Ungjilli sipas Mateut 13
1 Në atë ditë, pasi doli Jezusi nga shtëpia, po rrinte ulur ndanë detit.
2 Dhe u mblodhën pranë tij turma të mëdha, saqë ai hipi në një varkë për t'u ulur dhe gjithë turma qëndronte në breg.
3 Dhe ai u foli atyre shumë gjëra me shëmbëlltyra, duke thënë: "Ja, doli mbjellësi për të mbjellë.
4 Dhe ndërsa ai mbillte, ca farë ra përgjatë rrugës dhe erdhën zogjtë, dhe i përpinë.
5 Por ca farë tjetër ra mbi gurishtë, ku nuk kishte shumë dhé, dhe menjëherë mbiu, për shkak se nuk kishte thellësi dheu.
6 Por ndërsa dielli u ngrit, u përzhit dhe për shkak se nuk kishte rrënjë, u tha.
7 Por ca farë tjetër ra mbi ferra dhe ferrat u rritën, dhe i mbytën.
8 Por ca farë tjetër ra mbi tokën e mirë dhe jepte fryt, ca njëqind dhe ca gjashtëdhjetë, dhe ca tridhjetë.
9 Ai që ka veshë, të dëgjojë!".
10 Dhe kur i erdhën pranë dishepujt, i thanë: "Përse u flet atyre me shëmbëlltyra?".
11 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha: "Sepse juve ju është dhënë të njihni misteret e Mbretërisë së Qiejve, ndërsa atyre nuk u është dhënë.
12 Se cilitdo që ka, do t'i jepet dhe do t'i teprojë, ndërsa cilitdo që nuk ka, edhe ajo që ka, do të merret prej tij.
13 Për këtë arsye u flas atyre me shëmbëlltyra, sepse megjithëse shohin, nuk shohin dhe megjithëse dëgjojnë, nuk dëgjojnë dhe as kuptojnë.
14 Dhe kështu përmbushet tek ata profecia e Isaias, që thotë: 'me vëmendje do të dëgjoni, e aspak nuk do të kuptoni; dhe duke parë, do të shihni, e aspak nuk do të shikoni.
15 Sepse zemra e këtij populli u trash; dhe me veshët e tyre dëgjuan me vështirësi, dhe sytë e tyre i mbyllën, që të mos shikojnë me sy dhe me veshë të mos dëgjojnë, dhe me zemër të mos kuptojnë, dhe të mos kthehen, dhe kështu nuk do t'i shëroj'.
16 Por lum sytë tuaj, sepse shohin; dhe lum veshët tuaj, sepse dëgjojnë.
17 Se me të vërtetë po ju them që shumë profetë dhe të drejtë dëshiruan për të parë ato që shihni, e nuk i panë; dhe për të dëgjuar ato që dëgjoni, e nuk i dëgjuan!
18 Ju, pra, dëgjoni shëmbëlltyrën e mbjellësit.
19 Kur dikush dëgjon fjalën e mbretërisë dhe nuk e kupton, vjen i ligu dhe e rrëmben atë që ishte mbjellë në zemrën e tij; ky është ajo që u mboll përgjatë rrugës.
20 Ndërsa ajo që u mboll mbi gurishtë, ky është ai që e dëgjon fjalën dhe menjëherë e merr atë me gëzim,
21 por nuk ka rrënjë në vetvete, përkundrazi është i përkohshëm; dhe ndërsa bëhet ndonjë mundim apo përndjekje për shkak të fjalës, menjëherë shkandullohet.
22 Ndërsa ajo që u mboll ndër ferrat, ky është ai që e dëgjon fjalën, mirëpo shqetësimi i kësaj epoke dhe mashtrimi i pasurisë e mbysin fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme.
23 Ndërsa ajo që u mboll në tokën e mirë, ky është ai që e dëgjon fjalën dhe e kupton; i cili vërtet jep fryt dhe bën njëri njëqind, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri tridhjetë".
24 Jezusi u paraqiti atyre një shëmbëlltyrë tjetër, duke thënë: "Mbretëria e Qiejve i ngjason një njeriu që mbolli farë të mirë në arën e tij.
25 Por ndërsa njerëzit flinin, erdhi armiku i tij dhe mbolli egjër në mes të grurit dhe u largua.
26 Dhe kur mbiu filizi dhe dha fryt, atëherë u shfaq edhe egjra.
27 Dhe kur skllevërit e të zotit të shtëpisë iu afruan, i thanë: 'Zotëri, a nuk mbolle farë të mirë në arën tënde? Atëherë, prej nga ka dalë egjra?'.
28 Dhe ai u tha: 'Një njeri armik e bëri këtë'. Dhe skllevërit i thanë: 'Atëherë, a do që të shkojmë dhe ta mbledhim?'.
29 Por ai tha: 'Jo, se mos, duke mbledhur egjrën, të shkulni bashkë me të edhe grurin.
30 Lërini që të rriten të dyja bashkë deri në kohën e korrjes dhe në kohën e korrjes do t'u them korrësve: 'Mblidhni së pari egjrën dhe lidheni në duaj për ta djegur; ndërsa grurin mblidheni në hambarin tim!'".
