Ungjilli sipas Mateut 15
1 Atëherë erdhën pranë Jezusit farisenj e skribë nga Jerusalemi, duke thënë:
2 "Përse dishepujt e tu e shkelin traditën e pleqve? Sepse nuk i lajnë duart kur hanë bukë".
3 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha: "Përse edhe ju e shkelni urdhërimin e Perëndisë për shkak të traditës suaj?
4 Sepse Perëndia urdhëroi duke thënë: 'Ndero atin dhe nënën' dhe: 'Ai që i flet keq atit ose nënës, të marrë fund me vdekje'.
5 Por ju thoni: 'Cilido që t'i thotë atit ose nënës: «E bëra dhuratë gjithçka që prej meje do të të ishte ndihmë»,
6 nuk është i detyruar aspak ta nderojë atin e vet'. Dhe kështu zhvlerësuat fjalën e Perëndisë për shkak të traditës suaj.
7 Hipokritë! Bukur profetizoi për ju Isaia, duke thënë:
8 'Ky popull me buzë mua më nderon, por zemra e tyre është shumë larg nga unë.
9 Dhe kot më adhurojnë duke dhënë si mësime urdhëresa njerëzish'".
10 Dhe si thirri pranë turmën, u tha atyre: "Dëgjoni dhe kuptoni!
11 Nuk është ajo që hyn në gojë që e ndyn njeriun, por ajo që del prej gojës; kjo e ndyn njeriun".
12 Atëherë i erdhën pranë dishepujt dhe i thanë: "A e di se farisenjtë, kur e dëgjuan këtë fjalë, u shkandulluan?".
13 Por ai, duke u përgjigjur, tha: "Çdo fidan të cilin nuk e mbolli Ati im qiellor, do të çrrënjoset.
14 Lërini ata; janë udhëheqës të verbër. Dhe po të udhëheqë një i verbër një të verbër, të dy do të bien në gropë".
15 Tani, duke marrë fjalën, Pjetri i tha: "Na e shpjego shëmbëlltyrën".
16 Dhe ai tha: "Edhe ju jeni ende të paaftë për të kuptuar?
17 Ende nuk e kuptoni se gjithçka që hyn në gojë, zë vend në bark dhe nxirret në nevojtore?
18 Ndërsa ato që dalin prej gojës, dalin prej zemrës; dhe ato e ndyjnë njeriun.
19 Sepse prej zemrës dalin arsyetime të liga, vrasje, kurorëshkelje, kurvëri, vjedhje, dëshmi të rreme, blasfemi.
20 Këto janë ato që e bëjnë të ndytë njeriun; por të ngrënët me duar të palara nuk e ndyn njeriun".
21 Dhe si doli prej andej, Jezusi u tërhoq në rajonet e Tirit dhe të Sidonit.
22 Dhe ja, një grua kananease nga ata kufij doli dhe thërriste duke thënë: "Ki mëshirë për mua, o Zot, Biri i Davidit! Bija ime është demonizuar keqas".
23 Por ai nuk iu përgjigj me asnjë fjalë. Dhe si erdhën pranë Jezusit dishepujt e tij, e lutnin duke thënë: "Lëshoje atë, sepse po thërret përmbrapa nesh".
24 Dhe ai, duke u përgjigjur, tha: "Nuk u dërgova askund, përveçse te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit".
25 Por ajo erdhi dhe binte përmbys para tij duke thënë: "O Zot, më ndihmo!".
26 Por ai, duke u përgjigjur, tha: "Nuk është mirë që të marrësh bukën e fëmijëve dhe t'ua hedhësh këlyshëve të qenve".
27 Por ajo tha: "Po, o Zot, se edhe këlyshët e qenve hanë nga thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre".
28 Atëherë, duke u përgjigjur, Jezusi i tha: "O grua, i madh është besimi yt! Le të të bëhet ashtu siç dëshiron". Dhe e bija u shërua që nga ai çast.
29 Dhe si u zhvendos prej aty, Jezusi erdhi ndanë Detit të Galilesë; dhe kur u ngjit në mal, po rrinte ulur atje.
30 Dhe erdhën pranë tij turma të mëdha, që kishin me vete të çalë, të verbër, të gjymtuar, shurdhmemecë dhe shumë të tjerë; dhe i vunë pranë këmbëve të tij dhe ai i shëroi,
31 aq sa turma të mrekullohej duke parë shurdhmemecë që flisnin, të gjymtuar të shëndetësuar dhe të çalë që ecnin, dhe të verbër që shihnin; dhe lëvduan Perëndinë e Izraelit.
32 Tani, Jezusi thirri pranë dishepujt e tij dhe tha: "Kam dhembshuri për turmën, sepse u bënë tashmë tri ditë që rrinë me mua dhe nuk kanë çfarë të hanë; dhe unë nuk dua t'i lëshoj të uritur, se mos u bie të fikët gjatë rrugës".
33 Dhe dishepujt i thanë: "Nga do të gjejmë ne në shkreti kaq shumë bukë saqë për të ngopur një turmë kaq të madhe?".
34 Dhe Jezusi u tha: "Sa bukë keni?". Dhe ata thanë: "Shtatë, dhe pak peshq të vegjël".
35 Dhe si udhëzoi turmën për të zënë vend përtokë,
36 mori të shtatë bukët dhe peshqit, dhe si falënderoi, i theu dhe ua jepte dishepujve, dhe dishepujt turmave.
37 Dhe hëngrën të gjithë e u ngopën; dhe nga teprica e copave, mbartën shtatë kosha plot.
38 Dhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, përveç grave dhe fëmijëve.
39 Dhe si i lëshoi turmat, Jezusi hipi në varkë dhe erdhi në kufijtë e Magadanit.
Të gjithë librat
