Ungjilli sipas Markut 5
1 Dhe erdhën në anën tjetër të detit, në krahinën e gadarenëve.
2 Dhe ndërsa Jezusi doli prej varkës, menjëherë e takoi prej varrezave një njeri me frymë të ndyrë,
3 i cili e kishte vendbanimin ndër varreza dhe asnjë nuk mundej që ta lidhte as me zinxhirë,
4 për shkak se ai kishte qenë lidhur shumë herë me pranga dhe zinxhirë, mirëpo zinxhirët ishin këputur nga ai dhe prangat ishin thyer; dhe asnjë nuk kishte fuqi për ta zbutur.
5 Dhe vazhdimisht, natë e ditë, në male dhe ndër varreza, ishte duke bërtitur dhe duke e çarë veten me gurë.
6 Dhe kur e pa Jezusin nga larg, vrapoi e ra përmbys para tij,
7 dhe duke bërtitur me zë të lartë, tha: "Çfarë ka mes meje dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë, i Shumë të Lartit? Të përbetoj për Perëndinë, të mos më mundosh!".
8 (Sepse Jezusi i thoshte: "Dil, o frymë e ndyrë, prej këtij njeriu!".)
9 Dhe Jezusi e pyeste: "Cili është emri yt?". Dhe ai u përgjigj duke thënë: "Legjion është emri im, sepse jemi shumë".
10 Dhe i përgjërohej shumë Jezusit që të mos i dërgonte ata jashtë krahinës.
11 Tani, ishte atje, pranë maleve, një tufë e madhe derrash duke kullotur.
12 Dhe të gjithë demonët iu përgjëruan duke thënë: "Na dërgo në derrat, që të hyjmë në ta".
13 Dhe menjëherë Jezusi i lejoi. Dhe kur dolën, frymërat e ndyra hynë në derrat dhe tufa u turr poshtë greminës në det (dhe ishin rreth dy mijë krerë) dhe u mbytën në det.
14 Dhe ata që kullotnin derrat, ikën dhe dëftuan në qytet dhe ndër ara; dhe njerëzit dolën për të parë çfarë ishte ajo që kishte ndodhur.
15 Dhe erdhën te Jezusi, dhe vërejtën të demonizuarin që kishte pasur Legjionin, duke ndenjur ulur dhe të veshur, dhe shëndoshë nga mendja; dhe u frikësuan.
16 Dhe ata që e panë ngjarjen, u treguan atyre se si i ndodhi të demonizuarit, si dhe për derrat.
17 Dhe njerëzit filluan t'i përgjëroheshin Jezusit që të largohej nga kufijtë e tyre.
18 Dhe ndërsa ai po hipte në varkë, ai që qe i demonizuar, i përgjërohej që të rrinte me të.
19 Por Jezusi nuk e lejoi, por i tha atij: "Shko në shtëpinë tënde, te të tutë, dhe dëftoju atyre gjithë sa bëri Zoti për ty dhe si të mëshiroi".
20 Dhe ai shkoi e filloi që të shpallte në Dekapoli gjithë sa bëri Jezusi për të; dhe të gjithë mrekulloheshin.
21 Dhe ndërsa Jezusi kaloi përsëri me varkë në anën tjetër, u mblodh një turmë e madhe tek ai; dhe ai rrinte ndanë detit.
22 Dhe ja, erdhi një nga krerët e sinagogës me emrin Jair, dhe si pa Jezusin, ra te këmbët e tij
23 dhe i përgjërohej shumë, duke thënë: "Vogëlushja ime është në fund të jetës. Eja të vësh duart mbi të, me qëllim që të shpëtojë, dhe do të jetojë!".
24 Dhe Jezusi shkoi me të, dhe një turmë e madhe e ndiqte dhe ngjishej rreth tij.
25 Dhe një grua që ishte me rrjedhje gjaku prej dymbëdhjetë vjetësh,
26 dhe që kishte vuajtur shumë nga shumë mjekë, dhe që kishte shpenzuar të gjithë pasurinë e saj, por pa i bërë dobi asgjë, përkundrazi duke shkuar edhe më për keq,
27 kur dëgjoi rreth Jezusit, duke ardhur në turmë përmbrapa tij, preku rrobën e tij.
28 Sepse thoshte me vete: "Po të prek së paku rrobat e tij, do të shpëtoj nga vuajtja".
29 Dhe menjëherë u tha burimi i gjakut të saj, dhe ajo kuptoi në trupin e vet që ishte shëruar nga vuajtja.
30 Dhe menjëherë Jezusi, duke kuptuar në vetvete fuqinë që doli prej tij, u kthye pas në turmë dhe tha: "Kush m'i preku rrobat?".
31 Dhe dishepujt e tij i thoshin: "Ti po e sheh turmën duke u ngjeshur rreth teje dhe thua 'kush më preku?'".
32 Dhe Jezusi shihte rrotull për të parë atë që e bëri këtë.
33 Por gruaja, duke u frikësuar dhe duke u dridhur, ngaqë e dinte çfarë kishte ndodhur në të, erdhi dhe ra përmbys para tij, dhe i tha gjithë të vërtetën.
34 Dhe ai i tha: "O bijë, besimi yt të ka shpëtuar. Shko në paqe dhe ji e shëndetësuar nga vuajtja jote".
35 Ndërsa ai ishte ende duke folur, erdhën disa nga shtëpia e kreut të sinagogës, duke thënë: "Bija jote vdiq! Pse e bezdis ende mësuesin?".
36 Por Jezusi menjëherë kur dëgjoi fjalën që u tha, i tha kreut të sinagogës: "Mos u frikëso; vetëm beso!".
37 Dhe nuk lejoi asnjë që ta shoqëronte atë, përveçse Pjetrin dhe Jakobin, dhe Gjonin, vëllain e Jakobit.
38 Dhe Jezusi erdhi në shtëpinë e kreut të sinagogës, dhe vërejti rrëmujë dhe njerëz duke qarë e duke ulëritur me të madhe.
39 Dhe kur hyri, u tha atyre: "Pse bëni rrëmujë dhe qani? Fëmija nuk ka vdekur, por po fle".
40 Dhe ata nisën ta përqeshnin. Por ai, si i nxori jashtë të gjithë, mori me vete atin e fëmijës dhe nënën, si dhe ata që ishin me të, dhe hyri aty ku ishte shtrirë fëmija.
41 Dhe duke kapur dorën e fëmijës, i tha asaj: "Talithá, kumi!" (që e përkthyer do të thotë: "O vashëz, ty të them: çohu!").
42 Dhe menjëherë vashëza u ngrit dhe nisi të ecte (se ajo ishte dymbëdhjetë vjeçe); dhe menjëherë u shastisën tej mase.
43 Dhe Jezusi i urdhëroi ata rreptësisht që askush të mos vinte në dijeni të kësaj gjëje; dhe tha që t'i jepej asaj për të ngrënë.
Të gjithë librat
