Ungjilli sipas Mateut 16
1 Dhe kur erdhën pranë Jezusit farisenjtë dhe saducenjtë, që ta sprovonin, i kërkuan që t'u tregonte një shenjë prej qiellit.
2 Por ai, duke u përgjigjur, u tha:
3 "[Dhe në mëngjes thoni: 'Sot do të bëjë stuhi, sepse qielli kuqëlon dhe është duke u vrenjtur'. Vërtet dini të dalloni pamjen e qiellit, ndërsa shenjat e kohëve nuk jeni në gjendje t'i dalloni?]
4 Një brez i lig dhe kurorëshkelës kërkon një shenjë, por atij shenjë nuk do t'i jepet, në mos shenja e Jonait". Dhe i la ata e u largua.
5 Dhe kur erdhën dishepujt në anën tjetër të detit, harruan që të marrin bukë.
6 Dhe Jezusi u tha: "Hapni sytë dhe bëni kujdes nga tharmi i farisenjve dhe i saducenjve!".
7 Dhe ata nisën të diskutonin ndër vete duke thënë: "E ka fjalën që nuk morëm bukë".
8 Por duke e ditur Jezusi këtë, tha: "Pse diskutoni ndër vete, o besimpakë, që nuk keni bukë?
9 Ende nuk e merrni vesh dhe as nuk i kujtoni të pesë bukët e të pesëmijëve dhe se sa kofinë morët?
10 Dhe as nuk i kujtoni të shtatë bukët e të katërmijëve dhe sa kosha morët?
11 Si nuk e merrni vesh se nuk jua thashë këtë për bukët? Por bëni kujdes nga tharmi i farisenjve dhe i saducenjve!".
12 Atëherë e kuptuan se nuk tha që të bëjnë kujdes nga tharmi i bukëve, por nga mësimi i farisenjve dhe i saducenjve.
13 Tani, kur Jezusi erdhi në rajonet e Cezaresë së Filipit, nisi t'i pyeste dishepujt e vet, duke thënë: "Kush thonë njerëzit se është Biri i Njeriut?".
14 Dhe ata thanë: "Disa 'Gjon Pagëzori', të tjerë 'Elia', ndërsa të tjerë 'Jeremia ose një nga profetët'".
15 Ai u tha: "Po ju, kush thoni se jam unë?".
16 Dhe Simon Pjetri, duke u përgjigjur, tha: "Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë".
17 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: "I lum je, o Simon Barjona, se këtë nuk ta zbuloi mishi dhe gjaku, por Ati im që është në qiej.
18 Dhe edhe unë po të them se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb do të ndërtoj kishën time, dhe portat e Hadesit nuk do të ngadhënjejnë mbi të.
19 Ty do të të jap çelësat e Mbretërisë së Qiejve dhe çfarëdo që të lidhësh mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej dhe çfarëdo që të zgjidhësh mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej."
20 Atëherë u dha urdhër dishepujve që askujt të mos i thoshin se ai është Krishti.
21 Që atëherë Jezu Krishti filloi t'u tregojë dishepujve të tij se ai duhet të shkojë në Jerusalem dhe të vuajë shumë nga pleqtë dhe kryepriftërinjtë, dhe skribët; dhe të vritet e të tretën ditë të ngjallet.
22 Dhe Pjetri, duke e marrë veç, filloi ta qortonte duke thënë: "Perëndia qoftë i mëshirshëm me ty, o Zot! Kjo nuk do të të ndodhë kurrë!".
23 Por ai, duke u kthyer, i tha Pjetrit: "M'u hiq sysh, Satan! Ti je shkandull për mua, sepse nuk ke në mend gjërat e Perëndisë, por gjërat e njerëzve".
24 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të tij: "Nëse dikush dëshiron që të vijë mbas meje, të mohojë vetveten dhe të mbartë kryqin e vet, dhe të më ndjekë.
25 Sepse cilido që të dojë për ta shpëtuar jetën e vet, do ta humbë; por cilido që ta humbë jetën e vet për shkakun tim, do ta gjejë.
26 Sepse çfarë do t'i leverdisë njeriut po të fitojë tërë botën dhe ta bjerrë jetën e vet? Ose çfarë do të japë njeriu në këmbim të jetës së vet?
27 Sepse Biri i Njeriut do të vijë në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet, dhe atëherë do ta shpërblejë secilin sipas veprimtarisë së vet.
28 Me të vërtetë po ju them se janë disa nga ata që qëndrojnë këtu, të cilët nuk do të provojnë aspak vdekje, derisa të shikojnë Birin e Njeriut duke ardhur në mbretërimin e vet".
Të gjithë librat
