Ungjilli sipas Mateut 12
1 Në atë kohë, në shabat, Jezusi kaloi përmes të mbjellave dhe dishepujt e tij i mori uria, dhe filluan të këpusin kallinj dhe të hanë.
2 Por farisenjtë, kur e panë këtë, i thanë: "Ja, dishepujt e tu po bëjnë çfarë nuk është e lejueshme që të bëhet në shabat".
3 Por ai u tha: "A nuk e lexuat çfarë bëri Davidi kur e mori uria atë dhe ata që ishin me të?
4 Si hyri në Shtëpinë e Perëndisë dhe hëngri bukët e paraqitjes, të cilat nuk ishte e lejueshme për t'i ngrënë as ai dhe as ata që ishin me të, me përjashtim vetëm të priftërinjve?
5 Apo nuk e lexuat në Ligj se në shabat priftërinjtë në tempull e përdhosin shabatin dhe janë të pafajshëm?
6 Por po ju them se diçka më e madhe se tempulli është këtu.
7 Dhe sikur ta dinit çfarë do të thotë 'Dua mëshirë e jo flijim', nuk do t'i kishit dënuar të pafajshmit.
8 Sepse zot edhe i shabatit është Biri i Njeriut".
9 Dhe si u zhvendos prej aty, Jezusi erdhi në sinagogën e tyre.
10 Dhe ja, ishte aty një njeri që kishte dorën të tharë. Dhe me qëllim që ta paditnin, e pyetën duke thënë: "A është e lejueshme për të shëruar shabat?".
11 Dhe ai u tha: "Kush prej jush është ai njeri i cili ka një dele dhe po të bjerë kjo në gropë në shabat, nuk do ta kapë dhe do ta ngrejë?
12 Sa më shumë, pra, vlen një njeri sesa një dele! Kështu që është e lejueshme në shabat të bësh mirë".
13 Atëherë i tha njeriut: "Shtrije dorën tënde!". Dhe ai e shtriu, dhe dora u përtëri, e shëndoshë si tjetra.
14 Dhe farisenjtë, kur dolën, morën vendim së bashku kundër tij, në mënyrë që ta zhduknin.
15 Por Jezusi, duke e ditur këtë, u tërhoq prej aty. Dhe turma të mëdha e ndoqën dhe ai i shëroi të gjithë ata;
16 dhe i paralajmëroi që të mos e bënin të njohur atë,
17 me qëllim që të përmbushej ajo që u tha nëpërmjet profetit Isaia, që thotë:
18 "Ja, shërbëtori im, të cilin e zgjodha, i dashuri im, në të cilin gjeti pëlqim shpirti im. Do të vë Frymën tim mbi të dhe kombeve do t'u njoftojë drejtësi.
19 Nuk do të grindet dhe as nuk do të bërtasë, dhe as nuk do ta dëgjojë kush zërin e tij në rrugët e gjera.
20 Kallamin që është këputur, nuk do ta thyejë dhe fitilin që tymos, nuk do ta shuajë, derisa ta çojë drejtësinë në fitore;
21 dhe emrin e tij do të shpresojnë kombe".
22 Atëherë u soll pranë Jezusit një i demonizuar, që ishte i verbër dhe memec, dhe ai e shëroi, kështu që njeriu i verbër dhe memec arriti edhe të flasë edhe të shohë.
23 Dhe gjithë turmat po shastiseshin dhe po thoshin: "A mos është ky Krishti, Biri i Davidit?".
24 Por farisenjtë, kur dëgjuan këtë, thanë: "Ky nuk i dëbon demonët veçse me anë të Beelzebulit, kreut të demonëve".
25 Por Jezusi, duke ditur mendimet e tyre, u tha: "Çdo mbretëri që është e ndarë në vetvete, shkretohet; dhe çdo qytet apo shtëpi që është e ndarë në vetvete nuk do të qëndrojë.
26 E nëse Satani dëbon Satanin, atëherë është ndarë në vetvete. Si, pra, do të qëndrojë mbretëria e tij?
27 E nëse unë i dëboj demonët me anë të Beelzebulit, bijtë tuaj me anë të kujt do t'i dëbojnë? Për këtë arsye ata vetë do të jenë gjykatësit tuaj.