31 Jezusi u paraqiti atyre një shëmbëlltyrë tjetër, duke thënë: "Mbretëria e Qiejve është e ngjashme me një kokërr sinapi, të cilën e mori një njeri dhe e mbolli në arën e tij.
32 Ajo vërtet është më e vogël se të gjitha farat, por kur rritet, është më e madhe se perimet dhe bëhet një pemë e tillë, saqë të vijnë zogjtë e qiellit dhe të gjejnë strehë në degët e saj".
33 Jezusi u tha atyre një shëmbëlltyrë tjetër: "Mbretëria e Qiejve është e ngjashme me tharmin të cilin e mori një grua dhe e përzjeu në tri masa mielli, derisa u mbrujt i tërë brumi".
34 Të gjitha këto ua tha Jezusi turmave me shëmbëlltyra; dhe pa shëmbëlltyrë nuk u thoshte atyre asgjë,
35 me qëllim që të përmbushej ajo që u tha nëpërmjet profetit, që thotë: "Do ta hap gojën time me shëmbëlltyra; do të kumtoj gjëra që ishin fshehur që nga themelimi i botës".
36 Pastaj Jezusi nisi turmat dhe erdhi në shtëpi; dhe erdhën pranë tij dishepujt e vet duke thënë: "Na e shtjello shëmbëlltyrën e egjrës së arës".
37 Dhe ai, duke u përgjigjur, tha: "Ai që mbjell farën e mirë, është Biri i Njeriut
38 dhe ara është bota; dhe fara e mirë, këta janë bijtë e mbretërisë; dhe egjra janë bijtë e të ligut;
39 dhe armiku, ai që e mbjell atë, është djalli; dhe korrja është përfundimi i epokës; dhe korrësit janë engjëj.
40 Sikurse, pra, mblidhet egjra dhe digjet në zjarr, kështu do të jetë në përfundimin e epokës.
41 Biri i Njeriut do të dërgojë engjëjt e tij dhe ata do të mbledhin prej mbretërisë së tij të gjithë shkandujt dhe ata që bëjnë paligjshmërinë,
42 dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.
43 Pastaj të drejtët do të rrezatojnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Ai që ka veshë, të dëgjojë!".
44 "Mbretëria e Qiejve është e ngjashme me një thesar që ishte fshehur në arë, të cilin kur e gjeti një njeri, e fshehu. Dhe nga gëzimi i tij, ai shkon dhe shet të gjitha sa ka dhe e blen atë arë.
45 Përsëri, Mbretëria e Qiejve është e ngjashme me një tregtar që kërkon margaritarë të bukur.
46 Dhe kur ai gjeti një margaritar shumë të çmuar, shkoi dhe shiti të gjitha sa kishte dhe e bleu.
47 Përsëri, Mbretëria e Qiejve është e ngjashme me një rrjetë që u hodh në det dhe që mblodhi peshq prej çfarëdo lloji.
48 Kur ajo u mbush, pasi peshkatarët e nxorën në breg dhe pasi u ulën, mblodhën të mirët në shporta dhe të këqijtë i hodhën jashtë.
49 Kështu do të jetë në përfundimin e epokës; do të dalin engjëjt dhe do të ndajnë të ligjtë nga mesi i të drejtëve,
50 dhe do t'i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.
51 A i kuptuat këto të gjitha?". Dishepujt i thanë: "Po!".
52 Dhe ai u tha: "Për këtë arsye, çdo skrib që u dishepullua për Mbretërinë e Qiejve, është i ngjashëm me një zot shtëpie, i cili nxjerr prej thesarit të tij gjëra të reja dhe të vjetra".
53 Dhe ndodhi që, kur Jezusi i mbaroi këto shëmbëlltyra, lëvizi prej aty.
54 Dhe kur erdhi në vendin e tij ku u rrit, i mësonte në sinagogën e tyre, aq sa ata të çuditeshin dhe të thoshin: "Prej nga i vjen këtij kjo urtësi dhe veprat e fuqisë?
55 A nuk është ky biri i zdrukthëtarit? A nuk quhet nëna e tij Mari dhe vëllezërit e tij Jakob dhe Jozef, dhe Simon, dhe Judë?
56 Dhe motrat e tij, a nuk janë të gjitha këtu me ne? Prej nga i vijnë, pra, këtij të gjitha këto?".
57 Dhe shkandulloheshin me të. Por Jezusi u tha: "Një profet nuk është i panderuar askund, përveçse në vendin dhe në shtëpinë e tij".
58 Dhe nuk bëri aty shumë vepra fuqie, për shkak të mosbesimit të tyre.
Të gjithë librat
