Ungjilli sipas Mateut 25
1 Atëherë, Mbretëria e Qiejve do t'u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat morën pishtarët e tyre dhe dolën për të takuar dhëndrin.
2 Tani, pesë prej tyre ishin të marra dhe pesë të mençura;
3 sepse të marrat, kur morën pishtarët e tyre, nuk morën me vete vaj,
4 ndërsa të mençurat, bashkë me pishtarët e tyre, morën vaj në enët e tyre.
5 Dhe ndërsa dhëndri po vonohej, dremitën të gjitha dhe zunë të flinin.
6 Por në mes të natës u bë një britmë: 'Ja dhëndri! Dilni për ta takuar!'.
7 Atëherë të gjitha ato virgjëresha u çuan dhe rregulluan pishtarët e tyre.
8 Dhe të marrat u thanë të mençurave: 'Na jepni prej vajit tuaj, se pishtarët tanë po fiken'.
9 Por të mençurat u përgjigjën duke thënë: 'Jo, se mos nuk mjafton as për ne dhe as për ju. Shkoni më mirë tek ata që shesin dhe blini për veten tuaj'.
10 Tani, ndërsa ato shkuan për të blerë, erdhi dhëndri; dhe ato që ishin gati, hynë me të në dasmë dhe u mbyll dera.
11 Dhe më vonë erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: 'Zotëri, zotëri, na hap derën!'.
12 Por ai, duke u përgjigjur, tha: 'Me të vërtetë po ju them se nuk ju njoh!'.
13 Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini as ditën dhe as orën".
14 "Se Mbretëria e Qiejve është sikurse një njeri që do të shtegtonte, i cili thirri skllevërit e vet dhe ua dorëzoi atyre kamjen e tij.
15 Dhe njërit i dha pesë talenta, njërit i dha dy, dhe një tjetrit një, secilit sipas aftësisë së vet, dhe menjëherë shtegtoi.
16 Ai që mori të pesë talentat, si shkoi, bëri punë me to dhe fitoi pesë talenta të tjera.
17 Po ashtu edhe ai që mori të dy talentat, fitoi dy të tjera.
18 Por ai që mori vetëm një, shkoi, gërmoi tokën dhe e fshehu monedhën e zotërisë së tij.
19 Tani, mbas shumë kohe, erdhi zotëria i atyre skllevërve dhe shkoqiti llogaritë me ta.
20 Dhe kur erdhi pranë ai që mori të pesë talentat, solli edhe pesë talenta të tjera, duke thënë: 'Zotëri, më dorëzove pesë talenta; ja, fitova pesë talenta të tjera'.
21 Zotëria i tij i tha: 'Të lumtë, skllav i mirë dhe besnik! Ishe besnik mbi pak gjëra, unë do të të caktoj mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotërisë tënd'.
22 Dhe kur erdhi pranë ai që mori të dy talentat, tha: 'Zotëri, më dorëzove dy talenta; ja, fitova dy talenta të tjera'.
23 Zotëria i tij i tha: 'Të lumtë, skllav i mirë dhe besnik! Ishe besnik mbi pak gjëra, unë do të të caktoj mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotërisë tënd'.
24 Dhe kur erdhi pranë edhe ai që kishte marrë vetëm një talentë, tha: 'Zotëri, të kam njohur se je njeri i ashpër, që korr aty ku nuk ke mbjellë dhe që mbledh prej ku nuk ke shpërndarë;
25 dhe ngaqë pata frikë, shkova dhe e fsheha talentën tënde në tokë. Ja ku e ke tënden!'.
26 Por zotëria i tij, duke u përgjigjur, i tha: 'Skllav i lig dhe përtac! E dije se unë korr aty ku nuk kam mbjellë dhe mbledh prej ku nuk kam shpërndarë?!
27 Prandaj ti duhej ta kishe vënë monedhën time te bankierët dhe kur unë të vija, do të kisha marrë timen bashkë me interesin.
28 Merreni, pra, prej tij talentën dhe jepjani atij që ka të dhjetë talentat.
29 Sepse kujtdo që ka, do t'i jepet dhe do t'i teprojë; por atij që nuk ka, edhe ajo çfarë ka, do të merret prej tij.
30 Dhe skllavin e padobishëm nxirreni në errësirën e jashtme. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh'".
31 "Por kur të vijë Biri i Njeriut në lavdinë e tij dhe të gjithë engjëjt bashkë me të, atëherë do të ulet mbi fron të lavdisë së tij.
32 Dhe do të mblidhen përpara tij të gjitha kombet, dhe ai do t'i ndajë ata nga njëri-tjetri, sikurse ndan bariu delet nga dhitë.
33 Dhe delet do t'i vërë nga e djathta e tij, ndërsa dhitë nga e majta.
34 Atëherë Mbreti do t'u thotë atyre nga e djathta e tij: 'Ejani, o të bekuarit e Atit tim; trashëgoni mbretërinë që ka qenë përgatitur për ju që nga themelimi i botës.
35 Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë, isha i huaj dhe më bujtët,
36 isha i zhveshur dhe më mbështollët, lëngova dhe më vizituat, isha në burg dhe erdhët tek unë'.
37 Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen duke thënë: 'Zot, kur të pamë duke pasur uri dhe të ushqyem, apo duke pasur etje dhe të dhamë për të pirë?
38 Dhe kur të pamë të huaj dhe të bujtëm, apo të zhveshur dhe të mbështollëm?
39 Dhe kur të pamë të lënguar apo në burg, dhe erdhëm te ti?'.
40 Dhe Mbreti, duke u përgjigjur, do t'u thotë: 'Me të vërtetë po ju them se për gjithë ato herë që ia bëtë njërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, ma bëtë mua'.
41 Atëherë do t'u thotë edhe atyre nga e majta: 'Largohuni nga unë, o të mallkuar, në zjarrin e përjetshëm, që ka qenë përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij.
42 Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë,
43 isha i huaj dhe nuk më bujtët, isha i zhveshur dhe nuk më mbështollët, i lënguar e në burg dhe nuk më vizituat'.
44 Atëherë edhe ata do të përgjigjen duke thënë: 'Zot, kur të pamë duke pasur uri apo duke pasur etje, apo të huaj, apo të zhveshur, apo të lënguar, apo në burg dhe nuk të shërbyem?'.
45 Atëherë do t'u përgjigjet duke thënë: 'Me të vërtetë po ju them se për gjithë ato herë që nuk ia bëtë njërit prej këtyre më të vegjëlve, nuk ma bëtë as edhe mua'.
46 Dhe këta do të shkojnë në ndëshkim të përjetshëm, ndërsa të drejtët në jetë të përjetshme".
Të gjithë librat
