Ungjilli sipas Mateut 26
1 Dhe ndodhi që, kur Jezusi i mbaroi të gjitha këto fjalë, u tha dishepujve të tij:
2 "Ju e dini se mbas dy ditësh i bie Pashka dhe Biri i Njeriut do të dorëzohet për t'u kryqëzuar".
3 Atëherë u mblodhën kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit në pallatin e kryepriftit, që quhej Kajafa,
4 dhe u këshilluan bashkë që ta kapnin Jezusin me dredhi dhe ta vrisnin.
5 Por thoshin: "Jo në festë, që të mos bëhet trazirë në popull".
6 Tani, ndërsa Jezusi ndodhej në Betani, në shtëpinë e Simonit, ish të lebrosurit,
7 erdhi pranë tij një grua që kishte një enë alabastri me vaj erëmirë shumë të shtrenjtë dhe e derdhi mbi kokën e tij ndërsa ai ishte shtruar për të ngrënë.
8 Por kur e panë këtë, dishepujt u pezmatuan duke thënë: "Përse kjo humbje?
9 Sepse ky vaj mund të shitej shumë shtrenjtë dhe paratë t'u jepeshin të varfërve".
10 Por Jezusi, duke e kuptuar këtë, u tha: "Pse e mundoni këtë grua? Sepse ajo bëri një vepër të mirë ndaj meje.
11 Se të varfrit i keni gjithmonë me vete, por mua nuk më keni gjithmonë.
12 Se kur ajo hodhi këtë vaj erëmirë mbi trupin tim, e bëri për të më përgatitur për varrim.
13 Me të vërtetë po ju them: kudo që të predikohet ky ungjill në tërë botën, do të flitet në kujtim të saj edhe për çfarë bëri kjo grua".
14 Atëherë, një nga të dymbëdhjetët, ai që quhej Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftërinjtë
15 dhe tha: "Çfarë doni të më jepni që unë t'ua dorëzoj atë?". Dhe ata vendosën t'i jepnin tridhjetë monedha argjendi.
16 Dhe nga ai çast, ai kërkonte një rast të volitshëm që ta dorëzonte.
17 Tani, në të parën ditë të të Ndormeve, erdhën pranë Jezusit dishepujt, duke thënë: "Ku dëshiron të ta përgatisim që të hash Pashkën?".
18 Dhe ai tha: "Shkoni në qytet te filani dhe i thoni: 'Mësuesi thotë: Koha ime është afër; po e bëj te ti Pashkën, bashkë me dishepujt e mi'".
19 Dhe dishepujt bënë siç i porositi Jezusi, dhe përgatitën Pashkën.
20 Tani, ndërsa u bë mbrëmje, Jezusi po shtrohej për të ngrënë me të dymbëdhjetët.
21 Dhe ndërsa ata po hanin, tha: "Me të vërtetë po ju them se një prej jush do të më tradhtojë".
22 Dhe duke qenë tepër të trishtuar, filluan t'i thonë secili, një nga një: "A mos jam unë, Zot?".
23 Dhe ai, duke u përgjigjur, tha: "Ai që ngjeu me mua dorën në çanak, ky do të më tradhtojë.
24 Vërtet Biri i Njeriut po shkon ashtu siç është shkruar për të, por mjerë ai njeri nëpërmjet të cilit Biri i Njeriut do të tradhtohet! Më mirë do të ishte për atë njeri sikur ai të mos kishte lindur".
25 Dhe Juda, ai që do ta tradhtonte, duke u përgjigjur, tha: "A mos jam unë, Rabbi?". Jezusi i tha: "Ti e the!".
26 Tani, ndërsa ata po hanin, Jezusi, si mori bukë dhe si bekoi, e theu dhe, duke ua dhënë dishepujve, tha: "Merrni, hani; ky është trupi im".
27 Dhe si mori një kupë, dhe si falënderoi, ua dha atyre duke thënë: "Pini prej saj të gjithë,
28 sepse ky është gjaku im i besëlidhjes, që derdhet për shumë njerëz, për falje të mëkateve.
29 Por po ju them se nga tani e tutje nuk do të pi aspak prej këtij fryti të hardhisë, deri në atë ditë kur ta pi të re me ju në Mbretërinë e Atit tim".
30 Dhe si himnizuan, dolën për në Malin e Ullinjve.
31 Atëherë Jezusi u tha atyre: "Të gjithë ju do të shkandulloheni me mua në këtë natë, sepse është shkruar: 'Do ta godas bariun dhe do të shpërndahen delet e grigjës'.
32 Por mbasi unë të jem ngjallur, do t'ju paraprij në Galile".
33 Por Pjetri, duke u përgjigjur, i tha: "Edhe nëse të gjithë do të shkandullohen me ty, unë kurrë nuk do të shkandullohem".
34 Jezusi i tha: "Me të vërtetë po të them se në këtë natë, para se gjeli të këndojë, tri herë do të më mohosh".
35 Pjetri i tha: "Edhe po të më duhet që të vdes bashkë me ty, kurrë nuk do të të mohoj". Po kështu thanë edhe të gjithë dishepujt.
36 Atëherë erdhi Jezusi bashkë me ta në një vend që quhej Gjetsemanì dhe u tha dishepujve: "Uluni këtu derisa të shkoj atje dhe të lutem".
37 Dhe si mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut, filloi që të trishtohet dhe të ketë ankth.
38 Atëherë u tha atyre: "Shpirti im është thellësisht i trishtuar deri në pikë të vdekjes. Qëndroni këtu dhe rrini zgjuar me mua".
39 Dhe si shkoi pak përpara, ra me fytyrë përdhe, duke u lutur e duke thënë: "O Ati im, nëse është e mundur, të largohet kjo kupë nga unë! Megjithatë, jo si dua unë, por si do ti!".
