Ungjilli sipas Markut 4
1 Dhe përsëri Jezusi filloi të japë mësim ndanë detit. Dhe u mblodh pranë tij një turmë e madhe, saqë ai hipi në varkë dhe rrinte ulur në det; dhe gjithë turma ishte në tokë, kundrejt detit.
2 Dhe ai i mësonte ata me shumë shëmbëlltyra, dhe po u thoshte në mësimin e tij:
3 "Dëgjoni! Ja, doli mbjellësi për të mbjellë.
4 Dhe ndodhi që, ndërsa mbillte, një pjesë ra përgjatë rrugës dhe erdhën zogjtë e qiellit dhe e përpinë.
5 Por një pjesë tjetër ra mbi gurishtë, ku nuk kishte shumë dhé, dhe menjëherë mbiu, për shkak se nuk kishte thellësi dheu.
6 Por ndërsa dielli u ngrit, u përzhit, dhe për shkak se nuk kishte rrënjë, u tha.
7 Dhe një pjesë tjetër ra ndër ferra dhe ferrat u rritën dhe e mbytën; dhe ajo nuk dha fryt.
8 Dhe të tjera ranë në tokën e mirë dhe jepnin fryt, duke u rritur e duke u shtuar; dhe prodhonin njëra tridhjetë, dhe njëra gjashtëdhjetë, dhe njëra njëqind".
9 Dhe u thoshte atyre: "Ai që ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!".
10 Por kur mbeti vetëm, ata që ishin rreth tij bashkë me të dymbëdhjetët, e pyetën për shëmbëlltyrën.
11 Dhe ai u thoshte: "Juve ju është dhënë për të njohur misterin e Mbretërisë së Perëndisë, ndërsa atyre që janë jashtë, të gjitha u jepen me shëmbëlltyra,
12 që 'duke parë, të shohin e të mos shikojnë dhe duke dëgjuar, të dëgjojnë e të mos kuptojnë, që të mos kthehen dhe t'u falen atyre mëkatimet'".
13 Dhe u tha atyre: "Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Atëherë, si do t'i merrni vesh të gjitha shëmbëlltyrat e tjera?
14 Mbjellësi mbjell fjalën.
15 Dhe ato përgjatë rrugës janë këta ku mbillet fjala dhe, kur e dëgjojnë, menjëherë vjen Satani dhe e heq fjalën që është mbjellë në zemrat e tyre.
16 Dhe ngjashëm me ato që mbillen mbi gurishtë janë këta të cilët, kur e dëgjojnë fjalën, menjëherë e marrin me gëzim,
17 mirëpo nuk kanë rrënjë në vetvete, por janë të përkohshëm; pastaj, ndërsa bëhet ndonjë mundim apo përndjekje për shkak të fjalës, menjëherë shkandullohen.
18 Dhe këta janë ato që mbillen ndër ferra, ata që e dëgjojnë fjalën,
19 mirëpo shqetësimet e kësaj epoke dhe mashtrimi i pasurisë, dhe dëshirimet për gjëra të tjera, që hyjnë tek ata, e mbysin fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme.
20 Dhe ato që u mbollën mbi tokën e mirë, janë këta të cilët e dëgjojnë fjalën dhe e pranojnë, dhe japin fryt: njëri tridhjetë dhe njëri gjashtëdhjetë, dhe njëri njëqind".
21 Dhe u thoshte atyre: "A mos sillet kandili që të vihet nën magje apo nën dyshek?! Vallë, jo që të vihet mbi kandiler?!
22 Sepse nuk ka ndonjë të fshehtë, përveç asaj që duhet të shfaqet; dhe as nuk u bë asgjë sekrete, porse ajo që duhet të vijë në dritë.
23 Nëse dikush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!".
24 Dhe u thoshte atyre: "Kini kujdes çfarë dëgjoni! Me atë masë që matni, do t'ju matet dhe do t'ju shtohet juve që dëgjoni.
25 Sepse cilitdo që të ketë, do t'i jepet, dhe atij që nuk ka, edhe ajo që ka, do të merret prej tij".
26 Dhe thoshte: "Mbretëria e Perëndisë është kështu: si të hedhë një njeri farën mbi tokë
27 dhe të flejë e të çohet natë e ditë, dhe fara të mbijë e të rritet, pa e ditur as ai vetë se si.
28 Sepse toka jep fryt vetvetiu: së pari filizin, pastaj kallirin, pastaj plot grurë në kallinj.
29 Dhe kur të piqet fryti, menjëherë ai vë draprin, sepse ka ardhur korrja".
30 Dhe thoshte: "Me çfarë ta krahasojmë Mbretërinë e Perëndisë, apo me çfarë lloj shëmbëlltyre ta ballafaqojmë?
31 Është si një kokërr sinapi, e cila, kur mbillet në tokë, është më e vogël sesa të gjitha farat që janë mbi tokë,
32 gjithsesi, kur mbillet, lartohet dhe bëhet më e madhe sesa të gjitha perimet, dhe bën degë të mëdha, saqë zogjtë e qiellit të mund të gjejnë strehë nën hijen e saj".
33 Dhe me shumë shëmbëlltyra të tilla u fliste atyre fjalën, ashtu siç ishin në gjendje për të dëgjuar.
34 Dhe nuk u fliste atyre pa shëmbëlltyrë, por dishepujve të tij, veçmas, ua shkoqiste të gjitha.
35 Dhe në atë ditë, ndërsa u bë mbrëmje, u tha atyre: "Të kalojmë në anën tjetër!".
36 Dhe si lëshuan turmën, morën me vete Jezusin, siç ishte në varkë; por ishin me të edhe varka të vogla të tjera.
37 Dhe u bë një furtunë e madhe ere, ndërsa dallgët përplaseshin mbi varkën, saqë tashmë ajo po mbushej me ujë.
38 Dhe Jezusi ishte në kiç, duke fjetur me kokën mbi nënkresë; dhe ata e zgjuan, dhe i thanë: "Mësues, nuk merakosesh ti që po humbasim?".
39 Dhe si u zgjua, qortoi erën dhe i tha detit: "Hesht! Pusho!". Dhe era ra, dhe u bë bunacë e madhe.
40 Dhe u tha atyre: "Pse jeni kaq frikacakë? Si nuk keni besim?".
41 Dhe ata u frikësuan tej mase, dhe thoshin me njëri-tjetrin: "Kush, vallë, është ky që edhe era, edhe deti i binden?".
Të gjithë librat
