Ungjilli sipas Mateut 8
1 Tani, ndërsa Jezusi zbriti nga mali, e ndoqën turma të mëdha.
2 Dhe ja, një i lebrosur i erdhi pranë dhe binte përmbys para tij, duke thënë: "O Zot, po të duash mund të më pastrosh".
3 Dhe Jezusi zgjati dorën dhe e preku duke thënë: "Dua. Pastrohu!". Dhe menjëherë lebra e tij u pastrua.
4 Dhe Jezusi i tha: "Shiko, të mos i thuash askujt, por shko dhe tregoja veten tënde priftit dhe ofro dhuratën që urdhëroi Moisiu, si dëshmi për ta".
5 Tani, ndërsa Jezusi hyri në Kafarnaum, erdhi pranë tij një centurion duke iu përgjëruar
6 e duke thënë: "Zotëri, shërbëtori im dergjet në shtëpi i paralizuar, duke qenë i munduar tmerrësisht".
7 Dhe Jezusi i tha: "Unë do të vij dhe do ta shëroj".
8 Dhe centurioni, duke u përgjigjur, i tha: "Zotëri, unë nuk jam i denjë që ti të hysh nën strehën time, por vetëm thuaj një fjalë dhe shërbëtori im do të shërohet.
9 Se edhe unë jam një njeri i vënë nën pushtet të dikujt, duke pasur, gjithashtu, nën veten time ushtarë; dhe i them këtij: 'Shko', dhe ky shkon; dhe tjetrit: 'Eja', dhe ai vjen; dhe skllavit tim: 'Bëje këtë', dhe ai e bën".
10 Dhe kur i dëgjoi Jezusi këto fjalë, u mrekullua dhe u tha atyre që e ndiqnin: "Me të vërtetë po ju them: tek asnjë në Izrael nuk gjeta kaq besim.
11 Dhe po ju them se shumë do të vijnë nga lindja e nga perëndimi dhe do të shtrohen në banket me Abrahamin dhe Isakun, dhe Jakobin në Mbretërinë e Qiejve,
12 por bijtë e mbretërisë do të nxirren në errësirën e jashtme. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh".
13 Dhe Jezusi i tha centurionit: "Shko, le të të bëhet ashtu siç besove!". Dhe shërbëtori u shërua në atë çast.
14 Dhe kur Jezusi erdhi në shtëpinë e Pjetrit, pa vjehrrën e tij që dergjej dhe kishte ethe.
15 Dhe ai preku dorën e saj dhe ethet e lanë; dhe ajo u çua dhe nisi t'i shërbente atij.
16 Tani, ndërsa u bë mbrëmje, atij i sollën pranë shumë të demonizuar dhe ai i dëboi frymërat me fjalë, dhe të gjithë ata që ishin ligsht, i shëroi,
17 me qëllim që të përmbushej ajo që u tha nëpërmjet profetit Isaia, që thotë: "Ai vetë mori dobësitë tona dhe mbarti sëmundjet tona".
18 Tani, kur Jezusi pa një turmë rreth tij, urdhëroi që të shkohej në anën tjetër.
19 Dhe një skrib erdhi pranë e i tha: "Mësues, unë do të të ndjek kudo që të shkosh".
20 Dhe Jezusi i tha: "Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit çerdhe, por Biri i Njeriut nuk ka ku të mbështesë kokën".
21 Dhe një tjetër nga dishepujt i tha: "Zot, më lejo së pari që të shkoj dhe të varros atin tim".
22 Por Jezusi i tha: "Më ndiq dhe lëri të vdekurit që të varrosin të vdekurit e vet".
23 Dhe kur ai hipi në varkë, dishepujt e tij e ndoqën.
24 Dhe ja, ra një tërmet i madh në det, saqë varka po mbulohej nga dallgët; por ai flinte.
25 Dhe ata erdhën pranë Jezusit dhe e çuan duke thënë: "O Zot, na shpëto! Po humbasim".
26 Dhe ai u tha: "Pse jeni frikacakë, o besimpakë?". Atëherë, si u çua, qortoi erërat dhe detin, dhe u bë bunacë e madhe.
27 Dhe njerëzit u mrekulluan duke thënë: "Ç'lloj njeriu është ky që edhe erërat, edhe deti i binden?".
28 Dhe ndërsa ai erdhi në anën tjetër, në krahinën e gadarenëve, i dolën para dy të demonizuar që po dilnin prej varrezave, tepër të dhunshëm, aq sa askush nuk mund të kalonte përmes asaj rruge.
29 Dhe ja, bërtitën duke thënë: "Çfarë ka mes nesh dhe teje, o Bir i Perëndisë? Erdhe këtu për të na munduar para kohe?".
30 Tani, larg nga ata ishte një tufë e madhe derrash duke kullotur.
31 Dhe demonët i përgjëroheshin duke thënë: "Nëse na dëbon, na dërgo në tufën e derrave".
32 Dhe Jezusi u tha: "Shkoni!". Dhe ata, kur dolën, shkuan në derrat; dhe ja, e gjithë tufa u turr poshtë greminës në det dhe ngordhën në ujë.
33 Tani, ata që kullosnin derrat ikën, dhe si shkuan në qytet, njoftuan për të gjitha, edhe ato që u ndodhën të demonizuarve.
34 Dhe ja, i gjithë qyteti doli për të takuar Jezusin, dhe kur e panë, iu përgjëruan që të largohej nga kufijtë e tyre.
Të gjithë librat
