Ungjilli sipas Mateut 7
1 Mos gjykoni, që të mos gjykoheni.
2 Se me atë gjykim që gjykoni, do të gjykoheni dhe me atë masë që matni, do t'ju matet juve.
3 E pse sheh ciflën që është në syrin e vëllait tënd, ndërsa trarin në syrin tënd nuk e vëren?
4 Ose si do t'i thuash vëllait tënd: 'Më lër ta nxjerr ciflën prej syrit tënd' dhe, ja, trari është në syrin tënd?
5 Hipokrit! Nxirr së pari trarin prej syrit tënd dhe atëherë do të shohësh qartë për të nxjerrë ciflën prej syrit të vëllait tënd.
6 Të mos u jepni qenve atë që është e shenjtë dhe të mos i hidhni margaritarët tuaj përpara derrave, se mos i shkelin me këmbë dhe të kthehen e t'ju çajnë.
7 Lypni dhe do t'ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t'ju hapet.
8 Sepse kushdo që lyp, merr; dhe ai që kërkon, gjen; dhe atij që troket, do t'i hapet.
9 Ose kush prej jush është ai njeri të cilit biri i tij do t'i lypë bukë dhe ai do t'i japë gur?
10 Apo edhe do t'i lypë peshk dhe ai do t'i japë gjarpër?
11 Pra, nëse ju, ndonëse jeni të ligj, dini t'u jepni dhurata të mira fëmijëve tuaj, sa më tepër Ati juaj që është në qiej do t'u japë të mira atyre që ia lypin atij?
12 Prandaj, të gjitha sa doni që t'jua bëjnë njerëzit juve, ua bëni kështu edhe ju atyre, sepse ky është Ligji dhe Profetët.
13 Hyni përmes portës së ngushtë, sepse e gjerë është porta dhe e madhe udha që çon në shkatërrim, dhe shumë janë ata që hyjnë përmes saj.
14 Sepse e ngushtë është porta dhe e shtrënguar udha që çon në jetë, dhe pak janë ata që e gjejnë.
15 Bëni kujdes nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju në veshje delesh, por përbrenda janë ujq grabitqarë.
16 Nga frytet e tyre do t'i njihni. A mos mblidhet rrush nga ferrat apo fiq nga gjembat?
17 Kështu, çdo pemë e mirë bën fruta të mira; por pema e kalbur bën fruta të këqija.
18 Një pemë e mirë nuk mund të bëjë fruta të këqija dhe as një pemë e kalbur të bëjë fruta të mira.
19 Çdo pemë që nuk bën frutë të mirë, pritet dhe hidhet në zjarr.
20 Kështu që nga frytet e tyre do t'i njihni.
21 Jo kushdo që më thotë: 'O Zot, o Zot', do të hyjë në Mbretërinë e Qiejve, por ai që bën vullnetin e Atit tim që është në qiej.
22 Shumë do të më thonë në atë ditë: 'O Zot, o Zot, a nuk profetizuam në emrin tënd dhe dëbuam demonë në emrin tënd, dhe bëmë shumë vepra fuqie në emrin tënd?'.
23 Dhe atëherë do t'u them hapur atyre: 'Kurrë nuk ju kam njohur! Largohuni nga unë, ju ushtrues të paligjshmërisë!'.
24 Prandaj, kushdo që i dëgjon këto fjalë të mia dhe i bën, do t'i ngjajë një njeriu të mençur, i cili e ndërtoi shtëpinë e tij mbi shkëmb.
25 Dhe ra shiu, dhe erdhën lumenjtë, dhe frynë erërat e pllakosën mbi atë shtëpi, dhe ajo nuk u rrëzua, sepse ishte themeluar mbi shkëmb.
26 Dhe kushdo që i dëgjon këto fjalë të mia dhe nuk i bën, do t'i ngjajë një njeriu të marrë, i cili e ndërtoi shtëpinë e tij mbi rërë.
27 Dhe ra shiu, dhe erdhën lumenjtë, dhe frynë erërat e u përplasën mbi atë shtëpi, dhe ajo u rrëzua, dhe rrëzimi i saj ishte i madh".
28 Dhe ndodhi që, kur Jezusi i mbaroi këto fjalë, turmat u mahnitën nga mësimi i tij,
29 sepse ishte duke i mësuar ata si një që ka pushtet dhe jo si skribët e tyre.
Të gjithë librat
