Ungjilli sipas Markut 3
1 Dhe Jezusi hyri përsëri në sinagogë, dhe ishte aty një njeri që e kishte dorën të tharë.
2 Dhe po e vëzhgonin Jezusin nëse do ta shëronte atë në shabat, me qëllim që ta paditnin.
3 Dhe ai i tha njeriut që e kishte dorën të tharë: "Çohu këtu në mes!".
4 Dhe u tha atyre: "A është e lejueshme në shabat të bësh mirë apo të bësh keq, të shpëtosh jetë apo të vrasësh?". Por ata heshtnin.
5 Dhe si i pa rrotull ata me zemërim, duke u pikëlluar për ngurtësimin e zemrës së tyre, i tha njeriut: "Shtrije dorën tënde!". Dhe ai e shtriu, dhe dora e tij u përtëri e shëndoshë si tjetra.
6 Dhe kur dolën, farisenjtë menjëherë nisën të këshilloheshin bashkë me herodianët kundër tij, në mënyrë që ta zhduknin.
7 Dhe Jezusi u tërhoq me dishepujt e tij drejt detit. Dhe një morí e madhe nga Galileja e ndoqi, dhe nga Judeja,
8 dhe nga Jerusalemi, dhe nga Idumeja, dhe nga matanë Jordanit, dhe ata përreth Tirit e Sidonit; një morí e madhe, kur dëgjuan gjithë sa bënte, erdhi tek ai.
9 Dhe Jezusi u tha dishepujve të tij që të mbahej gati për të një varkë e vogël për shkak të turmës, që të mos e shtypte;
10 sepse ai shëroi shumë veta, aq sa të binin përsipër tij me qëllim që ta preknin gjithë sa kishin vuajtje.
11 Dhe frymërat e ndyra, kur e vërenin, binin përmbys para tij dhe bërtisnin, duke thënë: "Ti je Biri i Perëndisë!".
12 Dhe ai i qortonte rreptë, që të mos e bënin të njohur atë.
13 Dhe Jezusi u ngjit në mal dhe thirri pranë ata që donte vetë; dhe ata shkuan tek ai.
14 Dhe ai caktoi dymbëdhjetë që të rrinin me të dhe që t'i dërgonte për të predikuar
15 dhe për të pasur pushtet që të shërojnë sëmundjet dhe që të dëbojnë demonët:
16 Simonin (të cilit edhe i vuri emrin Pjetër)
17 dhe Jakobin, të birin e Zebedeut, dhe Gjonin, vëllain e Jakobit (dhe atyre u vuri emrin Boanerges, që domethënë "Bij të bubullimës"),
18 dhe Andrean, dhe Filipin, dhe Bartolomeun, dhe Mateun, dhe Thomain, dhe Jakobin, të birin e Alfeut, dhe Tadeun, dhe Simonin, Zelotin,
19 dhe Judë Iskariotin, i cili edhe e tradhtoi. Dhe erdhën në shtëpi.
20 Dhe turma u mblodh përsëri, saqë ata as nuk mund të hanin bukë.
21 Dhe kur e dëgjuan këtë familjarët e tij, dolën për ta kapur, sepse thoshin: "Ka dalë mendsh!".
22 Dhe skribët, ata që zbritën nga Jerusalemi, thoshin: "Ka Beelzebulin!", dhe: "Me kreun e demonëve i dëbon demonët".
23 Dhe Jezusi i thirri pranë dhe nisi t'u thoshte me shëmbëlltyra: "Si mundet Satani të dëbojë Satanin?
24 Dhe po të ndahet një mbretëri kundër vetvetes, ajo mbretëri nuk mund të qëndrojë.
25 Dhe po të ndahet një shtëpi kundër vetvetes, ajo shtëpi nuk mund të qëndrojë.
26 Dhe nëse Satani u ngrit kundër vetvetes dhe është ndarë, nuk mund të qëndrojë, por ka marrë fund.
27 Askush nuk mund t'i grabitë sendet e të fortit, kur hyn në shtëpinë e tij, po të mos ketë lidhur së pari të fortin; dhe atëherë do ta grabitë shtëpinë e tij.
28 Me të vërtetë po ju them se të gjitha mëkatimet do t'u falen bijve të njerëzve, edhe blasfemitë, gjitha sa të blasfemojnë,
29 por cilido që të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë, nuk ka falje përjetë, por është fajtor gjykimi të përjetshëm".
30 (Sepse thoshin: "Ka një frymë të ndyrë.")
31 Atëherë erdhën vëllezërit dhe nëna e tij; dhe duke qëndruar jashtë, dërguan njerëz tek ai që ta thërrasin.
32 Dhe rreth tij rrinte ulur një turmë, dhe i thanë: "Ja, nëna jote dhe vëllezërit e tu po të kërkojnë jashtë".
33 Dhe iu përgjigj atyre duke thënë: "Kush është nëna ime apo vëllezërit e mi?".
34 Dhe si pa rrotull ata rreth tij që rrinin ulur përqark, tha: "Ja nëna ime dhe vëllezërit e mi!
35 Sepse cilido që të bëjë vullnetin e Perëndisë, ky është vëllai im dhe motra ime, dhe nëna".
Të gjithë librat
