Ungjilli sipas Mateut 22
1 Dhe duke marrë fjalën, Jezusi u foli përsëri me shëmbëlltyra, duke thënë:
2 "Mbretëria e Qiejve i ngjason një mbreti, i cili bëri dasmë për të birin
3 dhe dërgoi skllevërit e vet për të thirrur ata që ishin thirrur në dasmë; por ata nuk donin të vinin.
4 Dërgoi përsëri skllevër të tjerë, duke thënë: 'U thoni atyre që janë thirrur: ja, kam përgatitur vaktin tim, demat e mi dhe berrat e majmur janë therur, dhe të gjitha janë gati. Ejani në dasmë!'.
5 Por ata, duke e shpërfillur, shkuan njëri në arën e vet dhe tjetri në punën e vet;
6 ndërsa të tjerët, i kapën skllevërit e tij dhe i poshtëruan e i vranë.
7 Por mbreti u zemërua, dhe duke dërguar trupat e tij, i shkatërroi ata vrasës dhe qytetin e tyre e dogji.
8 Atëherë u thotë skllevërve të vet: 'Vërtet dasma është gati, por ata që ishin thirrur nuk ishin të denjë.
9 Shkoni, atëherë, te daljet e rrugëve dhe gjithë sa të gjeni, i thirrni në dasmë'.
10 Dhe ata skllevër dolën ndër rrugë dhe mblodhën të gjithë ata që gjetën, qoftë të ligj e qoftë të mirë; dhe dasma u mbush me të shtruar në banket.
11 Por kur hyri mbreti për të vështruar ata që ishin shtruar në banket, pa aty një njeri që nuk kishte veshur veshje dasme
12 dhe i thotë: 'Mik, si hyre këtu duke mos pasur veshje dasme?'. Por ai e mbylli gojën.
13 Atëherë mbreti u tha shërbëtorëve: 'Lidheni këmbë e duar dhe nxirreni në errësirën e jashtme. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh'.
14 Sepse shumë janë të thirrur, por pak janë të zgjedhur".
15 Atëherë farisenjtë, si shkuan, morën vendim së bashku që ta zinin në kurth me ndonjë fjalë.
16 Dhe ata dërguan tek ai dishepujt e tyre, bashkë me herodianët, duke thënë: "Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe mëson udhën e Perëndisë në të vërtetë; dhe nuk do t'ia dish për asnjë, sepse ti nuk sheh pamjen e njerëzve.
17 Na thuaj, pra, çfarë mendon ti? A është e lejueshme për t'i dhënë taksë Cezarit apo jo?".
18 Por Jezusi, duke njohur ligësinë e tyre, tha: "Pse më sprovoni, o hipokritë?
19 Më tregoni monedhën e taksës". Dhe ata i sollën një denar.
20 Dhe ai u tha: "E kujt është kjo figurë dhe mbishkrimi?".
21 Ata thanë: "Të Cezarit". Atëherë u tha: "Jepjani, pra, Cezarit ato që janë të Cezarit dhe Perëndisë ato që janë të Perëndisë".
22 Dhe kur e dëgjuan këtë, u mrekulluan; dhe duke e lënë, u larguan.
23 Në atë ditë erdhën pranë tij disa saducenj (që thonë se nuk ka ringjallje), dhe e pyetën
24 duke thënë: "Mësues, Moisiu tha: 'Po të vdesë dikush duke mos pasur fëmijë, i vëllai duhet të lidhet në martesë me gruan e tij dhe duhet t'i lindë pasardhës të vëllait'.
25 Tani, ishin ndër ne shtatë vëllezër dhe i pari u martua dhe vdiq; dhe duke mos pasur pasardhës, ia la gruan e vet të vëllait.
26 Po kështu edhe i dyti dhe i treti, deri tek i shtati.
27 Dhe në fund të të gjithëve, vdiq edhe gruaja.
28 Në ringjallje, pra, gruaja e cilit nga të shtatët do të jetë? Sepse të gjithë e patën grua".
29 Dhe duke u përgjigjur, Jezusi u tha: "Gaboheni, ngaqë nuk i njihni Shkrimet dhe as fuqinë e Perëndisë.
30 Sepse në ringjallje njerëzit as martohen, as jepen në martesë, por janë si engjëj në qiell.
31 Por rreth ringjalljes së të vdekurve, a nuk e lexuat atë që ju është thënë juve nga Perëndia, që thotë:
32 'Unë jam Perëndia i Abrahamit dhe Perëndia i Isakut, dhe Perëndia i Jakobit'. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve".
33 Dhe turmat, kur e dëgjuan këtë, mahniteshin nga mësimi i tij.
34 Tani, kur farisenjtë dëgjuan se ua mbylli gojën saducenjve, u mblodhën bashkë
35 dhe një prej tyre, një ekspert i Ligjit, e pyeti Jezusin, duke e sprovuar:
36 "Mësues, cili është urdhërimi i madh në Ligj?".
37 Dhe ai i tha: "Do ta duash Zotin, Perëndinë tënd, me tërë zemrën tënde dhe me tërë shpirtin tënd, dhe me tërë mendjen tënde.
38 Ky është urdhërimi i madh dhe i pari.
39 Dhe i dyti, i ngjashëm me të: 'Do ta duash të afërmin tënd si veten tënde'.
40 Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët".
41 Tani, ndërsa farisenjtë ishin mbledhur bashkë, Jezusi i pyeti ata,
42 duke thënë: "Çfarë mendoni ju rreth Krishtit? Bir i kujt është?". Ata i thanë: "I Davidit".
43 Ai u tha: "Si, pra, Davidi, në Frymë e thërret atë Zot, duke thënë:
44 'I tha Zoti Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa t'i vë armiqtë e tu poshtë këmbëve të tua'?
45 Nëse, pra, Davidi e thërret atë Zot, si është bir i tij?".
46 Dhe asnjë nuk ishte në gjendje për t'iu përgjigjur me asnjë fjalë; dhe që nga ajo ditë as nuk guxoi më kush për ta pyetur.
Të gjithë librat
