Ungjilli sipas Mateut 17
1 Dhe mbas gjashtë ditësh, Jezusi mori me vete Pjetrin dhe Jakobin, dhe Gjonin, vëllain e tij, dhe i çoi sipër në një mal të lartë, veçmas.
2 Dhe ai u shndërrua përpara tyre, dhe fytyra e tij rrezatoi si dielli, dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.
3 Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia duke bashkëbiseduar me të.
4 Dhe Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: "Zot, është mirë që ne jemi këtu. Nëse dëshiron, do të bëj këtu tri tenda: një për ty dhe një për Moisiun, dhe një për Elian".
5 Ndërsa ai ende fliste, ja, një re e ndritshme i hijesoi; dhe ja, një zë prej resë duke thënë: "Ky është Biri im, i Dashuri, në të cilin gjeta pëlqim; dëgjojeni!".
6 Dhe kur e dëgjuan këtë dishepujt, ranë me fytyrë përdhe dhe u frikësuan jashtëzakonisht.
7 Dhe Jezusi erdhi pranë tyre, dhe duke i prekur, tha: "Çohuni dhe mos u frikësoni!".
8 Dhe kur ata ngritën sytë, nuk panë asnjeri, përveçse Jezusin, vetëm.
9 Dhe ndërsa ata zbrisnin prej malit, Jezusi i urdhëroi duke thënë: "Askujt të mos ia thoni vegimin, derisa Biri i Njeriut të ringjallet prej të vdekurve".
10 Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: "Pse, pra, skribët thonë se duhet të vijë Elia së pari?".
11 Dhe ai, duke u përgjigjur, tha: "Vërtet vjen Elia dhe ai do t'i rivendosë të gjitha,
12 por po ju them se Elia tashmë erdhi dhe nuk e njohën, por bënë me të gjithë sa deshën. Kështu do të vuajë edhe Biri i Njeriut nga ata".
13 Atëherë dishepujt e kuptuan se u foli për Gjon Pagëzorin.
14 Dhe kur erdhën te turma, erdhi një njeri pranë Jezusit duke u gjunjëzuar para tij
15 dhe duke thënë: "Zotëri, ki mëshirë për birin tim, sepse e zë epilepsia dhe është keq; se shpeshherë bie në zjarr dhe shpeshherë në ujë.
16 Dhe e solla te dishepujt e tu, mirëpo nuk mundën që ta shëronin".
17 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: "Oh brez mosbesues dhe i mbrapshtë! Deri kur do të jem me ju?! Deri kur do t'ju duroj?! Ma sillni këtu!".
18 Dhe Jezusi qortoi demonin dhe demoni doli nga ai; dhe fëmija u shërua që nga ai çast.
19 Atëherë dishepujt erdhën pranë Jezusit veçmas dhe i thanë: "Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?".
20 Dhe ai u tha: "Për shkak të besimit tuaj të pakët. Sepse me të vërtetë po ju them: po të keni besim ashtu si një kokërr sinapi, do t'i thoni këtij mali 'Zhvendosu nga këtu atje' dhe do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundur për ju.
21 [Por ky lloj nuk del në mos me lutje dhe agjërim".]
22 Tani, ndërsa ata u mblodhën në Galile, Jezusi u tha atyre: "Biri i Njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve
23 dhe do ta vrasin; dhe të tretën ditë do të ngjallet". Dhe ata u trishtuan jashtëzakonisht.
24 Tani, kur ata erdhën në Kafarnaum, erdhën te Pjetri ata që marrin dydrahmat dhe thanë: "Mësuesi juaj a nuk i paguan dydrahmat?".
25 Ai tha: "Po". Dhe kur hyri në shtëpi, Jezusi e parapriu, duke thënë: "Çfarë mendon ti, Simon? Mbretërit e tokës nga cilët i marrin tagrat apo taksën për frymë? Nga bijtë e tyre apo nga të tjerët?".
26 Dhe kur Pjetri tha "Nga të tjerët", Jezusi i tha: "Kështu që bijtë janë të lirë.
27 Por, me qëllim që të mos i shkandullojmë, shko në det dhe hidh grepin, dhe merr peshkun e parë që del nga uji. Dhe kur t'i hapësh gojën, do të gjesh një staterë; merre dhe jepua për mua dhe për ty".
Të gjithë librat