40 Dhe erdhi te dishepujt dhe i gjeti duke fjetur. Dhe i tha Pjetrit: "Kështu, nuk mundët që të rrini zgjuar një orë me mua?
41 Rrini zgjuar dhe lutuni, që të mos hyni në tundim; vërtet fryma është e gatshme, por mishi është i dobët".
42 Përsëri, për së dyti, shkoi dhe u lut duke thënë: "O Ati im, nëse nuk mund të largohet kjo kupë pa e pirë, të bëhet vullneti yt!".
43 Dhe erdhi përsëri e i gjeti duke fjetur, sepse sytë e tyre ishin rënduar.
44 Dhe si i la ata përsëri, shkoi dhe u lut për së treti, duke thënë të njëjtën gjë përsëri.
45 Atëherë erdhi te dishepujt dhe u tha: "Po flini prapë dhe po çlodheni? Ja, ora është afruar dhe Biri i Njeriut po dorëzohet në duar të mëkatarëve.
46 Çohuni të shkojmë! Ja, është afruar ai që më tradhton".
47 Dhe ndërsa ai ende po fliste, ja, erdhi Juda, një nga të dymbëdhjetët, dhe mbas tij një turmë e madhe me shpata dhe hunj, e dërguar nga kryepriftërinjtë dhe pleqtë e popullit.
48 (Tani, ai që po e tradhtonte, u dha atyre një shenjë, duke thënë: "Atë që do të puth, ai është; kapeni".)
49 Dhe menjëherë erdhi pranë Jezusit dhe tha: "Tungjatjeta, Rabbi!", dhe e puthi.
50 Dhe Jezusi i tha: "Mik, bëj atë për çfarë je këtu!". Atëherë u afruan dhe vunë dorë mbi Jezusin, dhe e kapën.
51 Dhe ja, një nga ata që ishin me Jezusin, zgjati dorën dhe nxori shpatën e vet; dhe si goditi skllavin e kryepriftit, i hoqi veshin.
52 Atëherë Jezusi i tha: "Ktheje shpatën tënde në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatë, me anë të shpatës do të vdesin.
53 Apo mendon se nuk mund t'i bëj thirrje Atit tim dhe ai të më vërë pranë tani më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh?
54 Si, pra, do të përmbusheshin Shkrimet që thonë se kështu duhet të ndodhë?".
55 Në atë çast, Jezusi i tha turmës: "Si kundër një kusari dolët me shpata e hunj për të më kapur? Çdo ditë ulesha në tempull duke dhënë mësim dhe nuk më kapët;
56 por tërë kjo ka ndodhur me qëllim që të përmbusheshin Shkrimet e profetëve". Atëherë, të gjithë dishepujt e lanë dhe ikën.
57 Tani, ata që e kapën Jezusin, e çuan te kryeprifti Kajafa, ku u mblodhën skribët dhe pleqtë.
58 Por Pjetri po e ndiqte nga larg, deri tek oborri i kryepriftit; dhe kur hyri brenda, rrinte ulur me rojat për të parë fundin.
59 Tani, kryepriftërinjtë dhe tërë Sinedri po kërkonin dëshmi të rreme kundër Jezusit, në mënyrë që ta çonin në vdekje,
60 dhe nuk gjetën, ndonëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Por në fund u paraqitën dy veta
61 dhe thanë: "Ky thoshte: 'Unë mund ta shemb shenjtëroren e Perëndisë dhe brenda tri ditësh ta ndërtoj'".
62 Dhe kryeprifti, duke u ngritur në këmbë, i tha: "Fare nuk po përgjigjesh për çfarë dëshmojnë këta kundër teje?".
63 Por Jezusi heshtte. Dhe kryeprifti i tha: "Po të vë në be për Perëndinë e gjallë, që të na thuash nëse ti je Krishti, Biri i Perëndisë".
64 Jezusi i tha: "Ti e the! Megjithatë po ju them se nga tani e tutje do ta shikoni Birin e Njeriut të ulur në të djathtë të Fuqisë dhe duke ardhur mbi retë e qiellit".
65 Atëherë, kryeprifti shqeu rrobat e tij, duke thënë: "Blasfemoi! Ç'nevojë kemi ende për dëshmitarë? Ja, tani e dëgjuat blasfeminë.
66 Çfarë mendoni ju?". Dhe ata, duke u përgjigjur, thanë: "Është fajtor për vdekje!".
67 Atëherë e pështynë në fytyrë dhe e grushtuan; dhe disa e goditën me shpulla,
68 duke thënë: "Na profetizo, o Krisht, kush është ai që të ra?".
69 Tani, Pjetri po rrinte ulur jashtë në oborr dhe erdhi pranë tij një shërbëtore duke thënë: "Edhe ti ishe me Jezusin, galileasin".
70 Por ai e mohoi përpara të gjithëve, duke thënë: "Nuk e di çfarë po thua!".
71 Dhe kur doli te porta, e pa një tjetër shërbëtore dhe u tha atyre që ishin aty: "Ky ishte me Jezusin, nazaretasin!".
72 Dhe përsëri e mohoi me betim: "Nuk e njoh këtë njeri!".
73 Dhe mbas pak kohe u afruan të pranishmit dhe i thanë Pjetrit: "Vërtet edhe ti je prej atyre, sepse edhe e folura jote të nxjerr zbuluar".
74 Atëherë filloi të mallkojë e të bëjë be: "Nuk e njoh këtë njeri!". Dhe menjëherë një gjel këndoi.
75 Dhe Pjetri kujtoi thënien e Jezusit që i kishte thënë: "Para se gjeli të këndojë, tri herë do të më mohosh". Dhe si doli jashtë, qau me hidhërim.
Të gjithë librat
