Ungjilli sipas Mateut 9
1 Dhe si hipi në varkë, kaloi matanë dhe erdhi në qytetin e vet.
2 Dhe ja, po i sillnin pranë një të paralizuar të shtrirë mbi një vig; dhe kur Jezusi pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: "Kurajë, o bir, mëkatet e tua u falën!".
3 Dhe ja, disa skribë thanë ndër vete: "Ky po blasfemon!".
4 Dhe Jezusi, duke parë mendimet e tyre, tha: "Përse mendoni të liga në zemrat tuaja?
5 Sepse çfarë është më e lehtë të thuash: 'mëkatet e tua janë falur', apo të thuash: 'çohu dhe ec'?
6 Por, me qëllim që ta dini se Biri i Njeriut ka pushtet mbi tokë për të falur mëkate (atëherë i tha të paralizuarit), çohu, ngri vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!".
7 Dhe ai u çua e shkoi në shtëpinë e vet.
8 Por kur turmat e panë këtë, u frikësuan dhe lëvduan Perëndinë që u dha pushtet të tillë njerëzve.
9 Dhe Jezusi, duke u larguar prej aty, pa një njeri duke ndenjur ulur te banka e tagrave, që quhej Mate, dhe i tha: "Më ndiq!". Dhe ai u ngrit dhe e ndoqi.
10 Dhe ndodhi që, ndërsa Jezusi ishte shtruar për të ngrënë në shtëpi, ja edhe shumë tagrambledhës dhe mëkatarë erdhën e u shtruan bashkë me Jezusin dhe me dishepujt e tij.
11 Dhe farisenjtë, kur e panë këtë, u thanë dishepujve të tij: "Përse ha mësuesi juaj me tagrambledhësit dhe mëkatarët?".
12 Por ai, kur e dëgjoi këtë, tha: "Nuk kanë nevojë për mjek ata që janë të shëndetshëm, por ata që janë ligsht.
13 Por shkoni e mësoni çfarë do të thotë: 'Dua mëshirë e jo flijim', sepse unë nuk erdha për të thirrur të drejtët, por mëkatarët".
14 Atëherë erdhën pranë tij dishepujt e Gjonit duke thënë: "Përse ne dhe farisenjtë agjërojmë shumë, ndërsa dishepujt e tu nuk agjërojnë?".
15 Dhe Jezusi u tha: "Mos vallë mund të vajtojnë miqtë e dhëndrit për sa kohë është dhëndri me ta? Por do të vijnë ditët kur dhëndri të hiqet nga ata dhe atëherë do të agjërojnë.
16 Dhe askush nuk vendos një arnë prej cope të papërdorur mbi një rrobë të vjetër, sepse ajo e shqep të mbushurën e vet nga rroba dhe grisja bëhet më e keqe.
17 Dhe as nuk hedhin verë të re në kacekë të vjetër; përndryshe kacekët çahen dhe vera derdhet, dhe kacekët prishen. Përkundrazi, hedhin verë të re në kacekë të rinj dhe të dyja ruhen".
18 Ndërsa ai u fliste atyre këto gjëra, ja, një kryetar sinagoge i erdhi pranë dhe binte përmbys para tij, duke i thënë: "Bija ime sapo mbaroi, por eja, vër dorën tënde mbi të dhe ajo do të jetojë".
19 Dhe Jezusi, si u çua, nisi ta ndiqte; kështu edhe dishepujt e tij.
20 Dhe ja, një grua që kishte gjakrrjedhje prej dymbëdhjetë vjetësh, duke u afruar përmbrapa Jezusit, preku thekun e rrobës së tij,
21 sepse thoshte me vete: "Po të prek vetëm rrobën e tij, do të shpëtoj nga vuajtja".
22 Dhe Jezusi, si u kthye dhe e pa, tha: "Kurajë, bijë, besimi yt të ka shpëtuar". Dhe nga ai çast gruaja u shpëtua nga vuajtja.
23 Dhe kur Jezusi erdhi në shtëpinë e kreut të sinagogës dhe pa fyelltarët dhe turmën duke bërë rrëmujë,
24 tha: "Largohuni, sepse vashëza nuk ka vdekur, por po fle". Dhe ata nisën ta përqeshnin.
25 Por kur u nxor jashtë turma, Jezusi hyri dhe kapi dorën e saj; dhe vashëza u çua.
26 Dhe kjo bëri jehonë në tërë atë vend.
27 Dhe Jezusin, duke u larguar prej aty, e ndoqën dy të verbër duke bërtitur dhe duke thënë: "Ki mëshirë për ne, o Bir i Davidit!".
28 Dhe kur erdhi në shtëpi, i erdhën pranë të verbrit; dhe Jezusi u tha atyre: "A besoni se mund ta bëj këtë?". Ata i thanë: "Po, o Zot!".
29 Atëherë preku sytë e tyre duke thënë: "Le t'ju bëhet sipas besimit tuaj".
30 Dhe sytë e tyre u hapën. Dhe Jezusi iu drejtua rreptë atyre, duke thënë: "Shikoni, asnjë të mos e marrë vesh".
31 Por ata dolën dhe e përhapën lajmin për të në tërë atë vend.
32 Tani, ndërsa ata po dilnin, ja, i sollën një njeri memec që ishte i demonizuar.
33 Dhe kur u dëbua demoni, memeci foli; dhe turmat u mrekulluan, duke thënë: "Kurrë nuk është parë diçka e tillë në Izrael".
34 Por farisenjtë thoshin: "Ai i dëbon demonët me anë të kreut të demonëve".
35 Dhe Jezusi shkonte përqark në të gjitha qytetet dhe fshatrat duke mësuar në sinagogat e tyre dhe duke predikuar ungjillin e mbretërisë, dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo ligështi.
36 Dhe kur pa turmat, pati dhembshuri për to, sepse ishin të sfilitura dhe të lëna pas dore, porsi dele që nuk kanë bari.
37 Atëherë u tha dishepujve të tij: "Vërtet të korrat janë të mëdha, por punëtorët janë të paktë.
38 Prandaj, përgjërojuni Zotit të të korrave që të nxjerrë punëtorë në të korrat e tij".
Të gjithë librat
