i shkretë dhe ora tashmë kaloi; lëshoji turmat që të shkojnë në fshatra dhe të blejnë për vete ushqime".
16 Por Jezusi u tha: "Nuk kanë nevojë që të shkojnë; jepuni ju për të ngrënë".
17 Por ata i thanë: "Nuk kemi këtu asgjë, përveçse pesë bukë dhe dy peshq".
18 Dhe ai tha: "M'i sillni mua këtu".
19 Dhe si i urdhëroi turmat për t'u shtruar mbi bar, duke marrë pesë bukët dhe dy peshqit, duke ngritur sytë drejt qiellit, bekoi; dhe si i theu, ua dha bukët dishepujve dhe dishepujt turmave.
20 Dhe hëngrën të gjithë e u ngopën; dhe mbartën tepricën e copave, dymbëdhjetë kofinë plot.
21 Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, përveç grave dhe fëmijëve.
22 Dhe menjëherë, Jezusi i shtyu dishepujt e tij që të hipnin në varkë dhe t'i paraprinin në anën tjetër, derisa të lëshonte turmat.
23 Dhe si i lëshoi turmat, u ngjit në mal veçmas për t'u lutur. Dhe ndërsa u bë mbrëmje, ishte atje i vetëm;
24 ndërsa varka ishte tashmë në mes të detit duke u rrahur nga dallgët, sepse era ishte kundër.
25 Tani, rreth rojës së katërt të natës, Jezusi erdhi drejt tyre duke ecur mbi det.
26 Dhe dishepujt, kur e panë atë duke ecur mbi det, u tronditën dhe thanë: "Është fantazmë!"; dhe nga frika bërtitën.
27 Por menjëherë Jezusi u foli duke thënë: "Kurajë! Unë jam, mos u frikësoni!".
28 Dhe duke iu përgjigjur atij, Pjetri tha: "O Zot, nëse je ti, më urdhëro që të vij te ti mbi ujëra".
29 Dhe ai tha: "Eja!". Dhe si zbriti nga varka, Pjetri eci mbi ujëra për të shkuar te Jezusi.
30 Por duke parë erën e fortë, u frikësua; dhe kur filloi të fundosej, thirri duke thënë: "O Zot, më shpëto!".
31 Dhe menjëherë Jezusi zgjati dorën dhe e mbërtheu atë, dhe i tha: "O besimpak, përse dyshove?".
32 Dhe kur ata hipën në varkë, era ra.
33 Dhe ata që ishin në varkë, erdhën dhe ranë përmbys para tij, duke thënë: "Vërtet je Biri i Perëndisë!".
34 Dhe kur kaluan matanë, erdhën në bregun e Gjenesaretit.
35 Dhe kur njerëzit e atij vendi e njohën, dërguan fjalë në tërë atë rrethinë dhe i sollën pranë të gjithë ata që ishin ligsht;
36 dhe i përgjëroheshin që, të paktën, vetëm të preknin thekun e rrobës së tij; dhe gjithë sa e prekën, u shpëtuan nga sëmundjet.
Të gjithë librat