28 Por nëse unë me anë të Frymës së Perëndisë i dëboj demonët, atëherë arriti te ju Mbretëria e Perëndisë.
29 Ose, si mund të hyjë dikush në shtëpinë e të fortit dhe të grabitë sendet e tij, po të mos ketë lidhur së pari të fortin? Dhe atëherë do ta grabitë shtëpinë e tij.
30 Ai që nuk është me mua, është kundër meje; dhe ai që nuk mbledh me mua, shpërndan.
31 Për këtë arsye po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t'u falet njerëzve, por blasfemia kundër Frymës nuk do t'u falet njerëzve.
32 Dhe cilido që të thotë një fjalë kundër Birit të Njeriut, do t'i falet, por cilido që të thotë një fjalë kundër Frymës së Shenjtë, nuk do t'i falet as në epokën e tanishme dhe as në atë që vjen.
33 Ose bëjeni pemën të mirë dhe frutën e saj të mirë, ose bëjeni pemën të kalbur dhe frutën e saj të kalbur; sepse prej frutës njihet pema.
34 O pjella nepërkash! Si mund të flisni gjëra të mira duke qenë të ligj? Sepse prej mbushullisë së zemrës flet goja.
35 Njeriu i mirë nxjerr prej thesarit të mirë gjëra të mira dhe njeriu i lig nxjerr prej thesarit të lig gjëra të liga.
36 Por po ju them se për çdo thënie të kotë, çfarëdo që të flasin njerëzit, do të japin llogari për të në ditën e gjykimit;
37 sepse prej fjalëve të tua do të përligjesh dhe prej fjalëve të tua do të dënohesh".
38 Atëherë, disa skribë dhe farisenj ia kthyen duke thënë: "Mësues, duam të shikojmë nga ti një shenjë".
39 Por ai, duke u përgjigjur, u tha: "Një brez i lig dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, mirëpo shenjë nuk do t'i jepet, në mos shenja e profetit Joná.
40 Se sikurse profeti Joná u ndodh në barkun e përbindëshit të detit tri ditë e tri net, kështu do të jetë edhe Biri i Njeriut në zemrën e tokës tri ditë e tri net.
41 Njerëzit e Ninives do të ringjallen në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojnë, sepse ata u penduan si përgjigje ndaj predikimit të Jonait; dhe, ja, më shumë se Jonai është këtu!
42 Mbretëresha e Jugut do të ngjallet në gjyq bashkë me këtë brez dhe do ta dënojë, sepse ajo erdhi prej skajeve të tokës për të dëgjuar urtësinë e Solomonit; dhe, ja, më shumë se Solomoni është këtu!
43 Tani, kur fryma e ndyrë ka dalë nga njeriu, kalon nëpër vende të pauja duke kërkuar prehje dhe nuk e gjen.
44 Atëherë thotë: 'Do të kthehem në shtëpinë time prej nga dola'. Dhe kur mbërrin, e gjen të pazënë dhe të fshirë, dhe të stolisur.
45 Atëherë shkon dhe merr me vete shtatë frymëra të tjera, më të liga se vetja, dhe hyjnë e banojnë aty; dhe gjendja e fundit e atij njeriu bëhet më e keqe se e para. Kështu do të jetë edhe për këtë brez të lig".
46 Dhe ndërsa ai ende po u fliste turmave, ja, nëna dhe vëllezërit e tij po qëndronin jashtë, duke kërkuar për të folur me të.
47 Dhe dikush i tha: "Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu po qëndrojnë jashtë, duke kërkuar për të të parë".
48 Por ai, duke u përgjigjur, i tha atij që i foli: "Kush është nëna ime dhe kush janë vëllezërit e mi?!".
49 Dhe duke shtrirë dorën e tij drejt dishepujve të tij, tha: "Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi.
50 Sepse cilido që të bëjë vullnetin e Atit tim që është në qiej, ai më është vëlla dhe motër, dhe nënë".
Të gjithë librat
